Aksion në Lazarat, tre në kërkim për kanabis

Aug 17, 2011 | 11:46

GJIROKASTËR- Policia e Gjirokastrës ka ndërhyrë në Lazarat, në një operacion antikanabis te koduar “Perëndimi i Hënës”.  Operacioni, nisur pasmesnate e shtrirë deri në orët e para të mëngjesit angazhoi 30 forca policore shumica e të cilave me maska për të shkatërruar rrënjët që gjenden të mbjella në pjesë të ndryshme të Lazaratit.

Tre parcela me kanabis me 1685 rrënjë, janë shkatërruar duke shënuar të parën ndërhyrje në terren nga forcat e Komisariatit të Policisë së Gjirokastrës për këtë vit dhe tre banorë janë shpallur në kërkim. Ndonëse uniformat blu kanë sekuestruar të gjithë lëndën narkotike, nuk kanë arritur të kapin kultivuesit e saj por i kanë identifikuar dhe janë vënë në ndjekje të tyre.

Burimet zyrtare nga Policia e Gjirokastrës, kanë konfirmuar për “Panorama”, se ndërhyrja është kryer në përfundim të fazës së dytë, të fushatës për parandalimin e kultivimit të bimeve narkotike duke nënkuptuar fillimin e fazës së tretë që përkon me shkatërrimin e parcelave të evidentuara më parë në fazën investiguese.

Në të tre parcelat me 1685 rrënjë, gjatësia e tyre varionte nga 120-140 cm. Momenti kur policia ka hyrë në Lazarat, ka qenë mjaft i përshtatshëm dhe askush nga kultivuesit nuk ka qenë në parcelat me hashash. Policia ka dërguar në organin e akuzës materialet në ngarkim të tre lazaratasve emrat e të cilëve nuk bëhen të ditura për arsye hetimi.                                     Piro Nase

© Panorama.al

Te lidhura