
Maqedoni, dy të rinj shqiptarë shpallen në kërkim nga Interpoli.
Në orët e para të së enjtes ka përfunduar marrja në pyetje e të arrestuarve gjatë aksionit policor “Monstra”, ndërkohë që janë liruar disa prej personave të grupit. Mes personave të lënë të lirë, janë 4 gra të reja dhe një e moshuar. Një masë arresti prej 30 ditësh u vendos në gjykatë për pesë nga të arrestuarit, për të cilët policia dyshon se kanë qenë të përfshirë direkt në vrasjen në liqenin e Smilkovës dhe janë të dyshuar për “terrorizëm”. Tre prej tyre pritet që të transferohen në burgun e Manastirit, ndërsa dy të tjerë janë shpallur persona në kërkim nga Interpoli, me kërkesë të Policisë maqedonase. Ministria e Punëve të Brendshme i ka dërguar një kërkesë Ministrisë homologe të Kosovës për të kapur dy të akuzuarit nga Shkupi, që supozohet se janë pjesë e grupit që kreu vrasjen e pesëfishtë që ndodhi më 12 prill. Kërkesa e bërë nga ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska, drejtuar homologut në Kosovë, Bajram Rexhepi, mban emrat e dy personave të shpallur në kërkim, Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri. Njësitet speciale të Policisë kanë kryer një operacion kontrolli në zonën e quajtur Karadaku i Shkupit, në kufi me Kosovën, në Brezë, në kërkim të personave të arratisur. 27-vjeçari Alil Demiri, nga lagja Haraçinë në Shkup dhe 32-vjeçari Afrim Islamoviq, nga lagja Hasanbeg, dyshohet se janë arratisur në Kosovë. Kështu thonë në Gjykatën Themelore të Shkupit, e cila Alilit dhe Afrimit tashmë u ka vendosur në mungesë nga 30 ditë paraburgim, duke i ngarkuar për vrasjen e pesëfishtë, ku po ashtu dyshohet se ka marrë pjesë edhe vëllai i 32-vjeçarit, Agim Islamoviq. Sipas aktvendimit të Gjykatës Penale, e cila tashmë ka bërë gati dosjen paraprake, Alil Demiri dyshohet se ka qëlluar me pistoletë drejt katër adoleshentëve maqedonas dhe burrit 45-vjeçar, ndërsa vëllezërit Ismailoviq kanë përdorur automatikë. Ata janë larguar nga vendngjarja me veturën “Opel Omega”, të ndihmuar nga Fejzi Aziri, 54-vjeçar nga Shutka dhe nga Rami Sejdiut nga Haraçina, duke kaluar ilegalisht kufirin me Kosovën. Sipas të dhënave zyrtare, me ndihmën e Interpolit, do të bëhen përpjekje të zbardhet vendi në Kosovë, ku besohet se fshihen dy të rinjtë, të cilët edhe më parë kanë qenë të njohur për organet e rendit. I arrestuari i vetëm që akuzohet se ka qëlluar drejt pesë viktimave, është duke u mbrojtur në heshtje. “Megjithëse kemi prova me të cilat mund të konfirmojmë se Agimi nuk ka lidhje me vrasjen, ai para gjykatësit hetues u mbrojt me heshtje. Për momentin, nuk është mirë të prezantohen provat, por gjatë vazhdimit të procedurës, do të përpiqemi t’i hedhim poshtë akuzat e Policisë”, tha avokati Naser Raufi.
Mediat, pa profesionalizëm
Përpara se policia të merrte në pyetje të arrestuarit, titujt bombastikë dhe etiketimet e shfrenuara për tri ditë me radhë kanë pushtuar faqet e para të mediave të shkruara dhe kanalet televizive në gjuhën maqedonase. Sipas “gjyqit” mediatik, grupi i 20 të arrestuarve ishin terroristë, autorë krimi, mostra, islamikë radikalë etj. Kryetari i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë, Naser Selmani, pohon se kjo nuk është hera e parë që mediat raportojnë me një mungesë të theksuar profesionalizmi, duke mos i shërbyer jo vetëm opinionit, por edhe duke i tensionuar marrëdhëniet ndëretnike. “Ne jemi ende shumë larg kur gjykata do të marrë vendim të caktuar, dhe për këtë arsye jam i mendimit se mediat nuk duhet që të shndërrohen në instrumente propagande, në rastin konkret të MPB-së, për të bindur opinionin se personat e arrestuar janë autorë të krimit. Për çdo shoqëri demokratike, ata persona deri tani janë vetëm të dyshuar dhe media duhet të orientohen nga fakti sesa janë të besueshme dëshmitë materiale që disponon MPB-ja për padinë që ka ngritur kundër tyre, dhe jo ta marrin si të mirëqenë faktin se ato janë fajtorë e media të marrë të drejtën t’i shpallë fajtorë. Mendoj se kemi të bëjmë me një sjellje krejtësisht joprofesionale, dhe kjo nuk është hera e parë”, tha Selmani.
Reagim nga SHBA
“Ambasada e SHBA-ve në Shkup ende nuk është njohur me dëshmitë për personat e akuzuar për vrasjen e pesëfishtë afër liqenit të Smilkovcit”, ka deklaruar ambasadori amerikan, Poll Uolers. “Në botë ka ngjarje terroriste, dhe ne vetë ishim viktima të terrorizmit, dhe e di se kjo çështje këtu kuptohet seriozisht. Duhet të presim, ta shohim gjykimin dhe dëshmitë”, tha Uolers, i pyetur nëse Maqedonia po përballet me rrezikun nga islamikët radikalë. “E ndajmë sinqerisht dhimbjen me familjet e viktimave. E ndjekim nga afër procesin, arrestimet dhe hetimin, do ta ndjekim edhe procedurën gjyqësore. E rëndësishme është që sistemi juridik të veprojë sipas rregullave dhe ligjeve, që qytetarët të kenë besim se janë dënuar personat e vërtetë”, tha ambasadori Uolers.
Feride Bilalli: Orët e tmerrit me policët maqedonas
Rrëfimi i shqiptares 60-vjeçare: Më arrestuan si terroriste islamike
“Më arrestuan 30 policë në orën katër të mëngjesit”

Arrestimi i Feride Bilallit ka ndodhur në mënyrë spektakolare. Mbi 30 policë në orën katër të mëngjesit i kanë bastisur shtëpinë, ku ajo flinte së bashku me nusen dhe mbesën 3–vjeçare. Asnjë mashkull në shtëpi, djemtë e saj janë në mërgim në Belgjikë dhe Zvicër, prej rreth 15 vitesh. Gruaja 60-vjeçare ishte një prej të arrestuarve si radikalë islamikë dhe autorë të vrasjes së pesë shtetasve maqedonas, të po së njëjtës kombësi, në fshatin Smilkovc, afër Shkupit. Ndërsa nusja shtatzënë, nga tmerri i kontrollit të befasishëm në mes të natës u shtrua në spital, dhe mbesa trevjeçare e Ferides është akoma e terrorizuar nga policët që i kishin bërë lëmsh shtëpinë e tyre, 60-vjeçarja ishte e vetmja e kësaj familjeje që u dërgua në rajonin e policisë, e rrethuar nga 30 policë. “Tmerri që përjetova unë, mos i ndodhtë askujt”, thotë nënë Feridja pasi u vendos që ajo do të mbrohet në liri. Feride Bilalli, nga fshati Hotël i komunës së Likovës, është njëra prej grupit të 20 personave të arrestuar gjatë operacionit “Monstra”. E dyshuar për “terrorizëm”, ajo është liruar nga policia pas 24 orësh, por ende nuk ka arritur ta mbledhë veten nga traumat psikike dhe shëndeti që iu përkeqësua gjatë qëndrimit në birucë. Feridja është e vetmja nga grupi i personave të arrestuar që nuk u vu re të kalonte para Gjykatës në Shkup.
“Isha tepër e lodhur dhe mezi merrja frymë. Kur e panë policët se s’mund të lëvizja, më futën brenda Gjykatës me xhip, ndërsa deri lart në sallë, më mbajtën në duar, sepse s’më mbanin këmbët. Dhe të frikësuar se mos po u ndodh bumerang nga gjendja në të cilën isha, më fshehën nga familjarët dhe nga ju, gazetarët”. Rrëfimin e saj të trishtë, Feridja e nis me lutjen që të gjenden vrasësit e vërtetë dhe faji të mos i montohet dikujt që është i pafajshëm. Tmerrin që e përjetova unë, mos i ndodhtë askujt, rrëfen gruaja që kurrë nuk i kishte shkuar në mendje që ndonjëherë do të akuzohet për “vrasje” ose “bashkëpunim në vrasje” për një krim të pesëfishtë. “Më morën në orën 4 të mëngjesit me 30 policë, e trishtuan mbesën 3-vjeçe, ndërsa nusen e djalit tim, e cila është shtatzënë, nga tmerri dhe frika e policëve, e shtruam në spital. Akoma nuk e kam parë nusen”, tregon Feridja, e cila është e bindur se nga mënyra e bastisjes së shtëpisë dhe akuzat e policisë ndaj saj, tregojnë se Drejtësia nuk është e njëjtë për të gjithë. Në fillim policia ka bastisur shtëpinë ku nuk banon asnjeri, sepse dy djemtë e saj jetojnë në Zvicër dhe në Belgjikë. Pasi e kishin thyer derën kryesore dhe kur kanë parë se askush nuk gjendej aty, policia ia ka behur në shtëpinë ku Feridja ishte duke fjetur së bashku me nusen dhe mbesën 3 vjeçe.
“Kur u futën me turr, u kërkova të bastisin ngadalë, sepse ma tmerruan mbesën, e cila filloi të dridhet nga frika. Edhe nusja filloi të tmerrohet, frikohesha të mos i ndodhë asgjë, sepse edhe tri javë presim të lindë fëmijën”, tregon 60-vjeçarja.
Gjashtë karikatorë dhe tre-katër plumba
Sipas Policisë, në shtëpinë e saj është gjetur një arsenal i madh armësh, kryesisht karikatorë, plumba “kallashnikov”, tromblonë dhe plumba të tjerë, por sipas Ferides, policia ka arritur të gjejë gjashtë karikatorë armesh, tre-katër plumba dhe një uniformë ushtarake të UÇK-së. Për të cilat e ka një shpjegim.
“Vëllai im, tashmë i ndjerë, Hamziu, që kishte qenë pjesëtar i UÇK-së, pas lufte i kishte lënë karikatorët e armëve dhe uniformën në një çantë dhe që atëherë asnjëherë nuk i kam prekur. Të gjithë ata që kanë qenë pjesë e UÇK-së, sidomos në rajonin tonë, kanë uniformën ushtarake si kujtim. Dëgjova se policia ka thënë se te shtëpia ime është gjetur armë! Ju betohem në gjithçka se asnjë armë nuk është gjetur. Këtë duhet ta dëshmojnë të gjithë policët që kanë marrë pjesë në bastisje”. Por, ankthi është rritur gjatë qëndrimit në komisariatin e policisë “Autokomanda”, ku për 24 orë radhazi është marrë në pyetje nga më shumë policë, që hynin e dilnin dhe përsërisnin të njëjtat pyetje, kush është, sa fëmijë ka, pse e ruan çantën me uniformën e UÇK-së, për Xhezair Shaqirin – Komandat Hoxha…, derisa ka humbur ndjenjat…
“U alivanosa tri herë, ndërsa dy herë më sollën urgjencën. E humba ekuilibrin, tensioni më rritej vazhdimisht, zemrën nuk e kisha mirë. Feridja tregon se e kanë akuzuar pasi shumë persona hynin në shtëpinë e saj, sikur të kisha Shtab.
Mohova gjithçka, e tregoja vetëm të vërtetën. U thashë se fëmijët i kam rritur jetimë, pa baba, pasi para 20 viteve, burri im ka vdekur. Shtëpitë, djemtë e mi i kanë ndërtuar duke punuar në mërgim dhe asnjëherë nuk janë marrë me punë të pista. Një police shqiptare, që ishte si përkthyese, më thoshte të tregoja të vërtetën. E shikova me inat dhe i thashë se asgjë nuk kam për të fshehur. Një polic maqedonas më tha pse djali im ka qenë pjesë e UÇK-së. Ia ktheva se njëjtë sikur ju, që keni qenë në anën e Policisë dhe Ushtrisë në luftë, edhe djemtë tanë është dashur të mbrohen. Keqtrajtimet psikike kanë vazhduar për 24 orë pa u ndalur”, rrëfen gruaja nga Hotla.
Feridja shpreh keqardhjen për vrasjen e pesëfishtë në liqenin e Smillkovcës.
“Na ka ardhur shumë keq për vrasjen e atyre djemve maqedonas, dhe të gjithë ne jemi për t’i kapur vrasësit, por vrasësit e vërtetë dhe jo të merren në qafë të pafajshmit. Pse të më akuzojnë se kanë gjetur armë, kur nuk kanë gjetur asgjë që është kundërligjore”, thotë Feridja. E lënë në gjendje të lirë nga policia, Feridja vazhdon të mbetet pjesë e hetimeve, policia ia ka marrë pasaportën, gjendet nën akuzën për armëmbajtje pa leje, dhe duhet që çdo të hëne të paraqitet në Gjykatë, por akoma beson në drejtësi, e sigurt se asgjë të keqe nuk ka bërë dhe se askush nuk mund ta njollosë me damkën e terrorizimit.
Nga korrespondentja jonë në Shkup/ EVIS HALILI
© Panorama.al











