Policia korr kanabis në Lazarat

Aug 18, 2011 | 11:30
Nga aksioni i policisë dje në Gjirokastër

Policia e Gjirokastrës ndërhyn për herë të parë këtë vit në fshatin Lazarat për shfarosjen e rrënjëve të kanabisit.Operacioni antikanabis i koduar “Perëndimi i Hënës”, i ndërmarrë në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, angazhoi dhjetëra forca policore, shumica e të cilave me maska për të shkatërruar rrënjët që gjenden të mbjella në pjesë të ndryshme të Lazaratit. Tri parcela me kanabis me 1685 rrënjë janë shkatërruar, duke shënuar të parën ndërhyrje në terren nga forcat e Komisariatit të policisë së Gjirokastrës për këtë vit. Ndonëse uniformat blu kanë sekuestruar të gjithë lëndën narkotike, nuk kanë arritur të kapin kultivuesit e saj, por i kanë identifikuar dhe janë vënë në ndjekje të tyre. Burimet zyrtare nga Policia e Gjirokastrës kanë konfirmuar për gazetën “Panorama” se ndërhyrja në fshatin “rebel” është kryer në përfundim të fazës së dytë të fushatës për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike, duke nënkuptuar fillimin e fazës së tretë, që përkon me shkatërrimin e parcelave të evidentuara më parë në fazën investiguese. Operacioni i koduar me protagonistë forcat e Komisariatit të Policisë Gjirokastër dhe efektiva të Sektorit Kundër Narkotikëve në Drejtorinë e Policisë së Qarkut, është shtrirë në një nga lagjet e fshatit Lazarat dhe kishte për objektiv shkatërrimin e disa parcelave të kultivuara me kanabis sativa që gjendeshin përreth banesave. Operacioni ka nisur rreth orës 01:00 të mëngjesit së të mërkurës dhe ka përfunduar rreth orës 05:00. Plot 30 forca policie janë angazhuar në “Perëndimin e Hënës”, duke shkatërruar dhe asgjësuar 3 parcela me kanabis sativa, të kultivuara nga tre lazaratas që janë shpallur në kërkim. Në të tri parcelat me 1685 rrënjë, gjatësia e tyre varijonte nga 120-140 cm. Në momentin kur policia ka hyrë në Lazarat, askush nga kultivuesit nuk ka qenë në parcelat me hashash. Policia ka dërguar në organin e akuzës materialet në ngarkim të tre lazaratasve, emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur për arsye hetimi. Një sasi e bimëve narkotike është marrë në cilësinë e provës materiale, ndërsa pjesa tjetër u asgjësua me djegie. Zëdhënësi i policisë së Gjirokastrës, Gentijan Mullai, ka bërë të ditur për gazetën “Panorama” se operacioni për shkatërrimin e parcelave të kultivuara me bimë narkotike do të vijojë në çdo cep të territorit të qarkut Gjirokastër, në rast se do të konstatohen parcela të tjera me bimë narkotike.

3 persona
banorë të fshatit Lazarat janë shpallur në kërkim, si kultivues të bimëve narkotike, emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur nga ana e policisë

Hera e parë

Aksioni i zhvilluar dje në Lazarat ka shënuar të parin këtë verë me ndërhyrje nga terreni i forcave të policisë së Gjirokastrës. Gjatë këtij aksioni nuk ka pasur ndonjë incident dhe policia ka asgjësuar në vend rrënjët e zbuluara.

 

GJIROKASTER/ PIRO NASE

© Panorama.al

Te lidhura