Policia greke ndalon 4 klandestinë shqiptarë

Feb 25, 2012 | 16:54

Katër klandestinë shqiptarë janë kapur në bordin e një automjeti që udhëtonte në drejtim të Janinës. Ngjarja është shënuar në orët e para të së shtunës në fshatin Delvinaq pranë kufirit me Shqipërinë.

Sipas burimeve nga policia e Janinës, patrulla policore greke që qarkullon në brezin kufitar mes dy vendeve e cila ka në ruajtje trafikun klandestin, ka arritur të identifikojë një automjet që vinte nga thellësitë e një zone malore pranë kufirit me Shqipërinë.

Ka qenë një xhip me targa shqiptare i cili transportonte katër shtetas shqiptarë të moshave 21,22, 25 dhe 60 vjeç. Në momentin e ndalimit, të katër klandestinët, nuk kanë bërë asnjë rezistencë por kanë qenë bashkëpunues me policinë. Edhe drejtuesi i mjetit Xhelal Luari nga Berati, 34 vjeç, nuk ka reaguar por i është bindur urdhërit të policisë.

Nga deklarimet e klandestinëve, konfirmohet se vetëm dy prej tyre kanë mundur të kalojnë nga Kakavija duke hyrë në një cisternë, ndërsa dy të tjerët kanë kaluar nga brezi i gjelbër kufitar mes dy shteteve.

Piro Nase

© Panorama.al

Te lidhura