
Autori i masakrës nuk ka shkuar shumë larg për të zhdukur kokën e Liliana Arapit.Policia e Korçës e konfirmoi këtë fakt vetëm pasi gjeti pjesë të saj në rrethinat e qytetit, zonë në të cilën Gaqo Dumka dilte shpesh për të shëtitur dhe për t’iu bashkuar moshatarëve të tij. Kërkimet e nisura që prej së premtes, kur në vendin e mbeturinave të Ravonikut u gjetën pjesë të trupit të 42-vjeçares, por pa kokë, përfunduan mesditën e djeshme. Ndërkohë, familjarët e Liliana Arapit po kryenin ceremoninë e varrimit të trupit të masakruar të 42-vjeçares, të tronditur se ajo po shkonte e gjymtuar dhe në banesën e fundit. Shumë pranë një lulishteje ku plaku 84-vjeçar qëndronte gjatë orëve të pasdites u zbulua nga forcat e policisë një pjesë e skalpit të kokës, së bashku me flokët, që dyshohet se i përkasin 42-vjeçares Liliana Arapi. E pozicionuar pak metra larg banesës së Gaqo Dumkës, ky vend është përdorur prej të moshuarit për të hedhur kokën. Policia tha se pak pas seancës gjyqësore, kur gjykata kishte dhënë vlerësimin e masës së sigurisë për Dumkën, në një prej shkurreve në afërsi të lulishtes së “Shetros” është gjetur një thes plastik, i ngjashëm me thasët ku ishin futur pjesë të trupit të gjymtuar të kufomës 42-vjeçare. Aty janë vërejtur njolla gjaku dhe tufa flokësh, të cilat dyshohen se i përkasin viktimës dhe tashmë po i nënshtrohen ekspertimit. Mësohet se Dumka e ka masakruar bashkëjetuesen e tij mbrëmjen e së enjtes dhe po atë natë ka shpërndarë thasët me mbetjet e trupit të saj. Ditën tjetër ka marrë kokën e saj dhe e ka hedhur në një shkurre, të pambuluar. Policia tha se dyshohet që kafshë mishngrënëse të kenë bërë copëtimin e qeses bashkë me kokën e viktimës, duke lënë vetëm ato pjesë që u gjetën dje. Burime nga policia bëjnë të ditur se tashmë nuk pritet që të gjenden më pjesë të plota të kokës, por vetëm disa pjesë kockore, të cilat mund të mos jenë përtypur nga kafshët.

Thuajse në të njëjtën kohë me zbulimin e një pjese të kokës që dyshohet se i përket 42-vjeçares Liliana Arapi, motra e saj, Marie Arapi, ka apeluar për zbardhjen e krimit që shokoi të gjithë vendin dhe opinionin. “Është tepër e dhimbshme që motra ime u bë pre e një krimi çnjerëzor. Është e padëgjuar që një person të varroset pa kokë. Mund të varroset pa kokë, por jo pa këmbë. Nuk mund të mohoj punën e deritanishme të policisë, por me dhimbje të madhe i kërkoj që të gjejë kokën e motrës sime që edhe ne të na lehtësohet pak dhimbja”, u shpreh e dëshpëruar ajo. Motra e viktimës u shpreh se është e bindur në masën 99% se autori është Gaqo Dumka, ndërsa vetëm 1% mund të dyshojë për persona të tjerë ose që dikush e ka ndihmuar. “Në rast se drejtësia nuk vepron, ne nuk mund të bëjmë të njëjtin veprim si ai, sepse nuk jemi kafshë, por mund të them se falje nuk ka”, tha Marie Arapi, e cila ka ardhur enkas nga Zvicra për t’iu bashkuar dhimbjes dhe për t’u bërë pjesë e ceremonisë mortore.
Masakra për 300 mijë lekë, plaku: I prishte me të tjerë

“Më vodhi 3 milionë lekë për t’i prishur me të tjerët. Ato para i kisha mbledhur për varrimin tim”.Brenda pak orësh, 84-vjeçari Gaqo Dumka ka rrëfyer dy variante për masakrimin e Liliana Arapit. Fillimisht ka dashur ta largojë krimin e rëndë nga vetja duke deklaruar se të tjerë persona e kishin ekzekutuar gruan me të cilën bashkëjetonte. Por, vetëm pak orë pasi ishte transferuar nga gjykata në burgun e Drenovës, të moshuarit i është dashur të rrëzojë alibinë. Me pjesë të kokës së viktimës para syve ai ka pohuar para grupit hetimor përfundimisht se ishte ai autori i vrasjes së 42-vjeçares.
Alibia e dhënë në Gjykatë: Autorë, tre persona
Rreth orës 09:30 të ditës së djeshme, i moshuari Gaqo Dumka, banor i Lagjes Nr. 4 të Korçës, është përballur me togat e zeza. Për herë të parë në jetën e tij dhe për një ngjarje makabër. Përballë trupit gjykues, i moshuari ka dashur të dalë “i larë”. “Nuk jam unë autori i vrasjes së Lilianës. Tre persona të tjerë erdhën në banesë me një makinë nga ora 1 e gjysmë e natës. Hynë në shtëpi dhe e vranë. Ata i prenë kokën dhe e morën me vete. Trupin ma lanë mua. Më kërcënuan që nëse nuk e fshihja, mund ta paguaja shtrenjtë”, ka deklaruar Gaqo Dumka para trupit gjykues. Në seancën e dhënies së masës së sigurimit personal, Dumka, i ditëlindjes 1927, ka dhënë këtë dëshmi duke dashur të mbrohet deri në fund. Siç mësohet nga burime të grupit hetimor, edhe gjatë qëndrimit në komisariat ai ka dhënë herë pas here këtë dëshmi. Por, ndonëse pranonte se e kishte copëtuar trupin për ta fshehur nga “kërcënimi” i personave të panjohur, këmbëngulte se nuk dinte asgjë për faktin e kokës së gruas. “Unë për vete e kam shpirtin të larë. Nuk bëhem kriminel kur po shkoj 90 vjeç”, ka pohuar ai me zërin e zbehur. Nga ana e saj, Policia e Korçës konfirmon se në asnjë moment nuk e kanë besuar këtë variant të Dumkës, pasi të gjitha provat dhe shenjat të çonin te emri i tij si autori i krimit. Gjithashtu dhe të tentativës për të zhdukur kufomën, edhe pse të vdekur. Sipas tyre, plaku, ende i aftë mendërisht dhe fizikisht, pavarësisht moshës, i kishte prerë kokën me sëpatë Lilianës kur ajo ishte në gjumë e më pas e kishte copëtuar në pjesë për të humbur gjurmët, duke arritur deri në prerje të organit gjenital. Por, ndërsa u gjetën pjesët e trupit të Lilianës, misteri i masakrës së natës së 11 gushtit mbeti te koka e saj, e cila nuk po gjendej edhe pas 6 ditësh kërkimi intensiv.
Pohimi i krimit para kokës së prerë
U desh zbulimi i shenjave të pjesës së kokës së viktimës fatkeqe, për ta vënë plakun para provave të forta. Nëndrejtori i Policisë së Korçës, Elidon Veizaj, pohoi dje se pak kohë pasi kishte përfunduar në burgun e Drenovës, bashkë me prokurorin e rimorën në pyetje 84-vjeçarin. Më pas e çuan atë në vendin ku u gjetën pjesë të kokës së viktimës, pak metra larg shtëpisë ku jetonin të dy deri të enjten e shkuar. Në ato momente, i moshuari, ndonëse i tronditur mbi rikthimin në një prej vendeve të fshehjes së krimit, nuk ka folur. I heshtur ai ka qëndruar për disa minuta, ndonëse nga ana e hetuesve iu bë e qartë se nuk kishte më dëshmi të mbante në këmbë alibinë e tij. Vetëm atëherë, 84-vjeçari ka hapur gojën duke treguar se ishte ai autori i vetëm i masakrës. “E bëra se më prishi paratë që kisha mbledhur prej vitesh. Më vodhi lekët e grumbulluara për varrimin tim dhe i prishi me të tjerët. Unë për kaq vite u përpoqa për gjithçka, e ndihmova dhe i jepja edhe lekë kur kishte nevojë, kurse ajo bridhte poshtë e lart. Nuk mund t’ia falja diçka të tillë. E durova sa nuk kishte ku të shkonte më. Isha njeriu më i afërt që kishte prej vitesh, por nuk mund të pranoja që ajo të bënte si donte dhe të shkonte me të tjerë”, ka treguar ai. “Ishte e padurueshme ta shihja teksa vinin makinat dhe e merrnin herë pas here”, rrëfeu plaku, duke konfirmuar edhe një herë se ishte bërë xheloz për daljet e saj me të tjerë. Në orët e pasdites, i moshuari është rikthyer në qelitë e burgut të Drenovës, në pritje se çfarë do të vendosë Drejtësia për fatin e tij.
6 dite
mbeti e pazbardhur masakra ndaj 42-vjeçares Liliana Arapi në qytetin e Korçës. Vetëm pas gjetjes dhe të pjesës së kokës, i moshuari rrëfeu krimin e plotë ndaj gruas me të cilën bashkëjetonte
300 mije
lekë, të përvetësuara nga ana e viktimës Arapi, janë bërë sebep për masakrimin e 42-vjeçares. Sipas plakut, nuk duronte dot që gruaja t’i harxhonte paratë me persona të tjerë që e merrnin çdo ditë
Akuza: Armët e krimit me shenjat e 84-vjeçarit
KORÇE – Vetëm e bija e 84-vjeçarit Dumka ka qenë familjari i pranishëm dje në sallën e gjyqit kur është dhënë masa e sigurisë për masakrën e Korçës. Ndërsa shoqërohej nga punonjësi i policisë për në kafazin e hekurt, të pranishmit e tjerë në sallë nuk e kanë besuar se pikërisht Gaqo Dumka, plaku që mezi ecte, ta kishte kryer masakrën. Organi i akuzës, mbështetur në prova dhe fakte bindëse, ka shprehur bindjen për autorësinë e masakrës nga ana e 84-vjeçarit dhe ka kërkuar lënien nën masën e sigurisë “arrest në burg” të Gaqo Dumkës. Prokuroria ka sjellë prova të njollave të gjakut, të cilat nisin prej oborrit të banesës ku jetonte Dumka dhe viktima e tij dhe që kanë vijuar më tej, në brendësi të banesës. Njolla ka pasur dhe në rrobat e autorit. Prova tjetër kanë qenë armët e krimit (sëpata dhe thika), me vërtetimin se i përkasin autorit dhe janë përdorur vetëm prej tij, dhe jo nga persona të tjerë. Në të njëjtën linjë ka qëndruar edhe avokati mbrojtës i Dumkës, i cili, ashtu sikundër prokurori i çështjes, nuk ka kundërshtuar lënien në burg të të moshuarit. Ai është zgjedhur për të mbrojtur autorin nga vajza e tij, por pa dhënë asnjë version për ngjarjen ka pranuar masën e kërkuar nga prokuroria. Vetë Gjykata e Shkallës së Parë në Korçë, pasi ka marrë në shqyrtim të gjitha provat dhe faktet që i janë vendosur para, ka vlerësuar si të arsyeshëm lënien në burg pa afat të 84–vjeçarit Gaqo Dumka.
Fqinjët treguan lëvizjet e Dumkës
Kanë qenë kontaktet e policisë me fqinjët ato që kanë dhënë orientimin për vendndodhjen e kokës. Pasi janë interesuar për vendet e frekuentuara prej të moshuarit, forcat e policisë i janë drejtuar edhe kësaj lulishteje ku kanë mundur të zbulojnë një pjesë të kokës. Pas gjetjes vetëm të flokëve, policia do të vazhdojë kërkimet po në të njëjtën zonë, edhe pse mundësitë për gjetjen e pjesëve të tjera, sipas tyre, janë të pakta. Dyshimet përsa u përket egërsirave përjashtojnë kafshët si qeni, pasi ata nuk e hanë mishin e njeriut, por ekziston mundësia e copëtimit nga egërsira të tjera si dhelpra apo ujqërit.
Nëna e Lilianës shembet mbi trupin e së bijës

Në të njëjtën kohë kur autori ishte vendosur para gjykatës, familjarët e Liliana Arapit i janë drejtuar Morgut të qytetit të Korçës për të tërhequr trupin e gjymtuar të 42-vjeçares. Ata e kanë marrë trupin e saj të mbyllur në arkivol, për ta përcjellë pa e parë për herë të fundit drejt banesës së fundit. Në Bilisht, në banesën ku varfëria dhe kushtet ekstreme të jetesës mbizotëronin, është vendosur edhe arkivoli me trupin e pajetë të gruas, ndërsa familjarët, mes dhimbjes së mortit, kanë kërkuar drejtësi. Tronditëse ka qenë kuja e nënës së 42-vjeçares. Bukurie Arapi kërkoi pas krimit se donte që të paktën të gjendej koka e prerë e së bijës, për ta përcjellë si të gjithë njerëzit në botën tjetër. Mes vajit të saj ajo ka qëndruar për disa orë mbi arkivolin e mbyllur të vajzës së saj. Ajo ka shprehur dhimbjen për vuajtjet me të cilat është përballur e bija gjatë gjithë jetës. Në fjalët e vajit, Bukuria shprehte se kushtet e vështira ekonomike ishin ato të cilat e kanë detyruar vajzën të largohet nga Bilishti drejt Korçës. “Të gjithë e dinim që ti bëje një punë të ndershme dhe siguroje të ardhurat për veten tënde, ndërsa të masakroi krimineli”, është shprehur ajo mes vajit dhe lotëve. Varrimi i 42-vjeçares është bërë rreth orës 13:00, ku arkivoli me trupin e gjymtuar është shoqëruar drejt banesës së fundit nga njerëzit më të afërt të viktimës, por nuk kanë munguar as fqinjët apo miq të familjes.
Familja s’e dinte për jetesën me Dumkën
Familja e Liliana Arapit e ka mësuar nga policia masakrën që i ndodhi Lilianës. Vetëm dy ditë pas gjetjes së pjesëve të trupit në vendin e grumbullimit të mbeturinave të Korçës, u mësua se bëhej fjalë për 42-vjeçaren e lindur në Bilisht. Ajo kishte rreth 2 vjet që ishte larguar nga shtëpia, por vetëm muajin e fundit, sipas nënës së saj, iu bë presion për t’u kthyer në shtëpi. “E detyruam që të kthehej sepse po dyshonim se Liliana nuk po ndante shtëpinë me ndonjë shoqe”, pohoi dy ditë pas krimit nëna e saj. Sipas saj, asnjë nuk e dinte se Liliana jetonte në një shtëpi me plakun Gaqo Dumka, vetëm një prej vajzave të saj, e cila e kishte mësuar së fundi.
Etapat e masakrës
12 Gusht
Gjenden në vendin e grumbullimit të mbeturinave të Korçës dy thasë plastmasi me gjymtyrë njeriu. Kërkuesit e kanaçeve zbuluan një prej thasëve me shenja gjaku dhe menjëherë lajmëruan policinë. Nga kontrollet në terren u zbulua dhe thesi i dytë. Nga bashkimi i pjesëve policia zbuloi se viktima e masakruar nuk kishte kokë.
13 Gusht
Zbulohet identiteti i viktimës. Policia konfirmon se bëhet fjalë për 42-vjeçaren Liliana Arapi nga Bilishti. Familjarët e saj nuk e takonin prej një muaji, por mbanin mend që Liliana kishte pasur të njëjtat rroba veshur, me të cilat kishte qenë në momentin e masakrimit. Shoqërohet në polici personi me të cilin bashkëjetonte.
14 Gusht
Arrestohet Gaqo Dumka, 84-vjeçari me të cilin kishte bashkëjetuar vitet e fundit Liliana Arapi. Gjenden në shtëpinë e tij një sopatë dhe thikë, me të cilat ishte kryer masakra dhe shenja gjaku nëpër ambientet e godinës së marrë me qira. Hidhen dyshimet për krim nga xhelozia. Autori nuk pranon të tregojë për kokën e viktimës.
17 Gusht
Policia zbulon me kërkimet e saj pjesë të kokës së viktimës Liliana Arapi. Në të njëjtën ditën, autori tenton të shpëtojë nga akuza, duke u shpallur i pafajshëm për masakrën në gjykatë. Por pas gjetjes së pjesës së kokës ai ka pranuar se krimin e ka kryer pasi viktima i kishte vjedhur paratë, ndonëse e kishte personin më të afërt.
KORÇE/ DHORJELA DEMKOLLI
© Panorama.al











