UPDATE- Nata në veriun e Kosovës ka kaluar relativisht e qetë. Në pjesën veriore të Kosovës edhe sot ka vijuar prania e njësiteve speciale të Kosovës në pikat kufitare Brnjak dhe Jarinjë, ndërsa nga ana tjetër gjatë tërë natës kanë vazhduar bllokadat e serbëve.Gjatë ditës së sotme pritet të ketë vendim të ri lidhur me zgjidhjen e situatës së krijuar në këtë zonë. Derisa mediat serbe duke u thirrur në deklaratat e zyrtarëve të Qeverisë serbe dhe liderëve lokal serb në veri se sot do të bëhet tërheqja e njësiteve speciale dhe do të zhbllokohen të gjitha akset rrugore në këtë zonë, nga Qeveria e Kosovës nuk konfirmojnë një gjë të tillë.
Popullata serbe e mbështetur edhe nga autoritetet e Beogradit mbrëmë ka barrikaduar rrugët në fshatin Rudar në komunën e Zveçanit, në vendkalimin Jarinjë si dhe në fshatin Zupç të Zubin Potokut.
Përfaqësuesi i serbëve lokalë, Kërstimir Pantiq, tha se serbët kanë kujdestaruar në barrikada, në pritje të, siç ka thënë, tërheqjes së njësisë speciale të Policisë së Kosovës nga Jarina dhe Bërnjaku.
“Sipas marrëveshjes, në orën 8 do të duhej të tërhiqej bllokada. Qytetarët do të vazhdojnë të monitorojnë situatën”, tha Pantiq për mediat serbe, cituar nga INA.
Kreu i delegacionit të Serbisë në bisedimet me Kosovën, Borisllav Stefanoviq, ka thënë se ka arritur marrëveshje me komandantin e KFOR-it, Erhard Byler, që deri sot në mëngjes, njësia speciale e Policisë së Kosovës të tërhiqet nga post-blloqet në veri.
Qeveria e Kosovës pritet që sot të vendos lidhur me masat e reja për vendosjen e rendit dhe kontrollit të kufijve në pjesën veriore. Kryeministri Hashim Thaçi deklaroi mbrëmë se vendimi kishte të bëjë me vendosjen e rendit dhe sundimit të ligjit në këtë zonë të shtetit të Kosovës. “Nuk mund të tolerojmë që veriu të jetë vrimë e zezë jo vetëm e Kosovës por edhe Evropës. Një pjesë e atdheut tonë nuk mund të përdoret për mallra të kontrabanduara”, ka theksuar Thaçi.
Zhvillimet e djeshme
lim provokimin.
“Qëllimi i vetëm, është vendosja e ligjit në tërë territorin e Kosovës”- tha Thaçi.
Vendimi i mbrëmshëm ka qenë jo i lehtë por i domosdoshëm. E rëndësishme që këto vendime të jenë të drejta, dhe unë jam i bindur që kemi marrë vendimin e duhur, shtoi ai.
Kryeministri falenderoi qytetarët në veri të Kosovës, që ruajtën qetësinë dhe qëndruan në shtëpitë e tyre, ndërsa ftoi që të njëjtën gjë të bëjnë edhe serbët që jetojnë në atë pjesë të vendit.
Sipas Thaçit, qeveria nuk mund të tolerojë që nje pjesë e territorit të jetë një vrimë e zezë, jo vetëm për Kosovën por për të gjithë Evropën. Ai tha se, qeveria e Kosovës beson tek dialogu, ndërsa i bëri thirrje edhe Beogradit për bashkëpunim.
“Unë ju ftoj për mirëkuptim, qetësi dhe gjakftohtësi. Nuk ka ndodhur asgjë e jashtëzakonshme. Jam i bindur që do të ia dalim”- iu drejtua Thaçi qytetarëve të Kosovës
Sulmi ka ndodhur në rrugën Kushtovë – Zubin Potok.
Polici është sjellë me një plumb në kokë në Qendrën Emergjente në Mitrovicë, ka konfirmuar për Express një mjek I qendrës spitalore.
Si pasojë e gjendjes së tij të vështirë shëndetësore, si është nisur me urgjencë drejt Qendrës Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë.
Burimi nuk specifikon se nga kush është dhënë urdhrin për tërheqje, por para dhënies së urdhrit është arritur një marrëveshje mes kryeministrit Hashim Thaçi dhe komandantit të KFOR-it, Erhard Byler. Po ashtu Byler ka zhvilluar një takim edhe me kreun e delegacionit serb në bisedime me Kosovën, Borko Stefanoviq.
Sipas marrëveshjes kontrollin kufitar në dy pikat do ta merr policia e rregullt e Kosovës dhe punonjësit doganor, ndërsa Stefanoviq ka garantuar se pas tërheqjes së Njësisë Speciale, serbët do të zhbllokojnë rrugët.
Terhiqen forcat speciale, vendoset KFOR-i
Aktualisht vijojnë negociatat midis përfaqësuesve të Prishtinës, NATO-s dhe Beogradit për gjetjen e një kompromisi. Qeveria e Kosovës nuk ka konfirmuar zyrtarisht këtë ndryshim të situatës në terren dhe ndërrimin e detyrave, ndërsa kryeministri Hashim Thaçi për pasdite ka paralajmëruar një deklaratë për mediat.
Një zëdhënës i NATO-s në Kosovë tha se aleanca ushtarake po përpiqet që të negociojë fundin e lëvizjes së befasishme në njësive speciale të policisë për të marrë kontrollin në dy pikat kufitare me Serbinë.
Arritja e një marrëveshje përfundimtare pritet pasdite, kur do të vijojnë takimet dhe negociatat midis palëve. Në Mitrovicë po qëndron kryeministri Hashim Thaçi, ministri i brendshëm, Bajram Rexhepi dhe ai i jashtëm, Enver Hoxhaj, ndërsa në pjesën veriore po qëndron edhe shefi i grupit negociator serb, Borislav Stefanoviq.
Zëdhënësi, Ralf Adametz, cituar nga INA, i ka thënë agjencisë Associate Press, se “aleanca është duke negociuar ngrirjen e aksionit të Qeverisë” për të marrë kontrollin në pikat kufitare 1 dhe 31, që gjenden në veri të Kosovës.
Policia e Kosovës ka ndërmarrë aksionin për të vënë nën kontroll këto pika kufitare, për të bërë kështu të mundur zbatimin e vendimit të ‘embargos’ ndaj mallrave të Serbisë.
Serbët lokal të mbështetur nga grupe paramilitare dhe kriminale kanë vijuar me bllokadat e rrugëve që shpiejnë në dy vendkalimet kufitare 31 në Bërnjak dhe 1 në Jarinjë.
“Është thelbësore tani që të qetësojmë situatën dhe të kthehemi aty ku ishim”, ka thënë zonja Kocijançiq, duke nënvizuar se misioni evropian për sundimin e ligjit, EULEX, është i gatshëm të ndihmojë autoritetet në Kosovë për ta bërë një gjë të këtillë.
“Duhet të kthehemi aty ku ishim, për të qetësuar situatën dhe për të vazhduar punën rreth dialogut”, ka thënë Kocijançiq, për Radion Evropa e Lirë, duke shprehur bindjen se çështja e vulave dhe tregëtisë duhet të zgjidhet nëpërmjet bisedimeve.
Ajo gjithashtu ka thënë se Bashkimi Evropian ka potencuar se as vendimi për embargon nuk ka qenë i dobishëm dhe se duhet dhënë mundësi dialogut.
“Kemi pritur se mund të ketë vështirësi. Por, situata është qetë. Tani është shtrirë sovraniteti, dhe ky është një hap shumë i rëndësishëm”, ka thënë Rexhepi.
Rexhepi për mediat lokale ka konfirmuar se për aksionin nuk ka pasur fare koordinim me EULEX-in, i cili është përgjegjës për kontrollin e pikave kufitare në veri, meqë autoritetet e Prishtinës, për shkak të kundërshtimit të serbëve lokalë, nuk kanë arritur të shtrijnë kontrollin atje.
Ai ka thënë se “situata është e tensionuar, por forcat e rendit janë të përmbajtura për të mos lejuar përshkallëzimin e saj”.
Në anën tjetër, lideri i serbëve lokalë të Mitrovicës , Radenko Nedeljkoviq ka konfirmuar se policia e Kosovës e ka marrë nën kontroll pikën kufitare në Bërnjak, apo porten 31.
Ndërkaq, edhe zyrtarët kosovarë kanë bërë më dije, se pika tjetër në Jarinë nuk është futur nën kontroll, ndërkaq që një turmë serbësh nga Zubin Potoku është nisur në drejtim të kësaj pike.
Aksioni i policisë vjen disa ditë pas vendimit të qeverisë për vendosjen e masave të reciprocitetit me Serbinë duke pamundësuar kështu hyrjen e mallrave serbe në Kosovë.
Por, vetë autoritetet kanë pranuar se ky vendim mund te sfidohet në pikat 1 dh 31, për shkak të moskontrollit te duhur të pikave kufitare.
“ Duhet të kuptohet se Kosova është një njësi territorial dhe ligjet vlejnë në krejt territorin. Nuk mund të ketë dy zona doganore. Vendimi është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Kemi shkuar atje për ta implementuar në tërësi vendimin për reciprocitetin,” ka thënë ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila.
Ivanoviq: Situata mund të eskalojë
Sekretari shtetëror në Ministrinë serbe për Kosovën, Oliver Ivanoviq ka paralajmëruar se situata në veri të Kosovës mund të “eskalojë”.
“Situata është mjaft e tensionuar, ai është një gjest i pamenduar për të cilën nuk ka asnjë shpjegim,” ka thënë Ivanoviq, duke komentuar vendimin e Prishtinës për dërgimin e njësive special të policisë në vendkalimet kufitare.
Ai tha se ka folur me përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare dhe se pret përgjigje nga KFOR-i dhe EULEX-it.
Ivanoviq tha se “tensioni kryesor pritet në mëngjes” dhe se ekziston rreziku që situata “të përshkallëzohet”.
Thaçi shkarkon Maliqin
Në anën tjetër, kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në mbështetje te Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ka marrë vendim që të shkarkojë Reshat Maliqin nga pozita e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës. Nuk janë dhënë detaje në lidhje me arsyen e shkarkimit. (Rel)











