
Një burrë ka alarmuar policinë serbe në rajonin e Novi Pazarit, me kërkesat për ndihmë për të luftuar një “djall”. Esa Vrujçanin thotë se në shtëpinë e tij është i pranishëm një djall, që po shkakton frikë dhe tension. Ngjarja është shndërruar në një prej temave kryesore në rajonin e Sanxhakut, qendra kulturore e boshnjakëve në Serbi, ku policia po patrullon prej dy ditësh para oborrit të shtëpisë në lagjen “Haxhet”. Sipas agjencisë INA, familja Vrujçanin ka kërkuar që qytetarët të largohen nga rrethinat e shtëpisë së tyre për çështje sigurie, derisa të largohet qenia e përshkruar si hije me një gjatësi dy metra, i mbuluar me rrobe të bardha dhe me fytyrë të padukshme. Në këtë shtëpi thuhet se janë tubuar imamë të njohur të Sanxhakut, si dhe nga Bosnja, të cilët po këndojnë ajete nga Kurani i shenjtë për të larguar djallin nga shtëpia. Shumë qytetarë kalojnë në rrugën e shtëpisë për kureshtje. Lagjja “Haxhet” gjendet në varrezat e myslimanëve të pushkatuar në vitet 1944-45. (INA)











