TIRANE – Pesë vajzat, të cilët u zhdukën gjashtë ditë më parë nga Qendra e Rehabilitimit të viktimave të Trafikut në Linzë, ende nuk janë gjetur nga policia, ndërkohë që forcat e rendit po kryejnë kërkime në disa zona të vendit. Nga verifikimet e kryera nëpërmjet sistemit “Tims” nëpër pikat e kalimit kufitar, nuk rezulton që ato të jenë larguar jashtë Shqipërisë. Sipas burimeve nga Policia e Tiranës, janë siguruar të dhëna operative që tregojnë se vajzat mund të jenë ende në kryeqytet, ku mund të jenë duke jetuar në ndonjë shtëpi apo mund të kenë filluar ndonjë punë ilegalë. Nga dëshmitë që janë marrë në qendrën e Linzës, rezulton se vajzat, të gjitha minorene, më përjashtim të vajzës nga Lezha, e cila është larguar bashkë me motrën e saj, ishin miqësuar me njëra-tjetrën gjatë qëndrimit aty prej rreth gjashtë muajsh. Nga deklarimet që kanë dhënë për hetuesit vajzat e tjera që ndodhen aktualisht në qendrën e Linzës, pesë të larguarat rezulton se kishin pakënaqësi në lidhje me kushtet dhe kishin shprehur herë pas here dëshirën për t’u larguar dhe për të filluar punë. Sipas Policisë kjo shpjegon edhe largimin e tyre në grup gjatë natës duke gdhirë dita e martë, largim që mund të jetë organizuar prej tyre, duke shmangur edhe rojet e sigurisë së qendrës. Nga të dhënat e siguruara për historitë e secilës prej tyre, rezulton se tre vajzat kanë qenë viktima të trafikut, ndërsa dy të tjera, motrat nga Lezha, R. Dodaj, 14 vjeç dhe D. Dodaj, 19 vjeç, janë viktima të incestit në familje. Mësohet se dy motrat janë strehuar në Linzë, pasi babai i tyre, Gj. Dodaj, i kishte dhunuar seksualisht, veprim të cilin ato e kanë denoncuar në Polici. Që prej këtij denoncimi, babai i tyre është shpallur në kërkim, ndërsa vajzat janë marrë në mbrojtje duke u strehuar në Qendrën e Rehabilitimit të Linzës. Ndërkohë që vajzat e tjera, J. Latifi dhe E. Dorozhanaj, dy 16-vjeçare nga Tirana, si dhe 15-vjeçarja K. Ferraj nga Burreli, rezultojnë të jenë vajza të trafikuara dhe të shfrytëzuara për prostitucion dhe që kanë arritur të largohen nga tutorët. Ky nuk është rasti i parë i largimit të vajzave nga qendra e rehabilitimit në Linzë, prej ku edhe më parë ka pasur largime të vajzave që ishin strehuar aty.











