Zbardhet skema e trafikut të 100 kilogramëve hashash nga Gjirokastra në Tiranë me një automjet që drejtohej nga një punonjës policie.
Sikur të mos mjaftonte një polic në timon, një automjet i dytë qëndronte pararojë, në krye të “eskortës”, duke njoftuar për çdo postbllok policie që mund të shfaqej në rrugë. Gjithçka zbardhet në vendimet gjyqësore që caktuan masën e sigurisë “arrest me burg” pak ditë më parë për tre persona të arrestuar më 12 shkurt nga operacioni policor i koduar “Depërtimi”, të akuzuar për “prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”. Punonjësi i Policisë, Bledar Danaj, si edhe dy të arrestuarit e tjerë, Arti Karoli dhe Fiqiri Kaso, kanë “rënë pre” e një blerjeje të simuluar të policisë. Sipas gjykatës, ata janë përgjuar dhe mbajtur nën vëzhgim gjatë gjithë veprimtarisë së paligjshme. Në vijim rrëfehet gjithë “rrugëtimi” i drogës, referuar vendimit të Gjykatës. INFILTRIMI
Nga informacionet e siguruara prej Policisë Gjyqësore dyshohet se shtetasi me emër “Irdi”, nga qyteti i Gjirokastrës, zhvillon aktivitet kriminal në fushën e prodhimit, mbajtjes dhe tregtimit të lëndës narkotike të llojit Cannabis sattiva. Ky shtetas e tregton këtë lëndë në sasi të mëdha mbi 100 kg, kryesisht në Tiranë, në bashkëpunim me persona të tjerë, me të cilët komunikon nëpërmjet numrit të telefonit celular 069xxxxx67. Ky numër është siguruar në rrugë operative nga Policia Gjyqësore. Prej lëndës së transportuar nga i dyshuari është siguruar një mostër, e cila, nga akti i ekspertimit kimik nr. 805, datë 30.01.2012, rezulton të jetë e llojit Cannabis sativa. Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë, mbi kërkesën e Policisë Gjyqësore, ka lëshuar autorizim për përdorimin e metodave speciale të hetimit, konkretisht atë të blerjes së simuluar. Ky veprim do të realizohej prej dy punonjësve të Policisë, të cilët do të paraqiteshin si blerës dhe do të përdornin numrin e telefonit celular 0696xxxxx72. Nëpërmjet vendimeve gjyqësore të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, është vendosur vleftësimi i ligjshëm i vendimeve të Prokurorisë për lejimin e përgjimit të menjëhershëm të numrave të telefonave celularë të specifikuar, si dhe zgjatja e këtyre përgjimeve për një afat 15 ditë secili. Po kështu, me vendimin nr. 17, datë 14.02.2012 të kësaj gjykate, është vendosur vleftësimi i ligjshëm i vendimit të Prokurorisë për lejimin e përgjimit të menjëhershëm të komunikimeve ambientale midis të arrestuarve Bledar Danaj, Fiqiri Kaso dhe Arti Karoli. PËRGJIMET
Nga transkriptimet e përgjimeve rezulton se, agjentët e Policisë Gjyqësore të infiltruar kanë rënë dakord me shtetasin Fiqiri Kaso që, më datë 12.02.2012 të sillte në Tiranë mbi 100 kg lëndë narkotike të llojit Cannabis sativa, e cila do të blihej me çmim 320 euro për kilogram. Sipas marrëveshjes, shtetasi Fiqiri Kaso është nisur nga Gjirokastra në datën 12.02.2012. Nga policia është mbajtur nën vëzhgim ky shtetas dhe ka rezultuar që ai të ketë lëvizur me mjetin tip “Benz” me targë AA 036 CG, i regjistruar në emër të tij. Mjeti është drejtuar nga një shtetas tjetër, ndërsa shtetasi Fiqiri Kaso ka qëndruar në vendin e pasagjerit. Gjatë gjithë rrugës, para këtij mjeti ka lëvizur mjeti tjetër tip “Audi A4” me targë TR 9169 P, në të cilin ndodhej vetëm drejtuesi i tij. Nga përgjimi i numrit të telefonit të shtetasit Fiqiri Kaso ka rezultuar që drejtuesi i mjetit tip “Audi” informonte në vazhdimësi për praninë e forcave të policisë gjatë rrugës dhe postblloqeve të ndryshme.
ARRESTIMI
Në dalje të autostradës “Tiranë- Durrës”, të dyja mjetet janë futur në Qendrën Tregtare Casa Italia, ku kanë parkuar ngjitur me njëritjetrin, në katin e dytë të parkimit të kësaj qendre. Më pas, të tre personat janë ulur në një lokal në katin e tretë, ku kanë qëndruar rreth 20 minuta. Ne momentin që kanë zbritur në katin e parë të qendrës, është realizuar kapja e tyre nga forcat e policisë që ishin duke kryer vëzhgimin. Nga policia është bërë identifikimi i këtyre personave dhe ka rezultuar që drejtuesi i mjetit tip “Audi” ishte shtetasi Arti Karoli, ndërsa shtetasi që udhëtonte me shtetasin Fiqiri Kaso, në mjetin tip “Benz”, ishte shtetasi Bledar Danaj, punonjës policie në Drejtorinë e Policisë së qarkut Gjirokastër.
DROGA
Nga kontrolli i mjetit tip “Benz”, në bagazhin e tij janë gjetur 95 pako të mbështjella me qese të tejdukshme, të cilat kishin lëndë në formë bime me ngjyrë jeshile, me karakteristikat e lëndës narkotike të llojit Cannabis sativa, në peshën 100 kg. Në kushtet e mësipërme, në datën 12.02.2012, ora 20:30, është realizuar arrestimi në flagrancë i shtetasit Bledar Danaj nga Policia Gjyqësore e Zyrës së Luftës Kundër Drogës, në Drejtorinë e Policisë së qarkut Tiranë. ARMAND BAJRAMI
© Panorama.al











