Polici, sherr me kosovarët për pazarin e prostitutave

Jul 27, 2011 | 13:49

Arjan Hoxha, oficeri i policisë i akuzuar për shfrytëzim prostitucioni,
është prangosur nga kolegët e tij pak pasi debatoi me pronarin e
një hoteli për “pazarin” e dy prostitutave. Debati, nëse çmimi do të ishte 150 apo 100 euro për aktin seksual të dy kosovarëve me dy vajzat, është
zhvilluar mes policit dhe pronarit të një hoteli në Durrës, ku prostitutat do të takonin dy klientë, shtetas kosovarë. Oficeri i policisë, Hoxha, nuk e ka menduar se veprimet e tij po vëzhgoheshin. Më parë, kolegët e tij
kishin marrë autorizim për t’i përgjuar thirrjet telefonike, si edhe ta mbanin në vëzhgim në ambientet publike. Detajet e ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e 17 korrikut zbardhen në vendimin e Gjykatës së Tiranës, që caktoi masën e sigurisë “arrest  me burg” ndaj Arjan Hoxhës pak ditë më parë. Sipas prokurorisë, Hoxha akuzohet për kryerjen e veprës penale të “shfrytëzimit
të prostitucionit në rrethana rënduese”. Procedimi penal ndaj tij ka nisur nga një kallëzim në Prokurori nga struktura e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm. Sipas vendimit të gjykatës, SHKB-ja në rrugë operative
kishte siguruar informacion se shtetasi Arjan Hoxha dyshohej se merrej me veprimtari kriminale të shfrytëzimit të prostitucionit përkundrejt
shpërblimit. Në vijim publikohen detajet e vëzhgimit ambiental dhe përgjimit të oficerit të policisë, referuar vendimit të gjykatës.

HETIMI
Më datë 16.07.2011, i arrestuari Arjan Hoxha është telefonuar nga shtetasi
S.M., i cili i kërkon që të gjente 4 shtetase për prostitucion. I arrestuari Arjan
Hoxha merr përsipër gjetjen e tyre dhe merrte kontakt me shtetasen Xh.H. dhe shtetasen E.B. Më pas, shtetasja E.B. zbret nga automjeti i shtetasit Arjan Hoxha dhe largohet. Pas kësaj, i arrestuari merr në telefon shtetasin
A.D., me të cilin takohet tek Ura e Tabakëve. Pas disa minutash, shtetasi A.D.
vjen me shtetasen M.T. dhe hipin në automjetin e drejtuar nga shtetasi Arjan Hoxha. Nga mbajtja nën vëzhgim e të arrestuarit, ai takohet me shtetasin S.M. dhe me dy automjetet nisen në drejtim të Golemit për tek hoteli, i quajtur
“On…”. Në këtë moment u bë kapja në flagrancë e tij dhe e shtetasve Xh.H. dhe
M.T., si dhe dy shtetasit Alban Q. dhe Ali S. (kosovarë), gjithashtu u shoqëruan pronari i hotelit A.L., kamerieri i hotelit L.K. dhe shtetasi
A.D., të cilët dhanë deklarimet rreth këtij fakti. Nga hetimi rezulton se iu
mor deklarim shtetasve kosovarë, të cilët deklaruan se kishin ardhur nga Kosova tek hotel “On…”, për të qëndruar dy ditë. Gjatë bisedës i kishin kërkuar pronarit të hotelit nëse kishte dy vajza për të kryer marrëdhënie
seksuale kundrejt pagesës, por ai kishte thënë se do të mundohej t’i gjente.
Nga hetimi rezulton se pronari i hotelit ka marrë përsipër gjetjen e tyre, nëpërmjet një shtetasi me emrin “B…”. Ky i fundit kishte marrë në telefon shtetasin S.M., i cili priste të arrestuarin Arjan Hoxha, për t’i gjetur disa
femra. I arrestuari rreth orës 01:30, mbërrin me automjetin e tij tip “Mercedes-Benz”, me tragë TR 9037 G, dhe me vete kishte shtetaset Xh.H.
dhe M.T. Me të mbërritur aty, i arrestuari merr kontakt me pronarin e hotelit A.L. I thotë që dy femrat duan nga 150 euro secila. Shtetasi A. i përgjigjet se dy shtetasit kosovarë nuk japin më shumë se 100 euro. Pas kësaj bisede,
dy shtetasit Alban Q. dhe Ali S. takohen me vajzat dhe ulen në tavolinë. Në këtë moment ndërhyn policia gjyqesore dhe bën kapjen në flagrancë të të arrestuarit Arjan Hoxha dhe shtetaseve Xh.H. dhe M.T.

Hetimi për policin
Ish-oficeri i Komisariatit Nr.3 të policisë së Tiranës u arrestua në Golem të Durrësit pranë një hoteli ku kishte shkuar për të dërguar dy vajzat,
që dyshohet se i ka shfrytëzuar si prostituta. Arrestimi u krye pas një hetimi disamujor ndaj oficerit nga ana e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm. Oficeri i policisë, rezultoi nga hetimet, se pas përfundimit të orarit zyrtar të punës, punonte  si taksist me një automjet me të cilin kryente edhe
lëvizjen e vajzave që shfrytëzoheshin si prostituta. Sipas hetimeve, oficeri i kishte rekrutuar vajzat dhe i shfrytëzonte ato duke marrë kërkesat
nga klientët dhe duke i çuar prostitutat në hotelet apo banesat e kërkuara. Transporti bëhej me automjetin që përdorej si taksi e palicencuar.

ARMAND BAJRAMI

© Panorama.al

Te lidhura