Dy oficerët e policisë, që u gjendën në vendin ku këngëtaret Rozana Radi dhe Rezarta Shkurta u përleshën fizikisht mbrëmjen e 5 dhjetorit 2005, vetëm pak sekonda pas sherrit kanë deklaruar se Rozana Radi ishte e dehur.Të pyetur për llogari të hetimit të konfliktit, për të cilin është vënë nën akuzë këngëtarja Shkurta, oficerët G.B dhe I.L. kanë rrëfyer detaje të momenteve fill pas sherrit. “Rozana ishte në gjendje të dehur dhe mezi e kontrollonte veten. Kjo dukej, jo vetëm nga veprimet, por edhe sepse i vinte era alkool”, ka deklaruar G.B. Sipas dy oficerëve të Patrullës së Përgjithshme, në fytyrën e asnjërës prej këngëtareve ata nuk kanë parë shenja dhune, përveç tualetit të prishur për shkak të të qarave. Po sipas policëve, Rozana Radi ka sharë Rezartën edhe në praninë e tyre. Më poshtë, vijon deklarimi i dhënë nga oficeri I.L. para oficerëve të policisë gjyqësore.
Deklarimi
Në orën 22.00 të datës 05.12.2010 deri në orën 06.00 të datës 06.12.2010, unë kam qenë me shërbim autopatrullë bashkë me kolegun tim G.B. Rreth orës 03.30 të datës 06.12.2010, unë me kolegun tim kemi qenë duke lëvizur gjatë patrullimit tek rruga nga rrotullimi (Liqeni i Tiranës) në drejtim të Saukut. Në segmentin kryesor të rrugës, përballë kompleksit “Fari” kemi vërejtur tre shtetas në mes të rrugës, dy nga të cilat femra dhe një mashkull, ku dy femrat po debatonin me zë të lartë me njëra-tjetrën. Ndërsa personi tjetër, që ishte mashkull ka qenë pasiv në një distancë 5-6 metra larg tyre. Shkuam menjëherë me makinë aty dhe njëra prej vajzave na doli përpara makinës, duke na kërkuar ndihmë. Zbritëm në tokë dhe u kërkuam identitetin e tyre. Nga prezantimi që na u bë, njëra quhej Rozana Radi dhe tjetra Rezarta Shkurta. Të dyja këto shtetase thanë se ishin këngëtare. Shtetësja Rozana Radi, duke bërtitur, na tha se Rezarta e kishte qëlluar me pëllëmbë në makinën e saj, ndërsa Rezarta thoshte se: “Unë erdha për t’u sqaruar, por Rozana ishte në gjendje të rëndë, më goditi dhe unë iu kundërpërgjigja për t’u mbrojtur”. Rozana gjatë kësaj kohe e shau rreth dy herë Rezartën, duke i thënë: “Do të shk*** robt. U bëre ti ku*** e mu***”. Rezarta nuk e shau Rozanën, por na thoshte se “Me këtë nuk flitet. E shikon si shan”. Ndërsa djali që ishte aty rrinte shumë pasiv dhe pothuajse nuk fliste fare. Rozana, me sa konstatova unë, ishte në gjendje të dehur dhe mezi e kontrollonte veten. Në një moment, djali që ishte aty u prezantua dhe tha se quhej Ermal Hoxha (bashkëshorti i Rezartës). Ai e thirri veç Rozanën dhe të dy së bashku hynë në makinën e Rozanës. Nuk e di se çfarë folën. Gjatë kohës që Rozana me Ermalin hipën në makinë, Rezarta na tha se e ka inatin me mua për shkak të votimeve që janë bërë në festival për mua, si dhe sepse Ermali e ka pasur të dashur Rozanën para rreth 15 vjetësh. Kur erdhën përsëri aty Ermali me Rozanën, pasi dolën nga makina e Rozanës, Ermali i kërkoi përsëri asaj që të uleshin dhe të flisnin për ta qetësuar. Rozana tha që nuk kishte gjë me të, por e kishte të gjithën me Rezartën. Në këto kushte, pas kërkesës së secilës palë për të bërë kallëzim penal ndaj njëra-tjetrën, ne u thamë që të shkonin në komisariat. Ermali me Rezartën ikën me makinën e vet në komisariat, ndërsa Rozana na kërkoi ne ta shoqëronim. Kjo, pasi nuk ishte në gjendje të mirë dhe nuk i jepte dot makinës. Gjatë transportimit të Rozanës në Komisariatin e Policisë Nr.1, Rozana komunikoi në telefon me motrën e saj dhe i tha të vinte në komisariat. Ne nuk vumë re shenja dhune në fytyrat e dy femrave respektive, Rozanës dhe Rezartës dhe as nuk pati ankesa prej tyre për ndonjë goditje dhe dhimbje në ndonjë vend të veçantë të trupit apo fytyrës. Të dyja këto shtetase ishin me tualet në fytyrat e tyre dhe të shkatërruara në dukje, për shkak të lotëve (pasi qanin). Ne, po të kishim vënë re shenja dhune apo po të kishim pasur ankesa nga ndonjë prej tyre për dhimbje apo dëmtim, do e kishim çuar në spital, pasi kështu procedohet në punën tonë si një detyrim. Kur shkuam në Komisariat, i lamë aty dhe u larguam. Ka vazhduar oficeri i rojës me procedurat e mëtejshme.
Fyerjet, dy këngëtaret akuzojnë njëra-tjetrën
TIRANE – Këngëtarja Rezarta Shkurta ka akuzuar kolegen e saj si shkaktare të konfliktit. Gjatë dëshmisë së saj në polici, Rezarta Shkurta është shprehur se “Rozana gjithmonë ka hedhur kunja në drejtimin tim”. Sipas saj, për shkak të lidhjes intime që bashkëshorti i saj, Ermal Hoxha, ka pasur me këngëtaren Radi 15 vjet më parë, marrëdhënia e saj me Radin ka qenë e pasinqertë. Por, sipas Shkurtës, ajo që i ka acaruar marrëdhëniet së tepërmi, kanë qenë mesazhet e shkëmbyera pas zënkës së tyre në programin televiziv kosovar “VIP shpia”. “Pas këtij momenti, marrëdhëniet mes nesh kanë qenë të ngrira, ku ne nuk kemi folur me njëra-tjetrën dhe ku Rozana vazhdonte të më ofendonte me shkrime nëpër gazeta dhe revista”, ka deklaruar në Prokurori pas ngjarjes Shkurta. “Më datë 3.12.2010, në emisionin ‘Zonë e lirë’ të gazetarit Arian Çani, Rozana Radi, që ishte e ftuar, ka thënë se unë i kisha kërkuar falje dhe se ajo nuk më njihte mirë. Unë u preka nga ky gjest, sidomos për faktin se e kisha uruar një javë më parë dhe i shkrova për këtë arsye me etikë një mesazh shumë normal në Facebook, duke i thënë: Pse gënjen? Më pas, edhe ajo më shkroi duke më ofenduar ‘po ik moj k*re’. Unë u ndjeva shumë e fyer nga kjo përgjigje e saj dhe nga nervozizmi i kam kthyer përgjigje”, ka thënë Rezarta. Nga ana tjetër, Rozana Radi është shprehur ndryshe. Pas konfliktit tek “Vip Shpia” dhe “pajtimit” ne Tv Klan, Rozana ka thënë se është konfliktuar me Rezarta Shkurtën. Pasi gjatë emisionit Çani më ka thënë: “Jeni pajtuar me atë vajzën që keni pasur probleme?” Unë i thashë po dhe gjithashtu se ajo më kishte kërkuar falje. I thashë Çanit se faljen e kam institucion. Pas këtij emisioni, në adresën time në Facebook më kanë mbërritur fyerje pa fund nga Rezarta Shkurta. Fyerjet nuk mund t’i them dot, pasi kanë qenë shumë të rënda. Do t’i paraqes më vonë nëse do të më duken të arsyeshme. E bllokova një adresë të saj dhe ajo filloi të shkruante në një adresë tjetër në drejtimin tim, po me fjalë të ndyra. Unë ia kam kthyer mesazhet, por nuk mbaj mend që ta kem sharë”, ka thënë Rozana Radi në dëshminë e saj.
“Rozanën e njoh prej 15 vitesh”
“Unë jam njohur me shtetasen Rezarta Shkurta që para 5 vitesh dhe kam rreth 3 vjet që jam martuar me të. Që prej 4 vitesh, ne jetojmë në të njëjtin apartament. Para rreth një viti, bashkëshortja ime, Rezarta Shkurta, ka pasur një konflikt me shtetasen Rozana Radi (unë Rozanën e njoh që prej rreth 15 vitesh)”, kështu është shprehur në dëshminë e tij Ermal Hoxha,, bashkëshorti i Rezarta Shkurtës, kur është marrë në pyetje në lidhje me konfliktin e së shoqes me Rozana Radin. Ky konflikt ka ndodhur në një emision të quajtur “VIP shpia”, që zhvillohej në Kosovë nga Televizioni 21, me sa mbaj mend (konflikte të vogla kanë pasur edhe më parë këto shtetase). Konflikti në këtë emision të drejtpërdrejtë ka lindur për gjëra kuzhine (në të gatuar). Ky konflikt ka agravuar po në emision, derisa Rozana e ka kërcënuar Rezartën tekstualisht: “Ç’të bëj se jemi në emision, se po të ishim jashtë, do ta kisha rregulluar unë”. Në këtë emision kanë qenë edhe shtetasit Kastro Ziso dhe disa artistë kosovarë. Mbas konfliktit në fjalë, Rezarta u largua me dëshirë nga emisioni. Këtu mbaron kjo histori e këtij momenti. Ndërsa më pas filluan thashethemet mes njëra-tjetrës, nëpërmjet shoqërive të përbashkëta (që kanë qenë artistë, por që unë nuk i mbaj mend), ku jo më tha kështu Rozana për ty, jo kështu më tha Rezarta për ty. Në këtë gjendje kanë vazhduar të ngrira marrëdhëniet mes këtyre dy këngëtareve derisa, pas Këngës Magjike 2010, në emisionin “E diela shqiptare”, Rezarta e ka uruar Rozanën për çmimin e marrë. Mbas rreth 2-3 ditësh, Rezarta me Rozanën kanë filluar të shkruajnë me njëra-tjetrën në Facebook. Unë nuk di se çfarë kanë shkruar konkretisht, pasi nuk e kam lexuar, por Rezarta më ka thënë se i kishte shkruar Rozana “do të shkarravis, dil tani të të takoj” etj të kësaj natyre. Këto episode të fundit kanë ndodhur vonë në darkën e datës 05.12.2010. Komunikimet mes tyre nuk e di nëse kanë filluar edhe më herët.
Armand Bajrami
© Panorama.al











