Sindikata e Punonjësve të Policisë së Shtetit padit në Gjykatë Këshillin e Ministrave dhe Ministrinë e Brendshme dhe kërkon anulimin e vendimit që kërkon kthimin e shpërblimeve të dhëna për punonjësit e administratës.Shkak i padisë është bërë një vendim i Këshillit të Ministrave i datës 2 korrik, i cili, sipas Sindikatës, u cenon interesat dhe të drejtat punonjësve të Policisë së Shtetit. Bëhet fjalë për VKM nr.472 “për disiplinimin e fondeve buxhetore për vitin 2011”, sipas të cilit punonjësit e administratës duhet të kthejnë mbrapsht shpërblimet e marra gjatë vitit 2011. Sindikata kërkon shfuqizimin e këtij vendimi, për efekt të faktit që ky VKM shtrin për punonjësit e policisë. Gjithashtu, Sindikata kërkon edhe pavlefshmërinë e urdhrit të ministrit të Brendshëm, rrjedhur nga VKM i mësipërm. Kërkesë-padia, ku në rolin e paditësit është Sindikata e Punonjësve të Policisë së Shtetit dhe në rolin e palës së paditur është Këshilli i Ministrave dhe Ministria e Brendshme, u depozitua në Gjykatën e Tiranës dy ditë më parë.
PADIA
Në padinë e dorëzuar në Gjykatë, Sindikata e Policisë kërkon shfuqizimin e VKM nr. 472, datë 2.7.2011 ‘Për disiplinimin e përdorimit të fondeve buxhetore për vitin 2011’ vetëm për efektet që shtrin mbi punonjësit e Policisë së Shtetit. Pavlefshmërinë e urdhrit nr. 350, datë 8.7.2011 të ministrit të Brendshëm ‘për disiplinimin e përdorimit të fondeve buxhetore dhe marrjen e disa masave në funksion të kufizimit dhe përdorimit me efektivitet të tyre’. Pezullimin e ekzekutimit të këtyre akteve administrativë deri në përfundim të gjykimit”, thuhej në objektin e kërkesë-padisë. Sipas Sindikatës së Policisë, të dyja këto akte cenojnë të drejtat e punonjësve të Policisë së Shtetit. “Me vendimin e Këshillit të Ministrave nr.472, datë 2.7.2011, objekt i këtij gjykimi, punonjësve të Policisë së Shtetit u merret shpërblimi i dhënë nga fondi i veçantë për rezultate të mira në punë, u merren pagesat për ditët e pushimit të pakryera për vitin 2010, u merren pagesat për orët e punës së kryer mbi kohën normale të punës”, thuhej në kërkesë-padi. Sipas padisë së nënshkruar nga përfaqësuesi i sindikatës, Sadedin Fishta, VKM-ja ishte në kundërshtim me nenet 15,17,19 të Kushtetutës, sepse kufizon të drejtat e punonjësve të Policisë, të fituara me ligj. “Ato mund të kufizohen vetëm me ligj për një interes publik, ose për mbrojtjen e të drejtave të të tjerëve. Sipas nenit 49 të Kushtetutës, të drejtat e ligjshme të fituara për mjet jetese me punë të ligjshme nuk mund të merren me një vendim qeverie”, thuhej në padi. Në të njëjtën padi, Sindikata e Punonjësve të Policisë kërkonte edhe shfuqizimin e urdhrit të ministrit. Sipas tyre, VKM nr. 472, datë 2.7.2011, nuk është botuar në Fletoren Zyrtare dhe kështu, nuk ka hyrë në fuqi si akt normativ, ndërkohë që ministri i Brendshëm ka dalë me një urdhër në zbatim të tij. “Ky urdhër i ministrit të Brendshëm është i pavlefshëm, pasi ka dalë në një datë, që nuk ka hyrë ende në fuqi Vendimi i Këshillit të Ministrave”, pohohej në padi. Në përfundim të padisë, përfaqësuesi i Sindikatës i kërkon Gjykatës së Tiranës shqyrtimin e saj dhe në fund pranimin.
VKM-ja që anuloi shpërblimet: Punonjësit të kthejnë paratë
TIRANE – Vendimi i Këshillit të Ministrave që “ndryshoi rregullat” mbi pagesën e pushimeve, si edhe anulimin e shpërblimev, u miratua në 2 korrik të këtij viti. Sipas VKM-së, “tkurren” në maksimum shpenzimet e administratës. Në pikën “c” të këtij vendimi kërkohet kthimi i shpërblimeve, të cilat kanë dalë nga fondi i veçantë. “Çdo shpërblim i dhënë nga fondi i veçantë gjatë kësaj periudhe për rezultate të mira në punë, me përjashtim të rasteve kur ligji specifik parashikon ndryshe, të kthehet menjëherë në buxhetin e njësisë shpenzuese”, thuhet në pikën “c” të VKM-së. Në pikën “ç” të të njëjtit VKM pohohet si do të veprohet me orët jashtë orarit. “Orët e punës, të kryera mbi kohën normale të punës, për punonjësit e administratës, të konvertohen vetëm në orë/ditë pushimi, ndërsa për punonjësit, që marrin pjesë në shërbime operacionale dhe kur nuk është i mundur konvertimi i tyre në orë/ditë pushimi, të konvertohen me pagesë, në përputhje me aktet në fuqi”, citon kjo pikë. Referuar një tjetër pike të vendimit të qeverisë, ndalohet pagesa e ditëve të pushimit vjetor të punonjësve të administratës të pakryera në vitin 2010 nga buxheti i vitit 2011. “Në buxhetin e vitit 2011 nuk do të lejohet asnjë pagesë për ditët e pushimit vjetor të pakryer në vitin 2010. Çdo pagesë e kryer për këtë qëllim të kthehet në buxhetin e njësisë shpenzuese dhe ditët e pushimit vjetor të vitit 2010 të riskedulohen, duke vendosur kryerjen e këtyre pushimeve brenda vitit 2011”, thuhej në pikën “d” të vendimit. ar.ba
Orët shtesë dhe shpërblimet, shteti në borxh me policët
TIRANE – Buxheti i shtetit është në borxh me efektivat e policisë për shpërblimet dhe orët shtesë. Prej vitesh, për shkak të shkurtimit të numrit të funksioneve organike në Policinë e Shtetit me ligjin e ri, por edhe për shkak të angazhimit të policisë në aktivitete të ndryshme, forcat e rendit kanë kryer orë pune shtesë për të cilat duhet të paguhen sipas ligjit. Në rastet e zgjedhjeve lokale, ditën e votimit dhe më pas, gjatë fushatës elektorale, në rastet e mitingjeve apo tubimeve të ndryshme, Policia e Shtetit kryen orë pune shtesë që duhet të paguhen nga shteti. E njëjta gjë ndodh për efektivat e policisë të angazhuar në ruajtjen e stadiumeve gjatë ndeshjeve sportive apo gjatë aktiviteteve artistike. Për shkak të problemeve financiare, policët gjithnjë i kanë marrë me muaj vonesë pagesat për orët shtesë të punës. Këtë vit, qeveria vendosi shpërblim për policët që ruajtën Kryeministrinë gjatë 21 janarit dhe KQZ-në gjatë numërimit të votave të gabuara, por megjithatë urdhri i Ministrisë së Financave ka anuluar edhe shpërblimet.
ARMAND BAJRAMI
© Panorama.al











