Policët në kërkim të banorit të zhurmshëm… ishte papagall

Jul 13, 2012 | 14:06

Policia britanike ka mbërritur në një banesë në Glasgou për të identifikuar dhe mbase arrestuar një banor të zhurmshëm, pas ankesave të shumta të fqinjëve, se të bërtiturat e sharjet në atë shtëpi nuk kishin fund. Por policët u shokuan kur zbuluan se kishin bërë gjithë atë rrugë për të “negociuar” me një papagall që dinte të shante. Zyrtarët shkuan në një adresë në Govan dhe gjetën Pepen, një papagall amazone kokëverdhë, i cili e kishte “pasuruar” fjalorin e tij që kur kishte nisur të jetonte me një shofer taksie. Zogu bërtiste pa pushim fraza si “taksi për rrugën Govan”, por edhe fraza më “të edukuara shoferësh”, sipas “Daily Telegraph”. Pronari i Pepes, , tha: “Ai kryesisht bërtet për të gjetur klientë, si ‘taksi për Govan’ apo ‘taksi për Lidëll’”. Taksisti shtoi se fillimisht atij i ishte thënë se papagalli nuk fliste shumë, por “tani më duket sikur jetoj në një zyrë prenotimesh taksish. Ndonjëherë Pepe përdor ndonjë gjuhë më ‘industriale’, por po i jap disa pika për ta qetësuar”, tha ai duke përcjellë kështu policët.

© Panorama.al

Te lidhura