Policët mbi peshë do të pushohen

Jul 4, 2011 | 11:15

Autoritetet ruse po përpiqen që të përmirësojnë imazhin e forcave të tyre të rendit, që me sa duket paskan rënë rehat. Deri në Kremlin ka shkuar zëri se policët janë kaq “rehat”, sa kanë shtuar kile me tepri dhe nuk janë në gjendje të vrapojnë as njëqind metra për të ndjekur ndonjë keqbërës. Kështu që u vendos: policët me kilogramë të tepërt së shpejti mund të humbin punën. Lajmin e dha ministri rus i Punëve të Brendshme, Rashid Nurgalijev, i cili udhëheq fushatën për zvogëlimin e numrit të policëve dhe përmirësimin e imazhit të forcave të rendit. Me moton “Policia në dietë”, ministri nuk i referohet aspak ndonjë pakete kursimi, po humbjes reale të kileve. “Policët e shëndoshë nuk do të arrijnë t’i kalojnë testet e reja, të cilave do t’u nënshtrohen për të treguar aftësitë për punë në polici”, tha Nurgalijev. Por, përfaqësuesi për media i kësaj ministrie, Oleg Jelnikov, theksoi se testet nuk kanë të bëjnë me peshën, por me aftësitë fizike të kandidatëve, a thua se nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën.

© Panorama.al

Te lidhura