
Tritol aktivitetit privat të ish-futbollistit të Pogradecit, Gjergj Leka. Shënjestra e shpërthimit ka qenë lokali dhe pika e internetit në pronësi të ish-futbollistit të ekipit të Pogradecit, Gjergj Leka, ndërsa motivi dyshohet të jetë një konflikt i vjetër mes pronarit dhe një grupi të rinjsh. Sipas të dhënave, konflikti ka nisur para dy vjetësh kur pronarit të lokalit dy të rinj nga qyteti i Pogradecit i kanë kërkuar një shumë të konsiderueshme lekësh, duke i ushtruar presion. Dhe pas denoncimit që ky i fundit ka bërë në polici, ata janë arrestuar. Pak ditë pas lirimit të tyre nga burgu, është regjistruar edhe shpërthimi i tritolit rreth orës 03:00 pas mesnate, duke vënë në rrezik edhe njëherë familjen. Sipas Lekës, e gjithë familja është kërcënuar edhe dhunuar, por pavarësisht denoncimeve që ai ka bërë, duket se instancat përkatëse nuk kanë marrë asnjë masë për t’i garantuar sigurinë familjes Leka. I shqetësuar nga këto dhunime të vazhdueshme ndaj tij, bashkëshortes dhe djalit të tij 22-vjeçar, ish-futbollisti ka kërcënuar me vetëgjyqësi.
Si ka nisur ky konflikt?
Rreth dy vite më parë, dy djem nga qyteti i Pogradecit më kanë kërkuar 4 mijë euro duke më kërcënuar. Unë nuk ua kam dhënë, ndaj për këtë arsye prej dy vitesh ata janë duke më përndjekur mua dhe familjen time.
Ju e keni denoncuar rastin?

Ne kemi dy vjet që vrapojmë lart e poshtë nëpër polici dhe asgjë nuk është bërë. Po përballemi çdo ditë me tmerrin e kërcënimeve. Çdo gjë bëhet në ditë me diell dhe askush nuk merr masa. Kam shkuar disa herë në Policinë e Pogradecit dhe dosja mbyllej, pavarësisht se unë merrja kërcënime. Më tej shkova në Policinë e Korçës dhe ata dy djemtë që më kërcënonin u dënuan për gjobëvënie. Këtu gjithçka mbulohet nga lart, se njëri nga ata është nipi i një prokuroreje dhe çështja mbyllet pa u hapur mirë, pa pyetur askush se çfarë po kalon familja ime.
Çfarë ka ndodhur gjatë këtyre dy viteve?
Më kanë kërcënuar nëpër rrugët e qytetit, të gjitha po bien mbi kurrizin e djalit tim 22-vjeçar. Atë e kanë rrahur, e kanë plagosur me thikë i kanë fyer të dashurën në mes të qytetit. Madje, një herë e kanë marrë një grup personash dhe nën kërcënimin e thikës e kanë zhveshur e rrahur në gjithë trupin, i morën nga qafa varësen. Është një krim i vërtetë.
Po shpërthimin e dëgjuat?
Po si nuk e dëgjuam?! U terrorizuam të gjithë, sepse ishim në gjumë. Banesën e kam sipër lokalit dhe për momentin nuk po kuptonim se çfarë ndodhi. Kur zbritëm dhe pamë dyqanin të gjithë të shkatërruar. Janë rreth 16 xhama të shkatërruar, tavolinat, gjithçka. Nuk po gjej mbështetje askund.
Çfarë do të bëni tani?
Kur shteti nuk gjen zgjidhje, do ta gjej vetë. Do mbyll sytë dhe nuk dua t’ia di më, do bëj vetëgjyqësi. Ky tmerr që po përjeton familja ime nuk mund të zgjasë më. Kur pas autorëve fshihen emra të mëdhenj që i mbulojnë krimet, asgjë tjetër veç vetëgjyqësisë nuk mbetet.
Shoqërimet
Policia e Pogradecit, nisur nga ngjarja dhe dëshmitë e familjes Leka, ka shoqëruar 7 persona në lidhje me shpërthimin e lëndës plasëse. Sipas burimeve të Komisariatit të qytetit bëhet e ditur se po hetohet pozicioni i tyre, bazuar dhe në gjurmët e gjetura në vendin e ngjarjes.
POGRADEC/ DHORJELA DEMKOLLI
© Panorama.al











