Pogradec, atentat djalit të ish-shefit të shtabit të PS

Aug 17, 2011 | 11:05

POGRADEC – Djali i ish-shefit të shtabit të PS-së për zgjedhjet e 8 majit në qytetin e Pogradecit është bërë shënjestër atentatesh për herën e dytë brenda pak muajsh. Dy të rinj janë tentuar të vriten mbrëmjen e së hënës në qytetin e Pogradecit, njëri prej të cilëve është Brian Syzo. Ngjarja është regjistruar në Lagjen Nr. 3 të qytetit, në afërsi të xhamisë, pas një grindjeje mes një grupi të rinjsh. Pesë persona, mes të cilëve një i ri nga qyteti i Vlorës, janë konfliktuar me Brian Syzon dhe Markel Hafesllarin nga qyteti i Pogradecit. Policia tha se në vendngjarje u gjet një gëzhojë e kalibrit 7.62 mm, një fishek i këtij kalibri si dhe një makine tip “Audi” me targa DY 340 TT në pronësi të shtetasit Elidon Skëndaj. Grindja mes të rinjve ka lindur për motive të rëndomta, ndërsa ka përfunduar me grushte dhe të shtëna armësh.  Fatmirësisht, edhe pse Elidon Skëndaj ka qëlluar në drejtim të Syzos dhe mikut të tij, plumbi nuk ka prekur asnjërin duke mos shënuar të lënduar. Pas arrestimit të 24-vjeçarit Skëndaj, policia ka shpallur në kërkim edhe 4 bashkëpunëtorët e tjerë: Ergerta Çami, 22 vjeçe, Andrea Çami, 38 vjec, Ferdinand Çami 33 vjeç, dhe Krenar Hanko, 20 vjeç. Në muajin prill, qyteti i Pogradecit u trondit si pasojë e një sasie tritoli të vendosur në banesën ku jetonin prindërit e Brian Syzo në Lagjen Nr. 1 të qytetit. Fatmirësisht shpërthimi nuk shënoi të lënduar në njerëz, ndërsa dëmet materiale ishin të konsiderueshme.                                                         dh.d

© Panorama.al

Te lidhura