Podrimja, një zë tokësor dhe qiellor

Aug 5, 2012 | 12:41

ALI ALIU

Një popull që lind poetë si Ali Podrimja, poetë përmasash universale, është popull i bekuar. Për gjysmë shekulli, ne, shqiptarët, u mësuam ta ndiejmë poezinë e Aliut si një bashkë-ëndërrim, si një bashkë-mendim, si një zë thellësisht tronditës, të mprehtë, të qëndrueshëm, bartës të dhembjes së të gjithëve, si një melodi të përsosur që gjithnjë është aty kur na duhet dhe na shoqëron pa e kërkuar. Të mëdhenjtë si Ali Podrimja, që e arrijnë këtë prani të natyrshme, të vetvetishme, në jetën e një kombi, kur ndahen nga ne, nga kjo botë, humbja përjetohet si gjëmë, si një terr, si zbrazëti e pangushëllueshme. I tillë, goditës, na erdh lajmi i kobshëm për Aliun.
Tërë vepra letrare e Ali Podrimjes ka qenë Kosovë dhe me Kosovën: “ëndërr dhe zhgjëndërr, dhembje e madhe dhe etje e pashuar”. Edhe kryevepra e tij dhe e poezisë shqipe, Lum Lumi, edhe fati i Lum Podrimjes është një dhe i pandarë me fatin e Kosovës. E tillë u ngjiz bërthama poetike e tij që nga hapat e parë, qëkur solli në jetë këngët të frymëzuara për Kosovën, ciklin e poezive “Gjaku im që nuk falet”, dhe poemthën “Hija e tokës” që, me gjuhën moderne poetike, të shkarkuar nga çdo nuancë patosi, artikuloi maja të pakalueshme në poezinë shqipe të gjysmës se dytë të shekullit njëzet.
Kosova në poezinë e Ali Podrimjes është metaforë për Arbërinë, për “shumë Shqipëritë”, që do të jetë vizioni më i dhimbshëm dhe do t’i sillet rrotull poetit si ankth e shpresë, si ëndrra që thotë “më kërko në zhgjëndërr”. Arti poetik i Ali Podrimjes është një shpirt i shqetësuar, një mendje në kërkim të përhershëm të lirisë, në kërkim të Kosovës “të pesë Shqipërive”. Në këtë kërkim dramatik ka bredhur me vargjet e veta edhe nëpër botë, është frymëzuar nga vlerat e saj, dhe Europa e kulturës e ka mirëpritur dhe mirëkuptuar poezinë e tij si të asnjë poeti tjetër shqiptar.
Paraqitja meteorike dhe fillimet e Ali Podrimjes në moshë fare të re me talent të jashtëzakonshëm,  me një mendim të lirë dhe ligjërim ironik, të shkarkuar nga çdo skemë, ishte befasi për një kohë dhe mjedis ideologjikisht të ngarkuar dhe me jetë të ndrydhur kulturore, por, njëkohësisht ishte  edhe ringjallje dhe vazhdimësi e frymës deradiane dhe naimiane, që e kishte artikuluar vizionin për Shqipërinë eterne, për përjetësinë e qenies kombëtare.
Poetët e këtij formati, që besojnë dhe kanë ndjenjën se janë të paracaktuar t’i thonë metaforat e vërteta dhe ta zbulojnë të vërtetën e njerëzimit, ecin më shpejt se historia, e transcedentojnë realitetin dhe kalojnë superiorë në bregun e asaj ane. Poetët e këtillë i ngelin besnikë deri në fund universit të vet etik dhe jetojnë pa ndërprerë me iluzionin e përtërirë edhe atëherë kur janë në gjendje ta njohin dhe ta ndiejnë çmimin e madh të disfatës dhe të flijimit. “Na pate, apo të kishim?” – ia shtron pyetjen hamletiane Aliu Kosovës.
I duhej dhe i duhet botës ky zë, tokësor dhe qiellor, ky zë lirie, për të sfiduar një nënqiell robërie. I duhet njerëzimit kjo këngë tronditëse, e të vërtetave të mëdha, këngë thellësisht njerëzore, e njeriut të paepur në betejat e pasosura të jetës. Këtë rrugë të përjetshme, duke sfiduar të keqen dhe për fisnikërimin e botës, shqiptare dhe njerëzore, do ta vazhdojë fjala jetëdhenëse e Aliut tonë të madh, me të cilën do të frymëzohen brez pas brezi shqiptarët. Prandaj le t’i urojmë prehje në tokën e vet të Kosovës dhe t’i shprehim ngushëllim familjes Podrimja dhe të gjithë të pikëlluarve.

© Panorama.al

Te lidhura