Një nxënës i vitit të katërt në gjimnazin “Ismail Qemali” u plagos mëngjesin e djeshëm në një rrugicë disa metra larg shkollës në Tiranë. Autori i dyshuar i ngjarjes, tashmë i identifikuar nga policia, është një nxënës i vitit të dytë në të njëjtin gjimnaz. Ngjarja ndodhi rreth orës 11:30, pas një konflikti që dy adoleshentët kishin pasur dy ditë më parë, i cili ka rinisur dje në një nga lokalet përballë gjimnazit. Burime nga policia thanë se i plagosuri është 18-vjeçari Reli Qoshja, i cili ka marrë një plagë në gishtin e dorës së djathtë dhe i njëjti plumb i ka shkaktuar edhe një plagë në kokë. Fatmirësisht plumbi i ka kaluar tangent në kokë, duke i shkaktuar një gërvishtje, pa i rrezikuar jetën. Ndërsa autori i ngjarjes, që sipas Policisë është 16-vjeçari B. Prenga, nga Mirdita dhe banues në Tiranë, menjëherë pas ngjarjes është larguar dhe është shpallur në kërkim nga policia e kryeqytetit. I plagosuri është transportuar me urgjencë në Spitalin Ushtarak, ku pas kujdesit të mjekëve e ka kaluar rrezikun për jetën. Efektivat e Komisariatit Nr.1 kanë shkuar menjëherë pranë shkollës dhe kanë bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes dhe nga dëshmitarët kanë identifikuar autorin.
KONFLIKTI DHE PLAGOSJA
Policia tha se nga deklarimet e dëshmitarëve dhe hetimet e kryera nga policia, rezulton që plagosja e djeshme pranë gjimnazit “Ismail Qemali” e ka zanafillën nga një sherr mes dy nxënësve një ditë më përpara (të enjten). Sipas dëshmive të nxënësve, që njihnin edhe të plagosurin, edhe autorin, mes Reli Qoshjes dhe B. Prengës ka pasur një konflikt një ditë para plagosjes, që ka nisur me fjalët “pse me sheh…?”. Por, para se të arrinin deri këtu, ata kanë pasur inate të mëparshme me njëri-tjetrin për një vajzë që e pëlqenin të dy. Nxënësit kanë deklaruar në polici se i plagosuri, bashkë me shokët e tij, kanë rrahur nxënësin e vitit të dytë një ditë para ngjarjes. Për këtë arsye ai dje ka shkuar i armatosur me një pistoletë që ende nuk është sqaruar se ku e kishte marrë. Por Prenga dje nuk është futur fare në shkollë për të bërë mësim. Ai ka pritur në lokalin përballë shkollës, pranë të cilit ndodhi edhe ngjarja, derisa Qoshja është ulur aty gjatë pushimit të gjatë. Sapo janë përballur me njëri-tjetrin, ata kanë nisur të njëjtin konflikt dhe më pas sherri është zhvendosur jashtë lokalit, në rrugicën në anë të tij. Fillimisht ata e kanë shtyrë njëri-tjetrin, derisa në një moment, 16-vjeçari Prenga ka nxjerrë nga brezi pistoletën dhe ia ka drejtuar maturantit Qoshja. I trembur nga arma e zjarrit, 18-vjeçari ka nxjerrë para tytës së pistoletës dorën e djathtë dhe në atë moment Prenga e ka shkrepur armën. Në këtë mënyrë, i njëjti plumb që ka goditur gishtin e dorës, i ka kaluar edhe në anë të kokës, duke i shkaktuar një plagë, që fatmirësisht nuk përbënte rrezik për jetën e adoleshentit.
ETLEVA DELIA
© Panorama.al











