
SARANDE/ Dyshohet xhelozia. Viktima u qëllua në mëngjes kur po milte lopën.
Plumb pas koke gruas teksa milte lopën, vetëvritet me të njëjtën armë i moshuari. Krimi i rëndë brenda familjes ndodhi në fshatin Berdenesh, 3 km larg Sarandës. Rreth orës 05:30, në sallën operative ka telefonuar një shtetas, i identifikuar si Ismail Lelaj, i cili vuri në dijeni policinë se kishte vrarë gruan. Telefonata ka vënë në alarm policinë, e cila u nis drejt vendit që kishte përshkruar telefonuesi. Blutë e gjetën ende në jetë dhe të mbuluar në gjak trupin e 72-vjeçarit Ismail Lelaj, të cilin e nisën menjëherë drejt spitalit të Sarandës. Pak metra më poshtë, në oborrin e shtëpisë, gjetën të pajetë Thëllëza Lelaj (Ruko), 55-vjeçe. Teksa ekspertët kriminalistë kishin nisur këqyrjen e vendit, ata u sinjalizuan nga spitali se edhe i plagosuri kishte ndërruar jetë. Nga hetimet e kryera, rezultoi se ngjarja ka ndodhur kur viktima ka dalë në oborr për të mjelë lopët. Bashkëshorti i saj, Ismaili, ka marrë një armë zjarri, pistoletë “TT” të cilën e mbante pa leje, dhe e ka qëlluar atë me një plumb pas koke, duke e lënë të vdekur në vend. Kur ka parë gruan të mbuluar në gjak, në kushtet e tronditjes së fortë, 72-vjeçari Ismail Lelaj ka njoftuar policinë. “Kam vrarë gruan”. Kështu mësohet të ketë thënë i moshuari në polici, para se të vetëqëllohej me një plumb në ballë. Plaga tejshpuese nuk i ka shkaktuar atij vdekjen e menjëhershme. Por, edhe pse ka qenë gjallë në momentin e mbërritjes së policisë, ai nuk ka mundur të thotë asnjë fjalë.

Ismail Lelaj jetonte prej 17 vitesh në Berdenesh të Sarandës. 72-vjeçari nga Gorishti i Vlorës kishte 15 vjet i martuar me Thëllëza Rukon nga Salaria e Tepelenës. Të dy ishin lidhur pas një martese të mëparshme. Nga martesa e parë, Thëllëza kishte tre fëmijë, dy vajza e një djalë, të martuar, emigrantë në Greqi. Ndërkohë që Ismaili, as nga martesa e parë e as nga e dyta nuk kishte fëmijë. Fqinjë të viktimave janë shprehur për grupin e hetimit se çifti Lelaj kohët e fundit ka pasur marrëdhënie të acaruara dhe tensione për shkaqe ende të paqarta. Ata nuk kishin probleme ekonomike, jetonin me të ardhurat nga bujqësia e blegtoria. Paraprakisht, policia dyshon se mes çiftit mund të ketë pasur ndonjë konflikt xhelozie që mund të ketë ndikuar deri në krimin e rëndë. Ismaili, edhe pse invalid me një dorë, ishte çoban, ndërsa bashkëshortja shiste qumështin e nënproduktet e tij në qytet. Banesa ishte e mobiluar me gjithçka duhej brenda saj. Në oborr ndodhej edhe një makinë, të cilën e përdorte vetë Thëllëza kur vinte në qytet. Vëllezërit e saj, të ardhur nga Tepelena, kanë rënë dakord me familjarët e Ismail Lelajt që të marrnin trupin e motrës së tyre për t’i kryer shërbimet mortore në shtëpinë e tyre në fshatin Salari.
Vëllai: Çifti nuk kishte mosmarrëveshje
Kujtimi, vëllai i autorit të ngjarjes, 73 vjeç, u shpreh se vëllai i tij, më i vogël se ai, ishte punëtor dhe i qetë. “Ishte në punë të vet. Nuk di të kenë pasur ndonjë mosmarrëveshje me njëri-tjetrin si bashkëshortë”, tha ai. Djali i gruas së viktimës po ndërtonte shtëpi pranë së tyres dhe vëllai e kishte pranuar me gjithë dëshirë, duke thënë që gruaja të ketë njeri pranë kur të plaket. “Më kërkuan vëllezërit e kunatës sime që ta merrnin trupin e motrës për ta varrosur në fshatin e tyre në Salari. U thashë të bënin si të donin, ishte e drejta e tyre”.
NIPI
Nipi i 72–vjeçarit, Lavdosh Lelaj, u shpreh i habitur për ngjarjen. “Xhaxhai ishte invalid, pasi kishte një krah të prerë, e megjithatë tërë ditën merrej me kullotjen e lopëve të tij. Qumështin e shisnin në Sarandë. Më xhaxheshën kalonin mirë. Jo më larg se pasditen e së mërkurës kam qenë me të në një lokal, se ai e frekuentonte shpesh dhe luajtëm letra”, u shpreh ai.
SARANDE/ SHPRESA DINE
© Panorama.al











