Kreu i Legalitetit, Ekrem Spahia, reagon pas intervistës së Van den Dool.
Spahia: Van den Dool i papërshtatshëm, të largohet nga Shqipëria.
Kryetari i PLL-së, Ekrem Spahia, i kërkon qeverisë që të shpallë “non grata” ambasadorin holandez në Tiranë, Henk G. C. van den Dool, pas deklaratës fyese të këtij të fundit në adresë të zv.ministrit të Mbrojtjes. Në një konferencë për shtyp lidhur me debatin mbi homoseksualizmin në Shqipëri, Spahia kërkoi gjithashtu që diplomati holandez të largohet nga vendi. “Etiketimi që ambasadori i Holandës u bëri deputetëve dhe zyrtarëve të lartë shqiptar mu në vendin ku shërben, është një incident i rëndë diplomatik dhe fyerje e dinjitetit të shtetit dhe institucioneve, që nuk mund të tolerohet. Prandaj, Partia Lëvizja e Legalitetit kërkon që ambasadori aktual holandez të shpallët person i padëshirueshëm (non grata) dhe të largohet nga Shqipëria”, u shpreh Spahia.
Pak ditë më parë ambasadori e quajti injorant kreun e PLL-së, pas deklaratës së këtij të fundit se në paradën e 17 majit homoseksualëve u duhet hyrë me dru. “Veçojmë qëndrimet e ambasadorit të Holandës në Tiranë, Henk G. C. van den Dool, i cili më shumë se çdo gjë po shqetësohet për hallin e homoseksualëve. Është e drejta e ambasadorit që të shprehet për çështje që e prekin personalisht, por ai nuk duhet të dalë jashtë rolit dhe statusit diplomatik e të lëshojë fyerje ndaj deputeteve dhe zyrtarëve të vendit ku shërben, siç bëri në një intervistë televizive. Ne asnjëherë nuk e kemi dëgjuar ambasadorin e Holandës që të flasë për cenimin e votës së lirë si e drejta themelore në demokraci”, u shpreh më tej Spahia gjatë konferencës së djeshme. Ndonëse nuk përmendi emra, kreu i PLL-së kritikoi edhe qëndrimin e politikanëve që kanë dalë pro kësaj lëvizjeje. “Qëndrimi mospranues i PLL ndaj homoseksualizmit buron prej parimeve tona dhe ne e mbajmë këtë qëndrim duke pranuar pa asnjë hezitim kostot tona. Para se të mendojmë për pushtetin apo shijen që mund të lëmë në korridoret e ndonjë kancelarie, ne u qëndrojmë besnikë bindjeve tona dhe interesave afatgjata të qytetarëve shqiptarë”, theksoi më tej zv.ministri i Mbrojtjes.
“Berisha të shkarkojë Spahinë” LGBT: PLL të shpallet antikushtetuese
Kristi Pinderi
Komuniteti gay në Tiranë po përgatit dokumentacionin për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese ku të shpallë si parti antikushtetuese PLL-në. Në një deklaratë për shtyp në emër të Aleancës dhe Pro LGBT, Kristi Pinderi tha se “avokatët tanë kanë një dosje dhe një kërkesë për Gjykatën Kushtetuese për të kërkuar shpalljen e Partisë Lëvizja për Legalitet si një parti antikushtetuese. Ne i bëjmë thirrje të hapur Kryeministrit Sali Berisha që ta shkarkojë menjëherë këtë zëvendësministër të paaftë për të kuptuar as parimet bazë të demokracisë (të diplomacisë jo e jo), ndërkohë që jemi duke pritur përfundimin e hetimeve nga ana e Prokurorisë, pas kallëzimit penal që Aleanca Kundër Diskriminimit dhe Pro LGBT kanë bërë kundër z. Spahia”. Komuniteti gay bëri të ditur se do t’i vazhdojë sipas planit të gjitha aktivitetet që ka parashikuar dy ditët e ardhshme.