Plazhit i hiqet njolla, nga sot pastrohet prej fekaleve

Jul 3, 2011 | 9:13
Ministri Mediu dje në Durrës

Plazhi i Durrësit, që nis tek Ura e Dajlanit dhe përfundon në Spille, duke përfshirë këtu bregdetin e Shkëmbit të Kavajës, Malit të Robit e Golemin, është tërësisht i pastër.Një ditë më parë, ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu, Agjencia Rajonale e Mjedisit, komunat Rrashbull e Golem, si dhe biznesi në buzë të detit, kanë ndjekur nga afër mënyrën e funksionimit të filtrave mekanike që bllokojnë derdhjen e ujërave të zeza në det. Janë pesë pika në të cilat janë vendosur këto filtra që sigurojnë sterilitet të plotë të ujit që rrjedh nga kanali drejt rërës. Filtrat janë vendosur në kanalin e madh në Plepa, që derdhte sasi të mëdha fekalesh në det, te vendi i quajtur Konvaleshenca e Ministrisë së Brendshme, Përroi Agait, e deri te rajoni i Policisë së Golemit dhe te kanali në pishat e buta në Golem. Projekti i vendosjes së filtrave është për një periudhë 3-mujore, duke garantuar sterilitet të plotë të ujit që derdhet në det, duke shmangur 100 për qind ndotjen nga fekalet që grumbullojnë kanalet. Shmangia e ndotjes është bërë përmes veprimeve shumë të thjeshta dhe mekanike. Inxhinieri kimist, Maksi Sallabanda, ka treguar se fillimisht në kanal vendoset një pritë me zhavorr e rrjetë, e cila bllokon copat e fekaleve për të depërtuar në kanal. Pas këtij filtri, me anë të një tubacioni që përshkon kanalin dhe që është i shpuar në disa vende, pulson solucion kimik me përbërës hipoklorit natriumi, acid klorhidrik, sulfat alumini dhe ujë. Kjo tretësirë e përzier vendoset në dy depozita, bova të mëdha. Secila prej tyre mban 2300 litra solucion dhe specialistët thonë se ato ndërrohen një herë në muaj. Përzierja kryen funksionin e plotë të pastrimit, sterilitetit të ujit që rrjedh drejt detit. Inxhinieri Sallabanda ka thënë se pastërtia e ujit matet me aparatura dhe se limiti i lejuar është 0.5 për qind. Produkti që del, pasi i nënshtrohet solucionit, është tërësisht i pastër dhe i garantuar, pa ngarkesë biologjike, duke i dhënë për herë të parë zgjidhje shmangies së ndotjes nga fekalet bregdetit të Durrësit. Prej 20 vitesh janë përdorur metoda nga më të ndryshmet, ndërsa tani gjithçka ka marrë udhën e zgjidhjes. Një projekt i tillë është cilësuar nga ministri Mediu si hap konkret drejt garantimit të plotë të pastërtisë së ujit të detit. Depozitat kanë secila nga 2300 litra përzierje kimikate dhe ato funksionojnë pa ndërprerje për 24 orë në sajë të pranisë së një inspektori të firmës sipërmarrëse të zbatimit të projektit, si dhe një personi të paguar nga komuna. Çdo ditë, në pikën fundore të derdhjes së ujërave në det merren mostra dhe i nënshtrohen analizës. “Nëse do të ndodhë që treguesit do të jenë më shumë se 0.5 për qind, atëherë shtohet doza e solucionit”, ka thënë inxhinieri kimist, Sallabanda. Indikatori që mat sterilitetin apo ngarkesën e produktit që del nga filtri mekanik është i certifikuar dhe i mirëkolauduar. Depozitat janë vendosur mbi masivin e çakullit dhe ruhen pa ndërprerje, ndërsa specialistët thonë se për të pastruar plotësisht ujin që rrjedh për në det mjaftojnë dy ditë përpunim me solucionin e gatuar enkas në laborator. Nga ana tjetër, indikatori i klorinimit të ujit, pasi kampioni është futur në epruvetë për të matur ngarkesën biologjike, kërkon vetëm 2 minuta kohë. Specialistët tregojnë se në rastin e provës uji duhet të marrë ngjyrë të verdhë, duke dëshmuar kështu funksionimin e formulës, e cila ka shpëtuar bregdetin nga ndotja.

Pushuesit

Në bregdetin nga Ura e Dajlanit dhe deri në Spille pushojnë mesatarisht 200 mijë pushues në ditë dhe vendosja e filtrave të tillë e ka bërë bregdetin e Durrësit e të Golemit plotësisht të pastër. Deri para vendosjes së filtrave, në të dyja anët e kanaleve të mbushura me ujëra të zeza ka qenë e pamundur të pushohej. Era e rëndë e fekaleve përfshinte një zonë rreth 150 metra në të majtë dhe 150 metra në të djathtë të këtyre kanaleve.

5 milione
euro, sipas ministrit të Mjedisit Fatmir Mediu, janë investuar për t’i dhënë fund ndotjes së detit nga ujërat e zeza nga Shkëmbi i Kajavës në Golem

Durrësi, këtë verë s’ka ceremoni për turizmin

Bashkia e Durrësit nuk ka bërë çeljen zyrtare të sezonit turistik veror 2011. Këtë vit, çelja e sezonit është bërë nga vetë pushuesit, edhe pse jo me ceremoni zyrtare, kjo për shkak të mungesës së fondeve. Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, pohon se për herë të parë qyteti bregdetar i Durrësit do të privohet nga çelja e sezonit turistik në mënyrë zyrtare, për shkak të moslëvrimit të fondeve. Mungesë kjo që, sipas Dakos, lidhet me moskonstituimin e Këshillit Bashkiak, pasi është ky i fundit që vendos për investimet publike, kryesisht për fondet që duhet t’u kalojnë zonave turistike. “Sezoni turistik nuk është çelur zyrtarisht, pasi të gjithë ish-anëtarët e djathtë të Këshillit Bashkiak nuk janë mbledhur për të miratuar një fond, çka ka ndikuar në këtë situatë për sa i përket ftesës zyrtare nga ana e Bashkisë turistëve të shumtë”, u shpreh Dako. Lidhur me situatën dhe marrjen e masave sa u përket zonave turistike, kreu i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, pohon se Bashkia i ka marrë të gjitha masat për një sezon të suksesshëm turistik. Sipas tij, puna është fokusuar në tri drejtime: në përmirësimin e infrastrukturës, kushteve më të mira akomoduese për pushuesit, si dhe shërbime më cilësore në plazhet e Durrësit. Ndërkaq, Dako thotë se çelja e sezonit është thjesht një ceremoni. Sipas tij, Durrësi është gati për të pritur pushuesit, pasi nga ana e Bashkisë së qytetit po punohet intensivisht në plazh, me qëllim që sezoni turistik të shkojë sa më mirë, duke u paraprirë të gjithë problemeve të mundshme ku prioritet i është dhënë krijimit të kushteve sa më të mira për të gjithë pushuesit. Siç dihet, turizmi është një nga prioritetet kryesore të Bashkisë së Durrësit dhe, sipas kryebashkiakut Vangjush Dako, ashtu si edhe vitin e kaluar, edhe këtë vit po merren të gjitha masat për një sezon turistik sa më optimal.

Mediu: Gati landfillet

Ministri Fatmir Mediu e ka cilësuar këtë projekt që ka kushtuar 100 milionë lekë, si investim provizor vetëm për sezonin e verës, në shërbim të pushuesve dhe bizneseve. “Investimi përfundimtar që do të grumbullojë ujërat e zeza për t’i trajtuar në landfillin në Golem apo në Shën Vlash është në fazën e dytë”, tha Mediu. Janë 5 milionë euro të investuara për t’i dhënë fund ndotjes së detit nga fekalet në gjatësinë nga Shkëmbi Kavajës deri në Golem, ku është ndërtuar landfilli. I njëjti investim ka nisur edhe në drejtimin Plepa-Shën Vlash, por që ka ngecur për shkak të një objekti që ka penguar zbatimin e projektit. “Është një objekt në Plazhin e Durrësit i ndërtuar mbi stacionin e pompave, duke bllokuar kolektorin dhe që duhet shembur për t’i shkuar deri në fund projektit”, ka vijuar ministri Mediu. Në Shën Vlash ka përfunduar ndërtimi i landfillit, ndërsa gjithçka tani është peng i një lejeje ndërtimi të dhënë padrejtësisht nga Bashkia e Durrësit. Sipas Mediut, gjithçka duhej të kishte përfunduar në prill të këtij viti, ndërsa tani duhet pritur ndërhyrja e strukturave përkatëse për t’i hapur rrugë investimit.

 

DURRES/ LEONIDHA MUSAJ

© Panorama.al

Te lidhura