Platini: Futbolli po merr fund

Jun 7, 2012 | 15:07
Presidenti i UEFA, Mishel Platini

Po bën përgatitjet finale që Europiani i 14-të në Poloni dhe Ukrainë të jetë një festë, por presidenti i UEFA-s Mishel Platini i trembet shumë të ardhmes së futbollit. Në një intervistë për gjermanen “Die Welt”, numri 1 i futbollit europian që prej vitit 2007 prek gjithçka, nga bastet e deri tek favoritët për të triumfuar në “Euro 2012”.
Cilën kombëtare shikoni kampione Europe?
Mendoj se Gjermania është skuadra më e mirë për momentin. Ka moshën më të ulët, nuk ka lënë asnjë pikë në kualifikuese dhe bën lojë të bukur. Së bashku me Spanjën janë favoritët. Por kjo nuk do të thotë se do e fitojë me siguri njëra prej tyre. Italia, Anglia, Danimarka dhe Holanda janë në gjendje të shpallen kampione më 1 korrik, për sa i përket kualitetit Gjermania dhe Spanja janë më të mirat. Kur i hedh një sy grupit të Gjermanisë nuk parashikon dot asgjë, është më i vështiri.
A shikoni një Mishel Platini të ri në skuadrën e Lëvit?
Një Platini? Lojtarë si unë dhe Franc Bekenbauer sot janë në muze. Lojtarë të tillë ndoshta nuk i kërkon më tregu i futbollit modern. Zidan ishte numri i fundit 10 në qarkullim. Por Gjermania ka Ozilin, i cili zotëron kualitetet e fantazistit të dikurshëm, por të modifikuara për t’u përshtatur në futbollin modern. Më pëlqen shumë dhe Tomas Myleri dhe portieri Manuel Nojer.
Po sa i përket Francës?
Kemi një brez të mirë, por tani duhet të ndërtojmë një skuadër. Benzama dhe Riberi janë një shkallë më lart se të tjerët.
Çfarë prisni në përgjithësi nga ky kampionat?
Do jetë një turne fantastik.
…nga ana sportive?
Jo vetëm. Stadiumet në Poloni dhe Ukrainë janë të mrekullueshëm. Atmosfera do jetë e shkëlqyer.
Po problemet e infrastrukturës nuk janë zgjidhur ende, veçanërisht në Ukrainë.
Po, ka shumë probleme. Por ne po i marrim shumë seriozisht. Që në fillim ishte një sfidë ta zhvilloje kampionatin në Poloni dhe Ukrainë. Po flasim për dy vende në zhvillim dhe jo për Gjermaninë, Francën apo Anglinë.
A do t’i shijojë dot Platini 31 ndeshjet e Europianit si një tifoz?
Më pëlqen pyetja. Ndonjëherë kur ulem në stadium, harroj që jam president i UEFA-s. E shoh ndeshjen me emocionet e një fëmije. Për mua futbolli është një lojë. Është qendra e gjithçkaje dhe mua më duhet ta mbroj. Futbolli ka ndryshuar me kalimin e dekadave. Sot prodhon më shumë para dhe njerëzve u pëlqejnë paratë. Ky është dhe kërcënimi i futbollit. Prandaj unë përpiqem të mendoj për të ardhmen e tij, sepse e shoh ende të pambrojtur prej shumë rreziqesh.
… rreziqesh?
Po, futbolli është në rrezik. Popullariteti i tij është në rrezik. Në kampionatet kryesore europiane në 2010-n humbjet arritën në 1.6 miliardë euro. Klubet do falimentojnë. Ndoshta në Gjermani kjo është më pak problem për shkak të mekanizmave luftues, por përtej kufijve të saj është një kërcënim real. Prandaj në 2013-n do fusim në fuqi “fair–play”-n financiar, për të shpëtuar klubet dhe jo për t’i fundosur ato. Edhe bastet janë problem, por mekanizmat tanë janë radikalë. Cilido lojtar që do kapet duke vënë bast për humbjen e skuadrës së tij, nuk do prekë më top me këmbë.

FIFA: 40% e futbollistëve “të droguar”
Shefi i mjekëve të FIFA-s, Jiri Dvorak, ka lëshuar alarmin se doktorët abuzojnë me qetësuesit që u injektojnë lojtarëve. Stafi mjekësor i FIFA-s u ka kërkuar doktorëve të skuadrave listën me medikamentet që u jepnin lojtarëve përpara çdo ndeshjeje në “Afrikë e Jugut 2010”. Doktori tha për BBC-në se, në një studim, 40% të lojtarëve të Kupës së Botës u ishin injektuar substancat qetësuese përpara çdo ndeshjeje. “Kjo është e patolerueshme, sepse vendos karrierën e tyre në rrezik”, – tha Dvorak në një intervistë për “BBC”-në. Ai kërkoi që përpara Euro 2012-s të minimizohet ky problem. “Tanimë kanë nisur që këto droga të lejueshme t’u injektohen futbollistëve në moshë shumë të vogël. Trupi fiton imunitet dhe ato nuk bëjnë më efekt me kalimin e viteve. Por marrja e tyre shumë shpesh sjell probleme me shëndetin. Ky problem ka ekzistuar gjithnjë, por gjetja e substancave të rrezikshme në gjakun e lojtarëve ishte në nivele alarmante gjatë Botërorit”, – kujton ish-ylli i Gjermanisë, Novotni.

Karbalo drejton Poloni-Greqi
Arbitri spanjoll, Karlos Velasko Karbalo, do drejtojë takimin e parë të kampionatit europian, Poloni-Greqi. Për arbitrin 41-vjeçar ky është eventi i dytë i madh në karrierën e tij pas finales së Ligës së Europës në 2011-n mes Portos e Bragës. UEFA publikoi edhe emrat e gjyqtarëve për 3 ndeshjet e tjera, me anglezin Hauard Ueb, i cili do gjykojë Rusi-Çeki, ndërsa në ditën e dytë Damir Skomina do arbitrojë Holandë-Danimarkë dhe Stefan Lanoi për sfidën Gjermani-Portugali.

© Panorama.al

Te lidhura