Plas në Berat, jep dorëheqjen shefi i klubit, Ismet Ajazi, e gjithashtu largohen nga skuadra portieri Ervin Llani dhe mesfushori Fejzo Shenaj. Në kushtet kur u duk se Tomori po shkonte drejt kompletimit të grupit, në klub plasi “bomba”. Drejtuesit nuk kanë mundur t’i sigurojnë në kohë financat dhe në këtë mënyrë, të parët që nuk kanë duruar kanë qenë lojtarët. Mësohet se shefi i klubit ka komunikuar dje në telefon me disa prej titullarëve, duke iu bërë të ditur se për një pjesë të këstit të parë të kontratës duhet pritur muaji tetor. Gjithçka varet nga lëvrimi i fondeve të Bashkisë Berat, por për lojtarët kjo vonesë është e papranueshme. Llani dhe Shenaj nuk pranojnë të firmosin, pa marrë të plotë këstin e parë të kontratës, ashtu siç kishin premtuar drejtuesit e klubit. Por, nuk është vetëm portieri dhe sulmuesi, ata të cilët janë larguar. Pak ditë më parë iku edhe mbrojtësi Ardi Sekseni, i cili duke parë mungesën e financave nuk vazhdoi më të stërvitej me ekipin.











