Granatë në oborrin e shtëpisë, plagosen rëndë tre fëmijët e familjes Çuni në fshatin Bardhaj të Mirditës. Vëllezërit, të moshës 13, 10 dhe 6 vjeç, ndodhen në rrezik për jetën në Spitalin Ushtarak, për shkak të plagëve të marra. Policia e Lezhës pohoi dje se ngjarja u shënua rreth orës 08:30 në komunën Selitë, kur fëmijët kishin dalë në oborr për të luajtur. Në momentin që fëmijët janë plagosur, kanë qenë të vetëm në oborr dhe, pasi ka dëgjuar shpërthimin Fatmir Çuni, babai i tre fëmijëve, ka dalë menjëherë dhe ka gjetur të miturit e shtrirë përtokë dhe të dëmtuar në disa pjesë të trupit nga shpërthimi. Tre fëmijët kanë qenë në gjendje të rëndë kur mbërritën me urgjencë në spitalin e qytetit të Rrëshenit. Aty kanë marrë ndihmën e parë mjekësore, por situata tejet kritike e dy vëllezërve më të mëdhenj ka detyruar mjekët të kërkonin mbështetje nga ajri për të transportuar drejt Spitalit Ushtarak të Tiranës të plagosurit. Në pak minuta, vëllezërit M. dhe B.Çuni, 13 dhe 10 vjeç, janë marrë me helikopterin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe janë transportuar drejt Tiranës. Ndërkohë që kryhej fluturimi i parë, mjekët e spitalit të Rrëshenit kanë paraqitur kërkesën për transportin e 6-vjeçarit J.Çuni, pasi gjendja e tij ka ardhur duke u rënduar. Së bashku me fëmijët e plagosur, kanë udhëtuar edhe prindërit e tyre, që kanë deklaruar fillimisht se fëmijët janë plagosur nga shpërthimi i një bombole gazi, duke hedhur poshtë versionin e shpërthimit të një granate, pasi sipas tyre në oborrin apo edhe në shtëpinë e tyre nuk kishte pasur municione luftarake që të kishte sjellë këtë ngjarje të rëndë në familjen e tyre. Ekspertë të Policisë të mbërritur në vendngjarje kanë bërë të ditur se plagosja e 3 vëllezërve ka ardhur nga shpërthimi i një granate qe është gjendur pranë oborrit të shtëpisë së familjes Çuni, në fshatin Bardhaj të komunës Selitë. Me gjithë hetimet e kryera, ende nuk dihet se si ka mbërritur në duart e fëmijëve materiali plasës i llojit granatë, por dyshimet flasin për një qëndrim të gjatë të saj në tokë derisa është gjetur nga fëmijët. Mendohet se granata mund të jetë harruar gjatë zboreve apo stërvitjeve ushtarake që janë kryer më parë në këtë zonë të thellë malore. Në asnjë rast më parë nuk ka pasur ngjarje të ngjashme në këtë komunë, çka mund të bënte që fëmijët të mbaheshin nën mbikëqyrje.
Hetimet
Policia e Lezhës nuk ka marrë ende në pyetje prindërit e fëmijëve, pasi gjenden në Spitalin Ushtarak, në pritje të lajmit të mirë se djemtë do e kalojnë rrezikun për jetën. Mësohet se janë dërguar për ekspertizë të mëtejshme copëza metali të gjetura në vendngjarje, për të saktësuar nëse granata i përket një periudhe të hershme për të cilën dyshon edhe Policia e Lezhës.
MIRDITE/ GJERGJ FIGURI











