Planifikoi sulme terroriste, arrestohet kosovari

Jan 9, 2012 | 17:58
Sami Osmakac

TAMPA- Sami Osmakac, një shtetas amerikan, i lindur në Kosovë është arrestuar nga autoritetet amerikane nën akuzat se po përgatiste një sulm terrorist me bombë në Tampa, të Floridas.

Arrestimi i Osmakac ishte kulmi i një operacioni të fshehtë gjatë të cilit kosovari është monitoruar nga afër nga zyrtarët e zbatimit të ligjit për disa muaj.

Nëse shpallet fajtor, Osmakac do të përballet me burgim të përjetshëm dhe një gjobë prej 50.000 $.

“Këmbëngulje dhe zelli në zbatimin e ligjit solli edhe përfundimin me sukses të këtij aksioni”- tha prokurori i SHBA-ve Robert E. O’Neill.

“Unë do të doja të përgëzoja policinë për punën e tyre të vështirë. Ky hetim përfundoi me sukses edhe me ndihmën e komunitetit musliman. Unë do të doja t’i falënderoja ata.”- tha E.O’Neill.

FBI-ja kishte marrë informacion se Osmakac në vitin 2011 kishte shprehur interes për flamuj të Al- Kaedës. Pas infiltrimit të një agjenti të fshehtë, FBI ka zbuluar se Osmakac ka kërkuar që të blejë një armë të tipit AK-47, një sasi fishekësh, granada, etj.

Sipas FBI-së, Osmakac i kishte dhënë agjentit sekret 500 dollare paradhënie me kusht që t’i siguronte arsenalin e armëve.

Më vonë në takimin pasues, mësohet se Osmakac i ka rrëfyer punonjësit sekret të FBI-së edhe planin e veprimit për sulmet e tij.  Ai donte të merrte me qera një dhomë hoteli, të vendoste një bombë ë një makinë dhe më pas të largohej duke lënë bombën që të shpërthente. Më pas do të merrte armët dhe eksplozivin nga dhoma e hotelit, ku dyshohet se mund të vriste njerëz në klubet e natës në zonën e Ybor dhe Tampa, në Florida.

Sipas të dhënave të policisë, mësohet se më 7 janar pak para arrestimit të tij, Osmakac bëri një video të veten, duke shpjeguar motivet e tij për kryerjen e sulmeve të dhunshme.

© Panorama.al

Te lidhura