Plani i Ançelotit, kërkon sa më shpejt 80 pikë për të vënë duart te La Liga

Mar 1, 2024 | 20:23
SHPËRNDAJE

“Ne nuk bëjmë llogari të komplikuara. Është në dorën tonë dhe nuk kemi pse të dështojmë. Sa më shpejt t’i afrohemi 80 pikëve, aq më afër jemi drejt fitimit të Ligës.”

anceloti

Kështu e ka shpjeguar Karlo Ançeloti idenë e tij për të çuar Realin e Madridit drejt titullin numër 36 në Spanjë. Kujtojmë se Reali kryeson kampionatin me 6 pikë më shumë se Girona e vendit të dytë dhe 8 më shumë se Barcelona. Shumë më poshtë Atletiko e Madridit me 13 pikë prapa. E nëse Barcelona e kishte një plan, që para sfidës me Realin të mbërrinte me 6 pikë diferencë ose më pak në rastin më ideal, edhe në kampin e bardhë kanë një plan. Plani i Ançelotit ndryshon nga ai i Ksavit. Deri kur Reali të presë Barcelonën në “Bernabeu” (mes 20 ose 21 prillit) janë 5 takime në La Liga dhe Ançeloti kërkon as më shumë e as më pak por 15 pikë! Aktualisht “los blancos” kanë 65 pikë. Për të arritur ato 80 pikë që kërkon Ançeloti, atyre u nevojiten 15 pikë, për të cilat do të luhet përpara se të përballen me djemtë e Ksavit. Kalendari sigurisht që nuk është “autostradë”. Nis kundër Valencias këtë të shtunë në “Mestalla”, dhe më Selta që luan për mbijetesë. Në radhë vjen Osasuna në “El Sadar”. Më vonë do të presin Bilbaon në “Bernabeu” pas pushimit për shkak të angazhimit të ekipeve kombëtare, për të përfunduar në Majorka, ku do të përballen me finalistin aktual të Kupës së Mbretit.

Pas Majorkës, në Madrid mbërrin Barcelona në një ndeshje ku mund t’i vihet “vula” titullit. Deri atëherë, Ançeloti synon që ekipi i tij të ruajë ose të thellojë diferencën me ndjekësit. Dhe të ketë arritur ato 80 pikë, që sipas tij vlejnë gati një trofe. Ecuria e deritanishme e Madridit ka qenë për manual, ku në 26 javë numëron vetëm një humbje – atë në javën e 6-të në derbin kundër Atletikos së Madridit dhe 20 fitore, ndërsa pesë takime të tjera janë mbyllur në barazim.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura