Plani i Ahtisarit dhe kalorësit e krimit

Aug 13, 2011 | 12:07

ENVER ROBELLI

Sidomos këto ditë është mirë të rilexohet plani i Marti Ahtisarit për të parë se çfarë të drejtash i garantohen komunitetit serb në Kosovë. Plani parasheh krijimin e gjashtë komunave me kompetenca shtesë me shumicë serbe: Mitrovica veriore (nuk është krijuar ende për shkak të rezistencës së serbëve të atjeshëm), Graçanica, Ranillugu, Parteshi, Kllokoti dhe Novobërda…(këto të fundit tashmë funksionojnë si komuna të veçanta). Kufijtë e këtyre komunave janë skicuar shpeshherë në mënyrë arbitrare për të përfshirë sa më shumë serbë në to. Kështu, kufijtë e komunës së Novobërdës shkojnë deri para hyrjes në qytetin e Gjilanit. Është parë se atje jetuakan disa serbë, të cilët kurrsesi nuk bën të mbesin në “detin shqiptar”, prandaj kufiri i Novobërdës duhet t’i përthekojë edhe ata. Komunat, sipas planit, janë përgjegjëse për arsim parashkollor, fillor dhe të mesëm; për kujdesin shëndetësor primar publik; zhvillimin ekonomik vendor; planifikimin urban dhe rural; banimin publik; emërtimin e rrugëve dhe vendeve publike; sigurimin e shërbimeve publike dhe komunale. Të gjitha komunat serbe në Kosovë kanë të drejtë të kenë një “rol të avancuar” në përzgjedhjen e komandantëve të stacioneve policore lokale. Më tutje në plan sqarohet se çfarë fshihet pas “rolit të avancuar”: në realitet, Ministria e Punëve të Brendshme në Prishtinë nuk mund të caktojë asnjë komandant pa pëlqimin eksplicit të autoriteteve të komunës me shumicë serbe. Komunat Serbe, po ashtu, kanë të drejtë të pranojnë donacione financiare dhe ndihmë teknike nga Serbia. Plani i Ahtisarit rregullon pothuaj të gjitha çështjet që ndërlidhen me jetën e komunitetit serb në Kosovë; me përpikëri nordike Ahtisari i ka dhënë pakicës serbe dhe Kishës Ortodokse serbe një status shumë të privilegjuar në Kosovë. Aq larg shkojnë saktësimet, saqë në Aneksin V mbi trashëgiminë fetare dhe kulturore, neni 2, pika 2.2, nënvizohet: “Kosova do t’i ofrojë Kishës Ortodokse Serbe privilegje doganore dhe tatimore (…) për aktivitetet ekonomike të Kishës që janë specifike për vetëqëndrueshmërinë financiare, siç janë qëndistaria dhe veshjet fetare, qirinjtë, pikturimi i ikonave, punimet e drurit dhe zdrukthëtarisë, dhe produktet tradicionale bujqësore. Këto privilegje do të përfshijnë importimin dhe blerjen e produkteve relevante, materialeve, makinerisë dhe bagëtisë; dhe eksportimin e produkteve, të cilat rezultojnë nga aktivitetet e lartpërmendura”.

LOPË DHE QIRINJ

Përkthyer qartë në shqip, kjo domethënë: Kisha Ortodokse Serbe mund të importojë madje lopë dhe të eksportojë qirinj – pa paguar asnjë taksë doganore. Plani i Ahtisarit parasheh edhe shumë të drejta të tjera për komunitetin serb. Në disa pjesë plani është i prerë dhe i qëndisur ekskluzivisht për të kënaqur çdo kërkesë të nevojshme dhe të panevojshme të serbëve lokalë. Duke shtrënguar dhëmbët shqiptarët e kanë pranuar planin – me shpresën se një gjë të tillë do ta bëjnë edhe serbët dhe pastaj do të fillonte procesi i vështirë i funksionalizimit të ngrehinës shtetërore të Ahtisarit. Mbështetësit e pavarësisë së Kosovës shpejt qenë të detyruar të vërejnë se asnjë lëshim ndaj Beogradit nuk ndikon që udhëheqja e atjeshme të pajtohet me faktin e dukshëm: sundimi serb në Kosovë është i pamundshëm për shkak të represionit pothuaj 10-vjeçar në vitet 80-të dhe terrorit të viteve 90-të, që kulmoi me dëbimin e pothuaj gjysmës së banorëve të Kosovës, me vrasje masive dhe shkatërrime të vendbanimeve. (Për të arsyetuar pavarësinë e Kosovës mjafton të merret parasysh kjo periudhë, pa hyrë më thellë në histori). Në një fushatë propagandistike autoritetet në Beograd, pjesa më e madhe e mediumeve, grupe nacionaliste dhe të ashtuquajtur intelektualë kombëtarë e hodhën poshtë planin e Ahtisarit. Në këtë fushatë atyre u ka shkuar përdore edhe mungesa e unitetit në Bashkimin Europian. Derisa pesë shtetet anëtare s’e njohin Kosovën, zor se mund të pritet një politikë e vendosur e Brukselit ndaj Kosovës. Këtë situatë e kanë shfrytëzuar serbët në Veri të vendit. Duke qenë faktikisht të shkëputur nga Kosova prej vitit 1999 dhe duke e parë veten si pjesë të Serbisë, ata, pas shpalljes së pavarësisë në 2008-n, kanë shtrënguar radhët për të kundërshtuar çdo përpjekje për integrim në kuadër të shtetit të Kosovës. Kjo ka qenë lehtësisht e arritshme. Gjatë “sundimit” të UNMIKut strukturat (para)shtetërore të Serbisë nuk janë prekur; misioni i OKB-së vetëm e ka administruar status quo-në në Veri. EULEX-i, duke u fshehur pas formulës së “neutralitetit” ndaj statusit të Kosovës, e ka shtyrë këtë problem anash – dhe ka shpresuar se herët apo vonë palët (Prishtina dhe Beogradi) duhet të merren vesh, ndonëse Veriu do të duhej të trajtohej si çështje e brendshme e Kosovës. Paradoksalisht aksioni legjitim, por mendjelehtë dhe i papërgatitur i palës kosovare në Veri e ka transferuar problemin në tavolinën e bisedimeve.

POLITIKË ME CUNGA

Tash çështja është se a mund të mbrohet Ahtisari gjatë bisedave me Serbinë në Bruksel, të cilat filluan si teknike dhe po zhvendosen në terrenin e negociatave për sovranitet e kontroll territori. Zhvillimi në këtë drejtim do të çojë drejt dobësimit të mëtutjeshëm të shtetit të Kosovës, bile mund ta bëjë totalisht jofunksional. Zaten ky është qëllimi kryesor i Beogradit. Ikonografia nacionaliste e këtyre ditëve në Veri, që u demonstrua nga kalorësit e krimit dhe me mbështetjen aktive të politikanëve të Beogradit, i përngjan deri diku Kroacisë së fillimviteve ‘90. Populli i “rrezikuar” mobilizohet, bllokon rrugët me cunga e lisa, me grumbuj rëre dhe me kamionë dhe parashtron kërkesa politike. Politika e autoriteteve serbe ndaj Kosovës është destruktive dhe në kundërshtim me idenë e integrimeve europiane. Hiç më ndryshe Serbia nuk sillet edhe ndaj Bosnjës, ku përmes së ashtuquajturës “republikë e serbëve”, bllokon gjithë vendin. Një projekt të tillë Beogradi po përpiqet ta realizojë edhe në Kosovë – dhe rreziku është i madh që pjesë të së ashtuquajturës bashkësi ndërkombëtare t’i favorizojnë këto synime. Pala kosovare ka dështuar ta bëjë të qartë se plani i Ahtisarit është vija e kuqe, maksimumi që mund të pranojnë shqiptarët. Politika e lëshimit pe hap pas hapi me shpresën se në fund nga BE-ja do të marrim një shportë të madhe me dhurata e ka degraduar Kosovën. Shporta është e zbrazët, madje as premtime s’ka në të, siç është, ta zëmë, liberalizimi i vizave. Autoritetet e Prishtinës, po ashtu kanë dështuar të alarmojnë opinionin ndërkombëtar mbi përmasën e krimit të organizuar në Veri. Ishin mediumet gjermane që këto ditë e gjetën një definicion të përshtatshëm për veriun: duty free shop-i më i madh në Europë, ku nuk paguhen taksa doganore dhe kontrabandohet gjithçka. Në aspektin e informimit të opinionit ndërkombëtar pushteti kosovar s’ka bërë gati asgjë. Shkuan milionat nëpër xhepat e përfaqësuesve të kompanisë së marketingut “Saatchi & Saatchi”, u bënë rrush e kumbulla duke shtypur postera të djemve dhe çikave të Kosovës për t’i treguar botës se “jemi europianë”. Shumë beteja politike nuk janë fituar në fushëbetejë, por në arenën e informimit. Kështu është siguruar mbështetja ndërkombëtare. Në vitet ‘90 Kosova e ka dhënë një shembull se si bëhet kjo. Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Qendra për Informim e Kosovës, gazeta “Koha Ditore”, agjencia e lajmeve “Arta” – të gjitha këto dhe shumë mediume të tjera e kanë bërë publike të vërtetën për Kosovën në skenën ndërkombëtare. Asnjë mësim s’është nxjerrë nga ajo kohë dramatike. Pas luftës klasa politike e Kosovës mendoi se “ne jemi viktima të patentuara” dhe s’duhet të bëjmë gjë, sepse Perëndimi “neve na ka për qejf” dhe na ndihmon në çdo rast. Mjafton të shihet, sidomos këto ditë, se si askush nga diplomatët e Brukselit dhe Uashingtonit nuk po e përmend planin e Ahtisarit. Në vend të tij po flitet për Ahtisarin plus, për status special të serbëve në Veri, për autonomi të zgjeruar.

© Panorama.al

Te lidhura