Edhe pas nënshkrimit të marrëveshjes për Veriun, rrugët në komunat serbe në Kosovë që të çojnë në pikat doganore 1 dhe 31, mbeten ende të bllokuara.Gjendja është e qetë, por barrikadat mbeten të fortifikuara. Serbët e Kosovës kanë refuzuar ta respektojnë marrëveshjen mes KFOR-it, qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë për zgjidhjen e përkohshme të situatës në veri. Persona të tjerë, të cilët konsiderohen nga mediat e Kosovës si fytyra të reja në barrikada, kanë hedhur drurë dhe zhavorr në rrugë. Koha ditore raporton se në Kosovë ka hyrë një numër i madh i njësive speciale të Ushtrisë së Serbisë, si dhe pjesëtarë të xhandarmërisë. Në Zveçan është parë edhe një numër i madh i njësive me tatuazhe në qafë, akrepin. Po kjo gazetë, bazuar në burimet e saj ndërkombëtare, ka raportuar mbi diskutimet për një plan, i cili do t’u jepte tri komunave serbe në veri të Kosovës një status special autonomie. Komunat në fjalë janë Zubin Potoku, Leposaviqi dhe në Zveçani. Edhe burime brenda institucioneve të larta shtetërore të Kosovës kanë njoftuar se nuk e përjashtojnë mundësinë që “autonomia substanciale e veriut” të dalë edhe publikisht si propozim i një pjese të faktorit ndërkombëtar gjatë ditëve në vijim. “Miqtë ndërkombëtarë kanë filluar ta shohin si mision të pamundur integrimin e veriut pas 12 vjetësh shkëputjeje nga pjesa tjetër e shtetit. Dhe, me qëllim të shmangies së konflikteve të armatosura, si rrugëzgjidhje më të pranueshme ata po shohin dhënien e një statusi special për atë pjesë”, shkruan KD. Kështu, thuhet se Kosova do të arrijë t’i ruajë kufijtë e saj aktualë dhe serbët do të jenë të pavarur nga qeveria e Kosovës, të cilin ata e konsiderojnë të paligjshme. Autoritetet e Prishtinës thuhet se e kanë refuzuar këtë “ofertë”. Ndërkohë, pritet vendimi i komunave serbe për heqjen e barrikadave, i cili pritet të merret pas takimit të së martës, si dhe pas konsultimeve të djeshme me Presidentin Boris Tadiç.
Akuzat
Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, në një intervistë për të përditshmen zvicerane, “Neue Zürcher Zeitung”, akuzoi Presidentin serb, Boris Tadiç, për nxitje të dhunës në veri. “Presidenti i Serbisë, Tadiç, e ministrat e qeverisë serbe kanë nxitur dhunë në veri. Zhvillimet e fundit dramatike në ditët e shkuara janë organizuar dhe financuar nga qeveria në Serbi”, tha Hoxhaj.
Mustafa: Thaçi më njoftoi për 10-pikëshin
Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ndryshe nga partitë e tjera opozitare të Kosovës e ka mbështetur marrëveshjen e qeverisë me KFOR-in për veriun e vendit. “Çdo marrëveshje, e cila çon në drejtim të shtrirjes së sovranitetit në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, duhet të respektohet nga të gjithë”, tha Mustafa. Ai pranoi se ishte njoftuar mbi marrëveshjen më parë nga kryeministri Thaçi. Mustafa shtoi se qeveria e Kosovës me ngjarjet në veri të vendit është ballafaquar me një nga punët më të vështira deri më tani.
© Panorama.al











