Plagosja në azil, gruaja: Tentoi të më përdhunonte!

May 8, 2012 | 13:14

Sulltana Muharremi, 67-vjeçarja e plagosur, dje në spitalin e Durrësit, ku po kurohet pas ngjarjes së ndodhur në Shtëpinë e të Moshuarve në Kavajë

Arrestohet 69-vjeçari. Sulltana Muharremi: Ai vrau gruan e tij në Gjermani.

Rrëfehet nga spitali 67-vjeçarja: Maliq Tafaruçi ma nxiu në azil.

“Donte të më përdhunonte. Që prej asaj dite, më kërcënoi për herë të parë, nuk jam ndier më e qetë në azil”. Sulltana Muharremi, 67-vjeçarja e plagosur në shtëpinë e të moshuarve në Kavajë, zbardh arsyen pse u qëllua me thikë nga shoku i saj, Maliq Tafaruçi, i dënuar për vrasjen e gruas së parë. Nga spitali i Durrësit, gruaja e lidh gjithë ngjarjen me tentativat e herëpashershme të 69-vjeçarit për të kryer marrëdhënie seksuale me të. Të dy nuk e mohojnë njohjen e mëparshme, kur ishin të rinj dhe jetonin në qytetin e Durrësit. Por, jeta i riktheu sërish nën të njëjtën çati, atë të azilit të pleqve, Sulltanen që prej 3 vitesh dhe Maliqin rreth 1 vit më parë. Sulltania kishte mbetur e vetme, pasi burri kishte vite që kishte vdekur dhe familjarët e tjerë i kishte jashtë. Tjetër histori kishte Maliqi, i cili siç e pohon dhe vetë 67-vjeçarja kishte vrarë gruan e parë, kur jetonin në Gjermani. Nën rënkimin e dhimbjeve, Sulltana tregon për gazetën jetën në azil, deri në plagosjen prej Maliq Tafaruçit mesditën e së dielës.
Mund të na tregoni se si ndodhi ngjarja?
Ishte orar i drekës dhe unë fillimisht po qëndroja në një vend disi më të veçuar se të tjerët. Në momentin që unë u afrova afër tavolinës, ai më goditi disa herë me thikë në pjesë të ndryshme të trupit. Nuk munda të mbrohesha dot, apo t’u shmangesha thikave. Ishim shumë afër me njëri-tjetrin dhe mbaj mend që më nguli disa thika. Pastaj erdhën disa burra të tjerë, më morën dhe më sollën në spital.
Sipas jush, pse ndodhi ngjarja?
Nuk e di! Është e disata herë që unë ndodhem në situata të tilla. Maliqi prej disa kohësh ishte bërë shumë i çuditshëm. Disa ditë më parë ai kishte një thikë në dorë dhe duke ma drejtuar më kërkoi që të kryeja marrëdhënie me të dhe nisi të hiqte rrobat. Unë nuk pranova dhe u largova me shpejtësi nga dhoma që më kishte futur. Që prej atij momenti, Maliqi filloj të sillej çdo ditë e më egër me mua, deri sa edhe për pak sa nuk më vrau.
Sa vite keni që njiheni me njëri-tjetrin ju dhe Maliqi?

Godina e azilit të pleqve në qytetin e Kavajës

Me Maliqin njihemi që kur ishim të rinj. Jetonim të dy në të njëjtin qytet, në Durrës dhe më pas jetuam edhe në të njëjtën shtëpi, këtu në azil. Disa vite pasi u martuam nuk patëm kontakte dhe as dëgjuam për njëri-tjetrin. Por u takuam sërish në shtëpinë e pleqve, ku shkuam për të kaluar vitet e fundit të jetës me bashkëmoshatarët tanë.
Si e njihni atë?
Ai është një maskara i vërtetë. Është një prej njerëzve më të dhunshëm që kam njohur ndonjëherë.
Pse e thoni këtë?
E them se unë e di që ai ka bërë një krim më parë. Di që ka vrarë gruan e tij kur jetonte në Gjermani.
Kur ka ndodhur krimi?
Kur ka jetuar jashtë, para 16-17 vjetësh. E ka vrarë duke e qëlluar me mjete të forta në kokë. Për këtë ka bërë burg. Nuk e di as vetë se si ia lejoja vetes të shoqërohesha me të. Ai dhe kur është kthyer në Shqipëri ka bërë burg disa herë.
Sa kohë keni që jetoni në shtëpinë e pleqve?
Unë jetoj prej tri vitesh në shtëpinë e pleqve në Kavajë. Zgjodha të shkoja t’i kaloja vitet e fundit të jetës atje, pasi nuk doja që t’i bëhesha barrë askujt. Pavarësisht të gjithave, aty kam kaluar vitet më të bukura të jetës sime. Kisha gjithçka, përveç të afërmve të mi që jetojnë jashtë. Kaloja mirë edhe me shoqërinë që gjeta aty. Kushtet në shtëpinë e pleqve janë shumë të mira. Makthi nisi disa kohë më parë, në kohën kur Maliqi tentoi të më përdhunonte. Ai kishte rreth 13 muaj që jetonte në shtëpinë e pleqve, por anën e tij negative e shfaqi disa muaj më parë.
Si ka qenë jeta juaj që prej asaj dite brenda mureve të shtëpisë?
Që prej ditës që Maliqi tentoi të më përdhunonte, jeta ime brenda mureve të shtëpisë së pleqve ka qenë shumë e vështirë. Ka qenë e vështirë, pasi Maliqi që prej asaj dite u kthye në një bishë. Kudo që të më shikonte, afrohej dhe më bënte presion duke më thënë se në qoftë se nuk pranoja, do të më rrihte.

Policia
Menjëherë pas krimit, Policia e Kavajës arrestoi në kushtet e flagrancës 69-vjeçarin Maliq Tafaruçi. Ai akuzohet për plagosjen në shtëpinë e të moshuarve të Sulltane Muharremit. Më parë, konfirmohet nga burime të azilit dhe vetë e plagosura, që Tafaruçi ka kryer dënim në Gjermani, pasi ka vrarë me mjete të forta bashkëshorten e tij. Pas krimit dhe kryerjes së dënimit, në mes të viteve ’90, ai është kthyer në Shqipëri, ku i mbetur vetëm, muaj më parë gjeti strehë në shtëpinë e të moshuarve.

Dëshmitarët: plagosja ndodhi papritur
Në azil të tjerët flisnin për një lidhje të mëparshme mes dy të moshuarve, por nuk dinin se çfarë kishte ndodhur mes tyre. “Kohët e fundit, 69-vjeçari kishte një sjellje të çuditshme kundrejt Sulltane Muharremit. Ata nuk kalonin më aq shumë kohë si kalonin më përpara me njëri-tjetrin dhe sa herë që qëndronin bashkë, vetëm debatonin. Të dielën sapo kishim përfunduar vaktin e drekës dhe po kërkonim stola për t’u ulur dhe pushuar pak, kur papritur dëgjuam të bërtitura dhe pas një sherri me fjalë, pamë Maliqin që qëlloi gruan me thikë. Mezi e bindëm për ta hequr thikën nga dora dhe të transportonim me urgjencë në spital Sulltanen”.

Drejtori: Ngjarja, më e rënda në azil
KAVAJE – Drejtori i shtëpisë së të moshuarve në qytetin e Kavajës, Mehmet Rrapi, tregon të gjithë rrjedhën e ngjarjes, që nga momenti i ndodhisë së saj. Teksa ka pranuar se ka pasur edhe raste të tjera kur të moshuarit kanë zhvilluar konflikte apo mosmarrëveshje me njëri-tjetrin, Rrapi është shprehur se kjo është ngjarja e parë e rëndë që është shënuar në ambientet e shtëpisë së pleqve në Kavajë, ku rrinë 67 të moshuar. “Në Shtëpinë e të Moshuarve këtu në Kavajë mbizotëron qetësi absolute dhe nuk e kuptoj se si papritur u kapëm në befasi nga kjo ngjarje që mori përmasa të paimagjinueshme e degradoi deri në përdorimin e armëve të ftohta, ku dhe mbeti e plagosur rëndë Sulltane Mehmeti. Nuk ishim në dijeni të mosmarrëveshjeve që ata kishin me njëri-tjetrin. Kemi dëgjuar fjalë nga azilantë të tjerë se të moshuarit në fjalë kanë pasur një lidhje të hershme, e cila dyshohet se ka vijuar edhe gjatë kohës kur Sulltana dhe 69-vjeçari jetonin në të njëjtën banesë”, është shprehur drejtori Mehmet Rrapi. Sipas tij, 67-vjeçarja është qëlluar me thikë për motive banale nga Maliq Tafaruçi, me të cilin ajo kishte pasur një lidhje të hershme.

DURRES/ LEONIDHA MUSAJ

© Panorama.al

Te lidhura