
TIRANE – Një 55-vjeçar i akuzuar për një vrasje pranë Parlamentit në Tiranë u dënua me 10 vjet burg nga Gjykata. Prokuroria e kishte akuzuar të pandehurin para trupës gjykuese për kryerjen e veprës penale të “vrasjes me dashje”, të mbetur në tentativë në dëm të një shoku të tij. I pandehuri Skënder Hoxha u shpall fajtor për tentativën e vrasjes së personit në rrugën para godinës së Parlamentit, pasi kishin konsumuar së bashku tre litra alkool. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, përfundimisht i pandehuri Hoxha u dënua me 6 vjet e 8 muaj burg, pasi ka përfituar nga ulja e masës së 1/3 të dënimit. Ngjarja për të cilën ai duket të vuajë dënimin me burg, ka ndodhur në janar të këtij viti, në një lulishte pranë Parlamentit në Tiranë. “Në datën 04.01.2012, rreth orës 14:00, organi i policisë është njoftuar se në rrugën ‘Xhorxh Bush’, në afërsi të portës së godinës së Parlamentit, gjatë një grindjeje për motive të dobëta, shtetasi Skënder Hoxha ka tentuar të vrasë me një thikë shtetasin Roland R. Ai e ka goditur të dëmtuarin në gjoks me thikë duke i shkaktuar dëmtime të rënda. I dëmtuari Roland është dërguar menjëherë në Spitalin Ushtarak Tiranë, ku i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale. Pas ngjarjes, autori Skënder Hoxha është larguar në drejtim të paditur. Ngjarja ka ndodhur në prani të shtetasve Kledi D., Anton Gj. dhe Astrit K., të gjithë persona pa përkrahje, të strehuar në qendrën “Papa Gjovani 23”’ Tiranë. Personat e mësipërm me lidhje shoqërore me njëri-tjetrin kanë konsumuar rreth tre litra pije alkoolike në lulishten e Parlamentit dhe nën efektin e tij janë grindur me njëri-tjetrin”, rrëfehet ngjarja në vendimin e Gjykatës. Sipas vendimit, personi i qëlluar me thikë pranë Parlamentit, ka marrë mjekime në spital dhe, pavarësisht dëmtimeve fizike, ka arritur të mbijetojë, ndonëse i akuzuari për ngjarjen kishte tentuar ta vriste atë teksa ndodhej në gjendje të dehur. ar.ba
I arrestuari
Për plagosjen me thikë në janar të këtij viti në kryeqytet, në zonën përballë Parlamentit, policia kishte shpallur në kërkim dy persona. Ata akuzoheshin për ngjarjen ku ka mbetur i plagosur shtetasi Roland Ramadani, 38 vjeç. Policia tha se për këtë ngjarje ishte shpallur në kërkim autori Skënder Hoxha, ndërsa është kapur bashkëpunëtori i tij Klejdi Dibra, i cili më pas rezultoi se nuk ishte autor i ngjarjes.











