Hektor Ajazi, kunati i ministres së Integrimit, Majlinda Bregu, u deklarua fajtor dhe u dënua me gjobë nga Gjykata e Tiranës për akuzën e “plagosjes së lehtë me dashje”.Ajazi u vu nën akuzë pasi u përfshi në një incident të dhunshëm fizik shtatorin e vitit të kaluar, në një pikë biznesi pranë Vorës. Pak ditë më parë, gjyqtari Martin Deda vendosi dënimin e tij me 100 mijë lekë gjobë. Për shkak të gjykimit me kohë të shkurtuar në Gjykatën e Tiranës dhe përfitimit në uljen e 1/3 të masës së dënimit, përfundimisht Ajazi u dënua me 66 mije e 667 lekë gjobë. Sipas vendimit, Ajazi duhet të paguajë këtë gjobë brenda një afati 1-vjeçar, pasi vendimi ndaj tij të marrë formë të prerë. Në vendimin e Gjykatës pohohet se “i pyetur në hetimet paraprake, i pandehuri Hektor Ajazi e ka pranuar akuzën që i është bërë duke u treguar i penduar për veprën që ka kryer”. Dosja me të pandehur Hektor Ajazin, të akuzuar për “plagosje të lehtë me dashje”, mbërriti në Gjykatën e Tiranës në shkurt të këtij viti. Në seancën e paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare, prokuroria kërkoi dënimin e Ajazit me një gjobë prej 150 mijë lekësh, kërkesë që u pranua edhe nga avokati mbrojtës i tij.
KONFLIKTI
Sipas vendimit të zbardhur nga Gjykata, ngjarja për të cilën u deklarua fajtor Ajazi ka ndodhur më 7 shtator të vitit 2010, në një firmë lulesh në autostradën Tiranë-Durrës, pranë Vorës. Në vendim, konflikti mes “palëve” kishte nisur për motive të dobëta.
“Më datë 07.09.2010, i pandehuri Hektor Ajazi ka vajtur së bashku më një shokun e tij te firma e luleve ‘KAJMAKU’, e cila ndodhet në autostradë, pa shkuar në Vorë, me qëllim për të takuar shtetasin Naim S. Atje kanë takuar shtetasin Nik L., i cili po i priste te dera e firmës dhe në këtë kohë, pak më larg ka parë dhe shtetasin Hektor Ajazi, i cili po afrohej në drejtim të tyre. Këtu, shtetasi Besnik e ka pyetur nëse e njihte dhe çfarë problemi kishte me shokun e tij Hektor. Në këtë moment, i pandehuri Hektor është bashkuar me të dhe i është drejtuar Naimit se çfarë kishte thënë për të te shtetasi Xhavit R. Pas një replike të shkurtër, ai e ka qëlluar me grusht, por pa arritur ta godasë, pasi Naimi e shmangu. Shtetasi Besnik L. e ka penguar Naimin dhe si pasojë është rrëzuar përtokë dhe së bashku me të pandehurin Hektor kanë filluar ta qëllojnë me grushte dhe shkelma derisa e kanë lënë pa ndjena, duke u larguar nga vendi i ngjarjes”, thuhej në arsyetimin e vendimit të Gjykatës.
Akt-ekspertimi
Pas ngjarjes së shtatorit 2010 te firma e luleve pranë Vorës, i dëmtuari Naim S. iu nënshtrua një ekspertimi mjeko-ligjor. Sipas vendimit të Gjykatës, në akt-ekspertim pohohej se tek i dëmtuari konstatoheshin: shembje të indeve të buta të kokës dhe trupit dhe ndrydhje e shpatullës së majtë. Referuar akt-ekspertimit, dëmtimet e konstatuara hynin në kategorinë e dëmtimeve që kanë shkaktuar humbje të aftësisë për punë me mbi 9 ditë.
66.7 mije
lekë gjobë afërsisht duhet të paguajë Hektor Ajazi, pasi u deklarua i fajshëm për akuzën e “plagosjes së lehtë me dashje” në dëm të shtetasit Naim S.
Armand Bajrami
© Panorama.al











