Plagoset në aksident oficeri i policisë

Feb 16, 2012 | 12:27

DURRES – Katër persona mbetën të plagosur rëndë gjatë dy aksidenteve që ndodhën pasditen e së mërkurës në qytetin e Durrësit. Aksidenti i parë ku i plagosur mbeti punonjësi i Policisë në Drejtorinë e Qarkut Korçë, Ilir Cakërri 30 vjeç, ka ndodhur rreth orës 18;30, në autostradën Durrës-Tiranë, pranë kryqëzimit të fshatit Koxhas në Sukth. Cakërri ishte duke udhëtuar nga Durrësi në drejtim të Tiranës, me mjetin e tij tip “Ford” me targa AA943CA, por papritur ka humbur kontrollin e mjetit duke u përplasur fillimisht më trafik-ndarësen e më pas ka përfunduar disa metra larg autostradës. Ai është dërguar me urgjencë në spitalin e Durrësit nga kalimtarë të rastit. Ndërsa aksidenti i dytë u regjistrua vetëm disa minuta më vonë në unazën e Shkozetit, ku në të u përfshinë të gjitha gratë e familjes Ndoi banorë të ish-Kënetës. Sipas policisë, Dila Ndoi rreth 50 vjeçe dhe dy vajzat e saj, Elisa e Paula Ndoi, përkatësisht 18 e 19 vjeç, u përplasën nga një mjet teksa ishin duke kaluar nga njëra anë e rrugës në tjetrën. Vajzat ishin duke u kthyer nga puna për në shtëpi. Për shkak të errësirës vajzave u kishte dalë përpara e ëma e tyre për t’i shoqëruar ato për në shtëpi. Por udhëtimi i tyre drejt shtëpisë është prerë në mes nga një mjet, i cili po udhëtonte në drejtim të Durrësit i ka përplasur rëndë tre kalimtaret. Sipas bluzave të bardha të katër të aksidentuarit janë në gjendje të rëndë shëndetësore dhe po mbahen nën kontroll. l.m

© Panorama.al

Te lidhura