
Një 41-vjeçar, i liruar nga burgu tre muaj më parë, u plagos me automatik mëngjesin e djeshëm në oborrin e shtëpisë së tij në Zall-Herr të Tiranës.Ngjarja ndodhi rreth orës 08:00 të mëngjesit. Pak orë më pas, policia ka shoqëruar dy persona të dyshuar për ngjarjen, të cilët sipas të dhënave kanë tentuar të vrasin 41-vjeçarin Qefalia. I plagosuri është Bashkim Qefalia, i cili tre vjet më parë u implikua në vrasjen e një personi dhe plagosjen e dy të tjerëve, tek rrethrrotullimi i Doganës, në hyrje të Tiranës. Madje, ai u arrestua tri ditë pas vrasjes nga një aksion i policisë së Tiranës, kurse burimet zyrtare thanë se ai ishte i dyshuari kryesor i ngjarjes, ku mbeti i vrarë Artan Allushi dhe u plagosën xhaxhai i tij, Kujtim Allushi bashkë me të birin, Nertilin. Gjatë hetimeve, akuza për Qefalinë ndryshoi, nga “vrasje në rrethana cilësuese” në “moskallëzim krimi” dhe ai u dënua vetëm me 2 vjet burg. Prokuroria konsideroi se Qefalia nuk kishte marrë pjesë në vrasje, por kishte qenë i pranishëm në skenën e krimit. Gjykata është bindur se vrasjen nuk e ka kryer Bashkim Qefalia, por personi tjetër që u arrestua disa muaj pas ngjarjes, Ylli Byberi. Grupi hetimor që po verifikon rrethanat dhe motivet e ngjarjes, dyshon se Qefalia është plagosur në lidhje me implikimin e tij në vrasjen e ndodhur më 26 korrik 2009. Mësohet se i plagosuri është jashtë rrezikut për jetën dhe ka pësuar disa plagë me armë zjarri. Ai ndodhet i shtruar në Spitalin Ushtarak, por policia u tregua mjaft e rezervuar dje në lidhje me rrethanat se si ka ndodhur ngjarja dhe personat e dyshuar.
IMPLIKIMI NE VRASJE
Më 26 korrik të vitit 2009, tek rrethrrotullimi i Doganës në Tiranë u vra me armë zjarri Artan Allushi dhe u plagosën dy të tjerë, Kujtim dhe Nertil Allushi. Policia deklaroi atëherë se identifikoi dhe shpalli në kërkim tre persona të implikuar në vrasje, si autorë dhe përkrahës të autorit të krimit. Fillimisht, i dyshuari kryesor për këtë ngjarje ishte Bashkim Qefalia, i cili më pas u lirua nga akuza gjatë shqyrtimit të çështjes në prokurori dhe gjykatë. Sipas vendimit të Gjykatës së Tiranës, Bashkim Qefalia, i cili kishte në pronësi një furgon për linjën Kamzë-Zogu i Zi, ka pasur një konflikt me familjen e Kujtim Allushit, për shkak të një lidhjeje intime me një vajzë. Ditën e vrasjes, Qefalia ka qenë duke punuar me furgon ku ka hipur edhe Ylli Biberi, i cili ishte personi tjetër i akuzuar, që më pas u zbulua të ishte autor i vrasjes. Qefalia njihej me autorin nga i vëllai i tij, që gjithashtu bën linjën me fugonin e Kamzës. Gjatë udhëtimit me furgon, Qefalinë e ka telefonuar viktima Artan Allushi, i cili i ka lënë një takim tek Dogana. Allushi, bashkë me kushëririn e tij Nertil Allushi, janë afruar tek furgoni që drejtohej nga Qefalia. Ky i fundit ka zbritur dhe është afruar tek personat e mësipërm. Në këtë moment, viktima ka debatuar pak çaste me të pandehurin dhe më pas e ka goditur me një shkop bejsbolli, duke e dëmtuar rëndë në kokë. Në vendin e ngjarjes ka mbërritur xhaxhai i viktimës, Kujtim Allushi, personi me të cilin kishte konflikt Qefalia. Ai ka qëlluar Bashkim Qefalinë me një levë hekuri. Ndërsa autori i dyshuar i vrasjes, Ylli Byberi, ka dalë nga furgoni dhe ka qëlluar me pistoletë Artan Allushin, i cili ka mbetur i vdekur në vend. Më pas ka plagosur Kujtim dhe Nertil Allushin.
DENIMI
Sipas vendimit të datës 28 shtator 2010, dhënë nga Gjykata e Tiranës, Bashkim Qefalia është deklaruar fajtor për veprën penale “moskallëzim krimi” dhe është dënuar me 2 vjet burgim. Ndërsa personi tjetër, Ylli Byberi, u deklarua fajtor për veprën penale “vrasje në rrethana cilësuese”, “armëmbajtje pa leje” dhe u dënua me 14 vjet burg.
LIRIMI
Bashkim Qefalia, personi që u plagos dje me armë zjarri në Zall-Herr të Tiranës, rezulton të jetë liruar nga burgu rreth 3-4 muaj më parë, sipas fqinjëve të tij. Kjo periudhë përkon edhe me përfundimin e dënimit të tij, duke llogaritur edhe ditët e paraburgimit. Qefalia u arrestua më 30 korrik 2009 dhe u dënua me 2 vjet burg më 28 shtator të vitit 2010.
Etleva Delia
© Panorama.al











