Plagos burrin me sëpatë, nëna e katër fëmijëve: Doja ta vrisja tim shoq

Aug 10, 2011 | 14:10

Vendi ku ndodhi krimi ne familje

Gruaja godet me sëpatë bashkëshortin

Tiranë, plagosja në sy të katër fëmijëve të mitur të çiftit

Krimi në familje ndodhi rreth orës 01:30, pas mesnatës së të hënës, në një banesë private tek ish-Kombinati “Josif Pashko” në Tiranë. Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur pas një grindjeje të shoqëruar edhe me dhunë fizike mes bashkëshortëve, që dyshohet se ka pasur si motiv xhelozinë. Policia është njoftuar për ngjarjen rreth orës 04:30 të mëngjesit të djeshëm, nga vetë autorja e krimit, Hyrie Bruka, e cila është paraqitur në Komisariatin Nr.3 bashkë me 4 fëmijët e mitur. Sipas burimeve mësohet se nëna 31-vjeçare ka rrëfyer në polici se ka vrarë bashkëshortin dhe për këtë arsye ka vendosur të vetëdorëzohet. Pasi ka marrë njoftim për ngjarjen, policia ka shkuar në vendin e ngjarjes rreth orës 06:00 të mëngjesit të djeshëm dhe fatmirësisht bashkëshorti i të arrestuarës, Qazim Bruka, 35 vjeç, kishte ende shenja jete dhe për këtë arsye është transportuar në Spitalin Ushtarak. Ndërsa policia ka bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes, ku ka sekuestruar edhe sëpatën që ishte përdorur nga gruaja si armë për krimin. Mësohet se i plagosuri ndodhet në gjendje të rëndë në reanimacionin e Spitalit Ushtarak, pasi ka marrë një plagë të thellë në kokë. Ndërsa bashkëshortja e tij, e cila është vetëdorëzuar pas ngjarjes, do të hetohet në gjendje të lirë nga policia, për shkak të katër fëmijëve të mitur.
KRIMI NE FAMILJE
Bashkëshortja ka masakruar me sëpatë të shoqin në sy të katër fëmijëve të mitur, pas një debati për motive xhelozie. Sipas të dhënave hetimore, nga këqyrja e vendit të ngjarjes dhe mënyra se si është gjetur i plagosuri, pa asnjë rrobë në trup, policia dyshon se ai është plagosur teksa flinte gjumë. Por, në fakt, e dyshuara ka treguar se gjithçka ka ndodhur në debat e sipër, madje ka qenë bashkëshorti i saj që e mbante sëpatën në dorë duke e kërcënuar, para se ajo t’ia rrëmbente nga dora dhe ta godiste me të. E dyshuara, Hyrie Bruka, e cila është vetëdorëzuar në polici menjëherë pas krimit, ka pranuar autorësinë, duke e argumentuar ngjarjen si mbrojtje ndaj vetes dhe fëmijëve, pasi i shoqi i keqtrajtonte sistematikisht. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes, ka rezultuar se 35-vjeçari Qazim Bryka është goditur me sëpatë fillimisht pranë krevatit ku flinte me të shoqen, por trupi i tij është gjetur në një dyshek të vendosur në dysheme, pranë derës së dhomës ku ata banonin me qira. Ndërsa sëpata me të cilën është kryer krimi është gjetur në dysheme pranë krevatit dopio. Shtëpia ku banonte çifti, në momentin që ka mbërritur policia është gjetur e shkatërruar, çka tregon se para ngjarjes mund të ketë pasur një përleshje mes çiftit ose, në të kundërt, duke tentuar të dalë nga shtëpia i gjakosur për të kërkuar ndihmë, 35-vjeçari mund t’i ketë lëvizur orenditë e shtëpisë.

I PLAGOSURI

Qazim Bruka, 35-vjeçari që u plagos me sëpatë nga e shoqja, po lufton me vdekjen në Spitalin Ushtarak. Sipas mjekëve, ai ka marrë një plagë të rëndë në pjesën e djathtë të kokës, që i ka dëmtuar edhe kafkën. Pas ndërhyrjes kirurgjikale, ai është shtruar në reanimacion ku qëndron prej disa orësh në terapi intensive, por sipas mjekëve nëse kalojnë edhe disa orë pa komplikacione, mund ta kalojë rrezikun për jetën.

Nëna e katër fëmijëve: Pse doja ta vrisja tim shoq

Hyrie Bruka, autorja e krimit në familje

Nëna e katër fëmijëve të mitur, 31-vjeçarja Hyrie Bruka, e cila tentoi të vriste me sëpatë bashkëshortin e saj mëngjesin e djeshëm, në një banesë private në Tiranë, pranon të ketë kryer krimin në familje me ndërgjegje të plotë.Madje, ajo shprehet se qëllimi i saj ishte të vriste të shoqin Qazim Bruka, pavarësisht se ai shpëtoi edhe pse e goditi disa herë me sëpatë në kokë. Hyrie Bruka u lirua dje nga policia, që vendosi hetimin e saj në gjendje të lirë, edhe pse ajo denoncoi vetë ngjarjen, madje e pranoi që kishte plagosur të shoqin me sëpatë. E dyshuara, bashkë me katër fëmijët e saj të mitur, u nis pasditen e djeshme në drejtim të Kukësit tek familja e saj dhe policia e argumenton lirimin me faktin që ajo ishte në gjendje mjaft të vështirë emocionale, kushte të vështira ekonomike dhe duhej të rriste e vetme 4 fëmijët. Pak minuta para se të largohej nga Tirana, Hyrie Bruka tregoi rrethanat e krimit gjatë një interviste për gazetën “Panorama”. Ajo shpjegoi arsyet pse kishte tentuar vrasjen e të shoqit dhe si ka vepruar hap pas hapi, pasi e ka goditur me sëpatë. “Ai ushtronte vazhdimisht dhunë fizike ndaj meje. Bëhej xheloz dhe na linte pa ngrënë mua dhe fëmijët. Nuk po e duroja më këtë gjendje dhe vendosa ta qëlloja me sëpatë. E godita në kokë për ta vrarë, por ai shpëtoi”, u shpreh 31-vjeçarja Bruka për gazetën.
A mund të na tregoni se në çfarë rrethanash vendosët të plagosnit bashkëshortin tuaj?
Ai kishte disa ditë që ishte kthyer nga Maqedonia, ku kalonte shumicën e kohës duke qëndruar tek të afërmit e tij dhe, që prej ditës që kishte ardhur, vetëm debate kishim në shtëpi. Më rrihte dhe ushtronte dhunë sistematikisht ndaj meje, në sy të katër fëmijëve. Përveçse na linte pa ngrënë, sepse nuk sillte para në shtëpi dhe mezi jetonim, ai bëhet xheloz pa arsye dhe pasi pinte dhe vinte në shtëpi i dehur, më rrihte dhe më godiste me çfarë t’i zinte dora. Edhe mbrëmë (mbrëmjen e së hënës) ndodhi e njëjta gjë. Kishte kaluar mesi i natës kur ndodhi ngjarja. Përveçse ishim zënë gjithë ditën, nga mëngjesi deri në darkë, ai vazhdonte ende të bërtiste, të kërcënonte dhe të më qëllonte. Ora mund të ishte rreth 01:30, kur arrita t’i shkëpus nga dora sëpatën, me të cilën donte të më godiste dhe e godita unë me të. E qëllova në kokë e ra në tokë i gjakosur dhe nuk lëvizi më.
Po fëmijët e panë ngjarjen kur ndodhi?
Po, fëmijët aty ishin, se ne në një dhomë të vogël jetonim. Ata panë gjithçka. Madje, në momentin kur ai më drejtoi sëpatën, fëmijët u futën në mes duke qarë dhe unë arrita t’ia shkëpus nga dora. Fëmijët kanë parë gjithmonë çdo gjë, sa herë ai më ka keqtrajtuar, sa herë na ka lënë pa ngrënë. Edhe fëmijët vuanin. Ata janë të vegjël. Vajza e madhe është 10 vjeç dhe djali i vogël është 4 vjeç. Si do të rriteshin ata? Unë punoja në një fabrikë këpucësh, po sa të ardhura mund të sillja unë për ta?! Kishim qiranë e shtëpisë për të paguar. Me të ardhurat që kishim, që nuk na mjaftonin as për bukë, unë nuk kam mundur kurrë që t’u blej rroba fëmijëve të mi. Ata gjithmonë janë veshur me rroba që më falnin mua të afërmit.
Pasi e plagosët, si vepruat?
Në fakt, ai po përpëlitej në tokë dhe unë mendova se e kisha vrarë. Dhe qëllimi im ishte ta vrisja, pavarësisht se ai shpëtoi. Ndaj unë e godita në kokë, që ta vrisja. Nuk mund të jetoja më në këtë gjendje të mjerueshme, duke ngrëne vetëm bukë e gjizë, unë të punoja dhe ai të më rrihte. Mora fëmijët, i nxora jashtë dhe u largova nga shtëpia që të lajmëroja policinë. Nuk dija asnjë adresë policie, por po ecja në këmbë që të shihja rrugës ndonjë polic dhe t’i tregoja se çfarë kisha bërë. Kam shkuar në polici nga ora 04:00 e mëngjesit dhe i kam njoftuar se kam vrarë burrin në shtëpi.
Po pse jeni e lirë tani, kur ju e pranuat që e keni kryer vetë krimin? Apo ka ndonjë person tjetër që ju ka ndihmuar dhe nuk e plagosët ju bashkëshortin?
Asnjë person nuk më ka ndihmuar. Të gjitha i kam bërë vetë. Unë kam vëllezër, por ata as që i kam lajmëruar se çfarë ka ndodhur. Nuk doja t’i ngatërroja me këtë histori. Doja që gjërat t’i zgjidhja vetë. Im shoq ma kishte sjellë në majë të hundës. Nuk e duroja më, prandaj vendosa ta vrisja. Jam e lirë, sepse kështu u vendos në polici. Më thanë që do të hetohesha në gjendje të lirë, pasi u tregova rrethanat se si kishte ndodhur ngjarja. Një polic më shoqëroi mua dhe fëmijët deri tek rrethrrotullimi i Doganës dhe më thanë që mund të shkoja në shtëpi, të merrja plaçkat e rrobat që më nevojiteshin dhe të ikja në Kukës tek familja ime.
Çfarë keni mësuar për shëndetin e bashkëshortit tuaj tani që ndodhet në spital?
Nuk dua ta di fare se çfarë bëhet me të. Më thanë që kishte shpëtuar, por ishte në gjendje të rëndë. Në fakt, për mua më mirë të kishte vdekur. Unë e doja të vdekur, jo që të jetonte prapë. Nuk më intereson se çfarë i ndodh në vazhdim. Unë do iki bashkë me fëmijët te familja ime dhe nuk dua që ai të na shohë më.
Po familjarët e tu dhe të tij i keni lajmëruar se çfarë ka ndodhur?
Unë nuk kam lajmëruar as të mitë, të tijtë jo e jo. Nuk e di se çfarë ka bërë policia. Mbase i kanë lajmëruar ata. Por mua të paktën nuk më ka marrë askush në telefon. Ndoshta edhe mendojnë se jam ende në polici e arrestuar.

AUTORJA

Në njoftimin zyrtar, Policia e Tiranës shprehej dje se “Në një banesë private tek ish-Kombinati “Josif Pashko”, pas një konflikti brenda ambienteve familjare, shtetasja Hyrie Bruka, 31 vjeç, ka goditur me armë të ftohtë (sëpatë) bashkëshortin e saj, shtetasin Qazim Bruka, i cili u dërgua menjëherë në Spitalin Ushtarak Tiranë në gjendje të rëndë shëndetësore”. Por, disa orë më vonë, e dyshuara si autore e krimit në familje është lënë e lirë, duke dalë nga komisariati, pasi u vendos hetimi i saj në gjendje të lirë.

Incidenti pas lirimit, gruas i humbin 4 fëmijët

Fëmijët e çiftit Bruka, dje duke u larguar nga Tirana

Pas shoqërimit dhe marrjes në pyetje të autores së krimit në familje, Hyria Bruka, policia vendosi që ajo të hetohet në gjendje të lirë. Një oficer policie e shoqëroi atë dhe katër fëmijët e saj të mitur deri pranë Doganës, ku ajo do të largohej me autobus në drejtim të Kukësit, tek familja e saj. Në kohën që ajo u shkëput nga fëmijët, për t’u rikthyer në banesën ku jetonte me qira me bashkëshortin, ku do të merrte disa rroba, 31-vjeçarja nuk mbante mend se ku i kishte lënë fëmijët. Në gjendje mjaft të tronditur, duke menduar se tashmë humbi edhe fëmijët e saj, gruas iu deshën disa orë dhe ndihma e policisë për t’i gjetur. Më pas u nis në drejtim të Kukësit.

 

 

 

“Disa orë para ngjarjes i dëgjova të debatonin me njëri-tjetrin”

Kolë Zemraku

Personi që u kishte dhënë me qira Hyrie dhe Qazim Brukës dhomën ku ndodhi krimi në familje, tregon se disa orë para se të ndodhte ngjarja kishte dëgjuar çiftin duke debatuar. Kolë Zemraku tregoi dje për gazetën se ai i kishte kërkuar çiftit që të largoheshin dhe të gjenin një shtëpi tjetër me qira, pasi sipas tij nuk ishin familje e rregullt. Ndërsa për ngjarjen, qiraxhiu fajëson bashkëshorten e të plagosurit, pasi sipas tij Qazim Bruka njihej në të gjithë zonën si njeri i ndershëm dhe punonte për të mbajtur me bukë fëmijët. “Një ditë para se të ndodhte ngjarja, kur mora vesh që Qazimi ishte kthyer nga Maqedonia, pasi atje punonte me nga 2-3 muaj si çoban, i kërkova që ta takoj. I thashë që të largoheshin dhe të gjenin një shtëpi tjetër, pasi mua po më hapnin shumë probleme dhe do të më ktheheshin djemtë për të jetuar aty ku jetonin ata. Ndërsa dje (të hënën) i dëgjova në shkallë që po debatonin për t’u rikthyer në Kukës. Ai i thoshte që do të iknin në Kukës, ndërsa ajo kundërshtonte, sepse nuk donte të largohej”, tregoi dje qiraxhiu i çiftit Bruka, Kolë Zemraku. Ai shprehet se çuditërisht, ndryshe nga herët e tjera kur ata debatonin, natën e krimit nuk ka dëgjuar asnjë të bërtitur, debat apo të qarat e fëmijëve, që sipas tij mund të ishin normale pas asaj që ndodhi. “Në orën 06:00 të mëngjesit erdhi policia. Më thanë që brenda kishim një person të vdekur, sepse ajo kështu ishte shprehur në polici, që e kishte vrarë të shoqin. U trondita dhe nxitova të zbrisja poshtë, sepse ne jetojmë në katin sipër apartamentit ku banonin ata. Kur hapëm derën, e pamë Qazimin të gjakosur, lakuriq dhe të mbuluar vetëm me një leckë. Vetëm një damar i rrihte në qafë dhe policia nxitoi që ta transportonte në spital”, u shpreh Zemraku. Ndërsa e justifikon xhelozinë e të plagosurit ndaj gruas, pasi sipas tij sa herë që ai ishte në Maqedoni, ajo kthehej vonë në shtëpi, madje edhe dilte natën nga shtëpia.

 

ETLEVA DELIA

 

© Panorama.al

Te lidhura