Pitela, Topit: Bashkëpunimin dhe vullnet politik

Feb 21, 2012 | 11:35

TIRANE- Zëvendëspresidenti i Parlamentit Evropian, Xhovani Pitela ka vlerësuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe përmirësimin e klimës politike në vend në të mirë të rrugës integruese të Shqipërisë drejt BE-së.

Gjatë takimit të sotëm me kreun e shtetit, Bamir Topi, Pitela shprehu besimin se “duke përmirësuar klimën dhe bashkëpunimin politik si dhe duke gjetur vullnetin e duhur, edhe Shqipëria do të arrijë të përmbushë me sukses dhe sa më shpejt detyrimet integruese për në Bashkimin Evropian që lidhen me pavarësinë institucioneve kushtetuese, me reformat e domosdoshme, me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, etj”.

Nga ana e tij, Topi çmoi angazhimin dhe përkushtimin e vazhdueshëm të Piteles në procesin e liberalizmit të vizave si në mbështetje të integrimit të Shqipërisë në familjen evropiane.

Të dy diskutuan mbi zhvillimet më të fundit politike në vend duke vënë në dukje nevojën e vazhdimit të bashkëpunimit politik për realizimin e reformës zgjedhore, miratimin e Gjykatës Administrative si dhe përmbushjen e të gjitha kritereve integruese të vendit tonë.

© Panorama.al

Te lidhura