NGA PROF. BARDHYL MUSAI
Ende pa u shuar furia mediatike për rezultatet mjaft të ulëta e testit “PISA 2022”, të publikuara në dhjetor të vitit të shkuar dhe më pas në qershor për të menduarit krijues, tani po troket “PISA 2025”, që do të zhvillohet pas disa muajsh, në pranverë. Për rezultatet e testit “PISA 2018” botova shkrimin me titull “Tronditje që duhet të na shkundë” dhe për këtë të fundit artikullin e titullova “Të korrësh atë që ke mbjellë”. Në këto shkrime kam bërë analizën kritike konstruktive të rezultateve, vazhdimisht në rënie, duke propozuar edhe rrugët e zgjidhjes, pa pretenduar se ato janë absolute.
REAGIME TË VAKËTA, NISMA IMPROVIZUESE
Reagimi ka qenë dhe mbetet i vakët, justifikues, duke mos i dhënë rëndësinë e duhur e vëmendjen e posaçme kësaj gjendjeje me të vërtetë dramatike të arsimit. Improvizohen nisma e ndërhyrje të befta sikur të jenë mekanizma magjikë që do të ndryshojnë menjëherë situatën. E tillë është edhe nisma e fundit për trajnimin e 4 mijë mësuesve, të cilët do të punojnë me nxënësit me modele testesh, duke pretenduar se rezultatet e raundit të ardhshëm, “PISA 2025”, do të jenë më të mira. Nisma të tilla nuk i besojnë tashmë as ata që i sajojnë, as ata që i artikulojnë me zell në medie, as pjesëmarrësit në të tilla aktivitete, madje as edhe qytetarët e thjeshtë me dijeni minimale për këtë lloj testimi.
Ende nuk është kuptuar që ky testim është politikë arsimore dhe rezultatet e pakënaqshme nuk përmirësohen me nisma “deus ex machina”, që sapo fillon një ndërhyrje, lihet në mes dhe pason një tjetër. Kjo qasje e tipit “korr e mos lidh” është bërë tashmë mbizotëruese në arsim. Testet PISA janë gjithnjë në ndryshim, në çdo raund pasues ato kanë nga një risi, duke u përshtatur me zhvillimet e vrullshme në një botë që ndryshon me shpejtësi. Ideja mbi të cilën zhvillohet ky lloj testimi ka të bëjë me vlerësimin e nxënësve si i zbatojnë aftësitë dhe dijet e tyre në problemet e jetës reale, të mendojnë në mënyrë kritike e krijuese në të gjitha disiplinat dhe të demonstrojnë të nxënët produktiv.
VËMENDJE PËR TESTIN, POR JO PËR TË MENDUARIT
Mësuesve u kërkohet që “t’i mësojnë nxënësit si të dalin mirë në test”, duke i përgatitur për temat që vlerësohen. Kjo favorizon të mbajturit mend, riprodhimin e informacionit dhe mënyrat praktike për të kryer testin. Në këtë mënyrë mënjanohet krijimtaria dhe të menduarit kritik, pengohet zgjidhja e problemeve, inovacioni dhe përshtatja në mjedisin që ndryshon vazhdimisht, nxënësit nuk përfshihen në përvoja reale, të kuptimshme dhe të larmishme të të nxënit. Përvoja e vendeve që kanë rezultate mjaft të mira në PISA dëshmon se autoritetet arsimore të këtyre vendeve më shumë përqendrohen në kurrikulën dhe mësimdhënien, krahas aspekteve të tjera, e më pak në testimin.
Motoja e tyre është: “Testo më pak, të arrish më shumë”. Ne kemi një kurrikul të paharmonizuar, të ngarkuar në informacion, prandaj është i domosdoshëm rikonceptimi i saj e të përqendrohet në shprehitë e zgjidhjes së problemeve, të menduarit kritik, krijimtarinë dhe zbatimin e dijeve në kontekste të botës reale, ku nxënësit inkurajohen të kuptojnë thellësisht një numër të vogël konceptesh kryesore, në matematikë, shkencë, teknologji, të lexuarit e të shkruarit, në vend që të mbulojnë shumë tema gjerësisht e në mënyrë sipërfaqësore.
CILËSIA E MËSUESVE
Disa vjet më parë, profesori i Harvardit, Tony Wagner, gjatë diskutimit për një film dokumentar “Fenomeni i Finlandës”, midis të tjerash bëri këtë koment: “Një investim i jashtëzakonshëm në mësimdhënie e bëri atë profesionin më të kërkuar në Finlandë”. Finlanda përmes reformimit tërësor disavjeçar të sistemit renditet tashmë në vendet kryesuese të tabelës së rezultateve. Kjo do të thotë se rëndësi e veçantë i kushtohet procesit që ndodh brenda në klasë, ku rolin kryesor e ka mësuesi, që në vend të transmetojë informacion, i aftëson nxënësit në ndërtimin dhe krijimin e dijeve.
Investimi në trajnimin dhe zhvillimin e vazhdueshëm profesional të mësuesve, përmes programeve rigoroze që të përdorin metoda inovative të mësimdhënies është domosdoshmëri. Kjo arrihet përmes përmirësimit të programeve të përgatitjes dhe trajnimit të mësuesve dhe ofrimit të mundësive për zhvillim të vazhdueshëm profesional. Fatkeqësisht te ne ende mësuesi investon për certifikata për t’i pasur në dosje si dëshmi, pa menduar kush për vlerën e tyre.
ÇFARË DËSHMOI PISA PËR KRIJIMTARINË?
“PISA 2022” mati për herë të parë të menduarit krijues të nxënësve. Kjo u përkufizua si aftësia për të prodhuar ide të ndryshme dhe origjinale. Nga vlerësimi arrihet në përfundimin se sistemet arsimore që shënuan rezultate të larta në të menduarit krijues pothuajse performuan njëjtë në matematikë, lexim dhe shkencë. Ky korrelacion përkon edhe me Shqipërinë, rezultatet shumë të ulëta në të tri fushat janë të tilla edhe në krijimtari. Midis 64 vendeve që zbatuan testin kognitiv të të menduarit krijues, Shqipëria renditet e fundit me 13 pikë, ku në vendin e parë është Singapori me 41 pikë.
ÇFARË KA TË RE PISA 2025?
“PISA 2025” krahas vlerësimit të aftësive thelbësore, do të prezantojë edhe vlerësimin e parë ndërkombëtar të aftësisë së nxënësve për të mësuar dhe për të përparuar në një mjedis digjital. OECD ka shpallur kornizën për testin PISA 2025, i cili do të përfshijë një fushë inovative, të nxënët në botën digjitale, duke synuar matjen e aftësisë së nxënësve për t’u përfshirë në mësim të vetërregulluar gjatë përdorimit të mjeteve digjitale. Korniza shkencore “PISA 2025” përcakton kompetencat që zhvillohen nga edukimi shkencor.
Këto perceptohen si rezultat themelor për nxënësit. Vlerësimi “PISA 2025” do të matë se sa mirë po i përgatisin vendet nxënësit e tyre për shkencën dhe se si ajo prodhon dije të besueshme. Thelbi i testimit PISA është ky: nxënësit ndërtojnë dije në vend të riprodhimit dhe prodhojnë dije në vend që të jenë konsumatorë të saj.
PISA 2025 përmban këtë kompetencë: “Ndërtimi dhe vlerësimi i modeleve për kërkimin shkencor dhe interpretimi në mënyrë kritike i të dhënave dhe provave shkencore”. Kjo vë theks të ri në edukimin e nxënësve për të hulumtuar, vlerësuar dhe përdorur dijet në situata të panjohura më parë. PISA do të zhvendosë fokusin e testimit nga matematika dhe leximi në njohuritë shkencore, të nxënët në botën digjitale dhe do të prezantojë një vlerësim të ri për gjuhët e huaja.
SHQIPËRIA NË “PISA”
Shqipëria ka qenë pjesë e këtij testi që nga viti 2000 dhe i është nënshtruar vlerësimit të fundit në vitin 2022. Rezultatet ishin të dobëta, madje në rënie gjatë një dekade. Nxënësit tanë morën 368 pikë në matematikë, 69 pikë më pak se në testin e 2018-ës dhe 21 pikë më pak se në vitin 2012. Në shkrim-lexim ata morën 358 pikë, 47 pikë më pak se në 2018 dhe 35 pikë më pak se në 2012. Në raportin e fundit të PISA-s shkruhet: “Ndërsa shkenca dhe lidhja e saj me mjedisin do të jetë fokusi i testit të 2025-ës, ndërkohë Shqipëria rrezikon të përkeqësojë më tej renditjen e saj, pasi vendi është i dobët në arsimin digjital dhe kërkimin shkencor.
Në Shqipëri, mësimi digjital mungon plotësisht në arsimin parauniversitar. Klasat digjitale nuk janë funksionale, shkollave u mungojnë tabletat, interneti dhe për më tepër, mësuesit nuk janë të aftë në zhvillimin e mësimit të përmirësuar me teknologji”. Bazuar në këtë konstatim, duke iu referuar edhe karakteristikave të “PISA-s 2025”, rezultatet nuk pritet të jenë në rritje, por në rënie. Si shtetas i Republikës, si person që tërë jetën ia kam kushtuar arsimit, nuk ndihem mirë kur lexoj në raportet ndërkombëtare treguesit e arsimit në përkeqësim të vazhdueshëm. Përse marrim pjesë në të tilla testime, kur për rezultatet në rënie nuk ka reflektim të thellë, nuk bëhet analizë e gjendjes?
NË VEND TË MBYLLJES: MORATORIUM
Arritja e përmirësimeve thelbësore në vlerësimin PISA kërkon përpjekje të pandërprera disavjeçare, të fokusuara dhe të qëndrueshme, andaj improvizimet, nismat e nxituara, të pamenduara e të pjesshme nuk japin rezultat. Me qëllim që të ketë kohë të mjaftueshme për përmirësime, Shqipëria e ka të nevojshme të shpallë një MORATORIUM, për të paktën dy raunde të njëpasnjëshme në PISA me qëllim që të bëjë ndërhyrje sistemike dhe sistematike.
Kjo kërkon guxim dhe konsensus politik e mbarëqytetar, përtej mandateve qeverisës. Nuk është e lehtë, por e mundshme. Nëse nuk do të kemi pezullim të përkohshëm nga pjesëmarrja në PISA, atëherë pas publikimit të rezultateve në dhjetor 2026, pingpongu mediatik me Ministrinë e Arsimit do të jetë njëjtë si më parë, ndërsa arsimi do të vazhdojë rënien e mëtejshme. Të presim nëse do të ndodhë njëra apo tjetra?
/Gazeta Panorama
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al