Kush deshiron te mbaje ne memorie piramiden duhet te shkoje te beje nje foto para saj ose ta filmoje me kameren e tij. Ajo ndertese gjigante ne mes te kryeqytetit ka shume gjasa te shkaterrohet. Ne fakt, Piramida, e fundit nga simbolet e Tiranes se para viteve 1990, e ka marre vendimin per shembjen shume kohe me pare.
Ka me dhjetëra vendime që e kanë shembur copa-copa godinën. Dhe të gjitha këto ndërhyrje janë bërë në syrin e qytetarëve të këtij qyteti të ri. Piramida u vendos të shembej ditën që në vend të “Kinema Republikës” u ndërtua një pallat. U shemb më tej ditën që në vend të kinema “17 Nëntorit”, të ndërtuar në vitin 1926, u vendos të bëhej një pallat tjetër. Piramida u rrafshua ditën që lulishtja poshtë monumentit të “Skënderbeut”, aty ku të gjithë kemi foto me familjen apo gjyshërit, po modifikohet dhe po merr vulën e ishkreut të Bashkisë. Piramida u zhbë kur KRRT mori vendim për ndryshimin e përfundimtar dhe tërësor të sheshit qendror të qytetit. Është rrafshuar kur në lagjet tona janë shndërruar me qindra ambiente të vulosura thellë në fëmijërinë dhe rininë tonë. Të gjitha këto vendim dhe shumë të tjera që të gjithë mund t’ia shtojmë kësaj liste, e kanë shembur pak nga pak edhe Piramidën. Ajo godinë, ishte simbol i memories së qytetit, po aq (ose ndoshta shumë më pak) sa të gjitha godinat e tjera që janë rrafshuar një e nga një në sytë tanë, pa reaguar. Ose duke reaguar në formën e një shënimi, që më shumë i shërben zhurmës së shpirtit, për ta pasur si ilaç qetësimi në kohë pleqërie. Sot Piramida është shembur, dhe për këtë kanë faj edhe të gjithë qytetarët e Tiranës. Këta të fundit, gjatë këtyre 10 viteve kanë pranuar që ky qytet të shndërrohet tërësisht nga çerdhet ku këta qytetarë kanë marrë formimin e parë, deri te fushat e futbollit e pikat e tjera të referimit ku janë lënë takimet e rinisë a pleqërisë. Të gjitha këto fakte e bëjnë naive ngritjen e intelektualëve dhe grumbullimin mediatik të disa qindra qytetarëve përpara godinës së madhe. Tiranës këto 10 vite i është zhbërë memoria. I janë shembur pikat e referimit dhe i janë zëvendësuar me pika betoni të larta. Protesta për mos shembjen e Piramidës duket të ishte organizuar vite më parë, përballë Bashkisë së Tiranës apo KRRTRSH, kur merrej vendimi për shembjen e të parës pikë historike të qytetit.
Duhet të organizohej poshtë zyrës së kreut të Bashkisë ditën kur firmosej ndërtimi i kullave gjigande në lulishtet pranë qendrës së qytetit. Sot është tepër vonë për të mbrojtur Piramidën. Këtij qyteti nuk i duhet më e kaluara dhe Piramida nuk ka aspak pamjen e një simboli që përfaqëson të kaluarën. Është qartësisht politike mbrojtja e të vetmes godinë, që është krijuar tërësisht për të përjetësuar simbolin e Enverit. Sot, Tiranën e vjetër nuk mund ta përfaqësojë “Piramida e Enverit”. Kush mundohet ta quajë “Piramidën e Tiranës”, e ka gabim. Në këtë qytetet asaj godine gjigande i është thirrur gjithmonë Piramida e “Enverit” ose e “Dullës”, për ata që kanë më shumë se 20 vite që jetojnë këtu. “Piramida e Tiranës” është një tjetër objekt që po ndërtohet në sheshin kryesor me firmën e kreut të vjetër të Bashkisë. Dhe të jeni të sigurt që tiranasit që kanë lejuar që ky qytetet të ndryshojë rrënjësisht, nuk duan që të vetmen pikë simboli të kenë “Piramidën e Enverit”. “E vetmja gjë për të cilën ka nevojë e keqja që të triumfojë, është që njerëzit e mirë të mos bëjnë asgjë”. Në rast se gjatë këtyre 10 viteve njerëzit e mirë do të kishin ngritur zërin e tyre, Tirana do të kishte sërish historinë e saj arkitekturore si qytet dhe sot asnjë kryeministri apo kryeparlamentari nuk do t’i shkonte në mendje të shembte jo Piramidën gjigande, por asnjë shtëpi të vjetër nga ato që digjen rëndom te Pazarii Ri. Por ky qytet ka heshtur aq gjatë gjatëshndërrimit të memories së tij, sa që tani duket keq po të reagojë. Aq më tepër për ish-shtëpinë e së keqes.
© Panorama.al












