Piramida, qytetarë e arkitektë firmosin peticionin kundër prishjes

Jul 22, 2011 | 11:23

Një grup qytetarësh, arkitektë e publicistë protestuan dje pasdite përpara Piramidës, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, duke shprehur qëndrimin e tyre kundër prishjes së saj për të ndërtuar parlamentin e ri. Gjatë tubimit, nisi procesi i firmosje së peticionit që shpreh kundërshtimin ndaj prishjes së Piramidës. Arkitekti i njohur Artan Shkreli tha se vendimi i Parlamentit për shembjen e kësaj strukture është absurd, ashtu si dhe argumentet e dhëna për këtë projekt. “Ata që hedhin poshtë vlerat e Piramidës, janë njerëz që punojnë për pushtetin dhe bëjnë sikur nuk kanë lidhje me të. Ambasadorët janë të terrorizuar nga ky veprim i kastës qeveritare, e cila shpërfill opinionin publik”, u shpreh Shkreli. Në të njëjtën linjë u shpreh edhe mbrojtësi i trashëgimisë kulturore, Artan Lame, i cili tha se argumenti i qeverisë se Piramida përfaqëson ish-diktatorin Enver Hoxha, është një absurditet. “Të rinjtë nuk e lidhin fare Piramidën me Enverin dhe kanë bërë këtë frazë: Mbani Enverin dhe na lini Piramidën. Prandaj, ringjallja e kësaj figure është justifikimi më i turpshëm”, u shpreh Lame. Arkitekti i njohur Maks Velo e ka kritikuar ashpër projektin e qeverisë për të prishur Piramidën. Duke folur nga tubimi qytetar përpara kësaj strukture, Velo ka nënvizuar se Piramida, ndryshe nga sa pretendon qeveria, nuk është pronë e diktatorit Enver Hoxha. “Piramida nuk është pronë e Enver Hoxhës dhe për këtë nuk mund të prishet. Për këtë Piramidë kam punuar unë dhe shumë të tjerë. Nëse në kohën e luftës prishej shtëpia e një beu, ajo ishte pronë e beut. Por kjo nuk është pronë e diktatorit Hoxha”, u shpreh Velo. Ai e ka cilësuar si një “marrëzi” projektin e qeverisë për parlamentin e ri, lekët për ndërtimin e të cilit mund të shkojnë fare mirë për fëmijët në nevojë. “Deklarata se do të bëjmë parlamentin më të mirë në Europë, është marrëzi. Këto para me të cilat do të bëhet parlamenti, t’ua çojnë fëmijëve të ngujuar nga gjakmarrja dhe atyre njerëzve që nga gjendja e rëndë vrasin veten”, ka theksuar Velo.

© Panorama.al

Te lidhura