Piramida, Kushtetuesja rrëzon Bashkinë

Jun 11, 2011 | 10:32

Gjykata Kushtetuese rrëzoi dje kërkesën e Bashkisë së Tiranës për pezullimin e vendimit të Kuvendit për ngritjen e kompleksit të ri parlamentar tek ish-Piramida.Bashkia e Tiranës iu drejtua Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar fillimisht pezullim të zbatimit të vendimit të Kuvendit për kompleksin parlamentar, por dhe gjykimin e çështjes në themel, duke evidentuar çështje të përplasjes së kompetencave mes pushtetit vendor dhe legjislativit. Përfaqësuesja e Bashkisë së Tiranës, Natasha Kondi, i kërkoi Gjykatës fillimisht pezullimin e zbatimit të vendimit, duke parashtruar pretendimet e saj. “Kërkohet pezullimi i vendimit 66 të Kuvendit, për shkak të urgjencës së veprimeve që po bëhen për kthimin e tij në ligj, për dëmin e pariparueshëm financiar dhe mungesën ligjore”, u shpreh Kondi, ndërkohë që përfaqësuesit e maxhorancës i kundërshtuan këto pretendime. “Të kërkosh pezullimin e zbatimit të Vendimit Nr. 66, datë 21.10.2010, është alogjike, e pabazuar në ligj dhe në prova. Kërkuesi është bazuar në nenin 45, të Ligjit Nr. 8577, datë 10.02.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, sipas të cilit Gjykata Kushtetuese vlerëson se, kur zbatimi i aktit sjell pasoja që prekin interesat shtetërore, shoqërore ose të individëve, vendos mbi pezullimin, apo jo të zbatimit. Nuk jemi në kushtet e nenit 45 të Kushtetutës dhe prishja as ka ndodhur, dhe as sjell ndonjë pasojë me interesa shtetërore”, u shpreh përfaqësuesi i Kuvendit, Lulzim Lelçaj. Trupi gjykues, pasi u tërhoq për 15 minuta, shpalli vendimin e rrëzimit të kërkesës së Bashkisë së Tiranës. “Gjykata, pasi dëgjoi pretendimin e palëve në lidhje me kërkesën paraprake për pezullimin e zbatimit të vendimit të Kuvendit, vendosi rrëzimin e kërkesës, pasi në këtë fazë nuk ka sjellë prova, argumente bindshëm për të marrë masën provizore të pezullimit të vendimit”, u shpreh kryetari i Gjykatës, Bashkim Dedja.
Kompetencat
Duke gjykuar çështjen në themel, palët përplasën argumentet e tyre lidhur me kompetencat e Kuvendit të Shqipërisë për të ndërhyrë me prishje dhe ndërtim të një objekti në një zonë administrative nën juridiksionin e Bashkisë së Tiranës. Për analogji, përfaqësuesja e Bashkisë ka sjellë dhe çështjen e Zogut të Zi, kur Gjykata Kushtetuese u shpreh lidhur me kompetencat e shkelura të pushtetit vendor nga pushteti qendror.
“Vendimi 66 i Kuvendit, për ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar, bie në kundërshtim me parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve që sanksionohet në nenin 7 të Kushtetutës. Përmes vendimit 66, Kuvendi ka marrë atributet e pushtetit vendor, sa i takon planifikimit urban dhe menaxhimit të tokës. Vendimi i Kuvendit vjen në kundërshtim edhe me parimin e shtetit të së drejtës, parim i sanksionuar në nenin 4 të Kushtetutës. Legjislacioni duhet të jetë në harmoni, aktet normative nuk duhet të rregullohen në mënyrë antagoniste me njëri-tjetrin”, u shpreh përfaqësuesja e Bashkisë, Natasha Kondi. Ndërsa përfaqësuesit e maxhorancës u shprehën gjatë gjykimit se kryetari i Bashkisë së Tiranës nuk ka sjellë asnjë kontestim të projektit të kompleksit të ri parlamentar. Ata kanë sjellë vazhdimisht referencat nga komisioni shtetëror për kompleksin e ri parlamentar, i ngritur në vitin 2005, kur Edi Rama ishte anëtar i këtij komisioni. Ai projekt vendoste ngritjen e kompleksit të ri parlamentar në ambientet ekzistuese të kryesisë së Kuvendit, ndërsa projekti i ri kërkon ngritjen e tij tek ish-Piramida pas prishjes së saj. Gjykata pritet të japë vendimin e saj në një afat të pacaktuar, ndërkohë që vendimi i Kuvendit për kompleksin e ri mund të zbatohet në çdo moment.

Pretendimet e Bashkisë së Tiranës

Kërkohet pezullimi i vendimit 66 të Kuvendit, për shkak të urgjencës së veprimeve që po bëhen për kthimin e tij në ligj,  dëmi i pariparueshëm financiar dhe mungesa ligjore

Vendimi 66 i Kuvendit për ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar bie në kundërshtim me parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve që sanksionohet në nenin 7 të Kushtetutës.

Përmes vendimit 66, Kuvendi ka marrë atributet e pushtetit vendor, sa i takon planifikimit urban dhe menaxhimit të tokës.

Vendimi i Kuvendit vjen në kundërshtim dhe me parimin e shtetit të së drejtës, parim i sanksionuar në nenin 4 të Kushtetutës. Legjislacioni duhet të jetë në harmoni, aktet normative nuk duhet të rregullohen në mënyrë antagoniste me njeri-tjetrin.

Kompleksi i ri nuk është në përputhje me studimin e miratuar të Qendrës së Tiranës. Nga ana procedurale, vendimi për ndërtimin e tij nuk mund të përputhet me planin urbanistik të qytetit.

Debati mes perfaqesuesve te kuvendit me gjyqtaret

Sokol Sadushi: Ju mbajtët qëndrimin se çështja e planifikimit urban dhe e menaxhimit të territorit nuk është çështje e nivelit kushtetutës. Çfarë çështje është kjo sipas jush?
Lulzim Lelçaj(Kuvendi): Është një çështje e parashikuar nga ligji, dhe jo e nivelit kushtetues.
Sokol Sadushi: A është çështje e planifikimit të territorit ky vendim?
Lulzim Lelçaj: Vendimi nuk është një çështje e planifikimit të territorit, pasi ky vendim është vetëm një inicim i një procedure për ndërtimin e kompleksit. Në momentin kur ky projekt do të hyjë në fazën e planifikimit të territorit, ato do të gjejnë zgjidhje mbi bazën e legjislacionit. Ky vendim nuk merr përsipër të normojë të gjithë procedurën e ndërtimit të kompleksit parlamentar, nga ideja e deri tek dorëzimi i objektit.
Sokol Sadushi: Kush e ka miratuar planvendosjen se ku do të ndërtohet kompleksi? Kush e ka përcaktuar hapjen e konkursit? Kush e ka përpiluar detyrën e projektimit?
Lulzim Lelçaj: Kjo procedurë është vazhdimësi e iniciativës e vitit 2005 të Kuvendit të Shqipërisë. Detyra e projektuar është marrë nga 2005 dhe janë bërë vetëm përshtatjet me projektin e ri.
Sokol Sadushi: Si ka qenë planvendosja e vitit 2005?
Lulzim Lelçaj: Vendimi i 2010 vetëm kopjon vendimin e marrë më 2005, madje duke rregulluar disa momente, siç është koha e ndërtimit, kur atëherë parashikohej brenda 5 vjetësh.
Sokol Sadushi: Ku në ç’vend? Kush është organi që ka përcaktuar planvendosjen e kompleksit parlamentar?
Lulzim Lelçaj: Përgjigja është në vendimin e Kuvendit.
Sokol Sadushi: Është qeverisja vendore organi që përcakton këto tre momente që sipërcitova?
Lulzim Lelçaj: Patjetër që është dhe qeverisja vendore, për sa kohë që kryetari i Bashkisë së Tiranës është edhe anëtar i komisionit.
Sokol Sadushi: Qeverisja vendore ka miratuar planin e vendosjes që të ndërtohet te Piramida?
Lulzim Lelçaj: Po, patjetër. E thamë që kryetari i Bashkisë së Tiranës, në cilësinë e anëtarit të komisionit, nuk ka ngritur asnjë lloj kundërshtimi dhe ne cituam pjesë nga procesverbali i mbledhjes që e vërteton këtë. Nëse do të kishte pasur ndonjë konflikt mes dy pushteteve, vendi i parë i betejës do të kishte qenë komisioni shtetëror.
Sokol Sadushi: sipas këndvështrimit tuj, kush duhet të jetë organi që duhet të japë lejen e ndërtimit për ngritjen e kompleksit të ri parlamentar?
Lulzim Lelçaj: Organi që ka parashikuar ligji. Sigurisht që Kuvendi nuk jep leje.
Sokol Sadushi: A mund ta pohoni kush?
Lulzim Lelçaj: Ne do ti drejtohemi organeve kompetente dhe në momentin e caktuar do të merret leja e ndërtimit.
Sokol Sadushi: Meqenëse nuk iu përgjigjët pyetjes sime, po ju them se organi që jep lejen e ndërtimit është KRT e Bashkisë së Tiranës. Po vendimin për prishjen e godinës, kush duhet ta marrë?
Lulzim Leçaj: Vendimin për prishjen e godinës, kurdo që të merret, do të merret nga organi kompetent.
Sokol Sadushi: Pra, lejen dhe për prishjen, dhe për ndërtimin do ta marri organi i qeverisjes vendore?
Lulzim Lelçaj: Jo, nuk e thashë unë këtë, e thatë ju. Megjithatë, ne themi se të gjitha këto nuk i përkasin objektit të këtij shqyrtimi dhe nuk janë pjesë e këtij vendimi.

 

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura