Pink, ftesa deputetëve për Ditën Kundër Homofobisë

May 10, 2012 | 13:49
Gramoz Ruçi

Batuta në Komisionin e Integrimit për Festivalin e Diversitetit Seksual.

Bello: Ç’lidhje kanë ata me vëllezërit Frashëri? Ruçi: Mua e Sherefedinin nuk na kanë ftuar. Ose na quajnë anti, ose pro tyre.

Ambasada PINK/LGBD dhe organizatorët e festivalit të Diversitetit Seksual që do të zhvillohet në datën 17 maj në Tiranë, ose, siç është njoftuar, si “Parada gay”, u kanë dërguar dje ftesë të gjithë deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë.
Ftesat e pjesëmarrjes u janë shpërndarë deputetëve në kutinë e tyre postare dhe në komisionet parlamentare ku ata bëjnë pjesë. Kjo ftesë pjesëmarrjeje është shoqëruar me batuta dhe humor nga anëtarët e Komisionit Parlamentar të Integrimit Europian. Anëtarët e Partisë Demokratike dhe ata të Partisë Socialiste kanë shprehur habi për këtë ftesë të bërë në adresë të tyre dhe gjatë fillimit të mbledhjes kanë shkëmbyer disa batuta me njëri-tjetrin. Si rrallëherë gjatë shkëmbimit të batutave është përfshirë dhe kryetari i Grupit të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, i cili tha se ishte i vetmi në Komisionin Parlamentar të Integrimit që nuk kishte marrë ftesë për të marrë pjesë në festivalin e Ambasadës Pink. Por, nënkryetarja e Komisionit, Mesila Doda, ka vënë në pah se ftesa mungonte dhe për anëtarin e PD-së, Sherefedin Shehu. “Ne të dyve (Sherefedin Shehut), o na quajnë anti, ose na quajnë pro tyre. Po qe kjo e dyta, i bie të bëhemi anëtarë të shoqatës pastaj”, theksoi kryetari i Grupit të PS-së. Kjo batutë e Ruçit u shoqërua me të qeshura në sallë, teksa deputetët e tjerë kanë dhënë disa variante për këtë mungesë të ftesës për dy deputetët e Komisionit të Integrimit. Për kryetarin e Komisionit, Ditmir Bushati, një ndër mundësitë e mungesës së ftesës mund të ishte dhe fakti se kreu i Grupit të PS-së është përfshirë në takimet dhe negociatat për zgjedhjen e Presidentit. “Nuk kanë marrë ftesë mbase se po merren me zgjedhjen e Presidentit”, tha me humor Bushati. Ndërkohë, nënkryetarja Mesila Doda theksoi se përfaqësimi në këtë aktivitet duhet të bëhej nga kryetari i Komisionit, Ditmir Bushati, por ky i fundit ka kërkuar që të mos tejkalohej masa me batuta për shkak të pranisë së mediave.

Batutat në Komisionin e Integrimit
Ditmir Bushati:
Me tha kryetari i Grupit që kishit pasur ankesa për mua.
Mesila Doda: Po, kur isha unë kryetare, mbaroi mbledhja për pak minuta.
Marko Bello: Normal. Pastaj dy anëtarët e Komisionit të Integrimit (Gramoz Ruçi dhe Ilir Meta) shkuan për takim (në Sheraton).
Marko Bello: Mesila, e more ftesën? (e Ambasadës Pik.) Janë prioriteti i 11-të këta. Kush do ta mbulojë nga ju gazetarët aktivitetin e datës 17? Apo do jenë njerëz të veçantë?
Mesila Doda: (Hap zarfin e lexon): Ç’ftesë?! Unë nuk shkoj atje. Ditmir, të takon ty të shkosh, se je kryetari i Komisionit të Integrimit. Shero, (Sherefedin Shehut) të ka ardhur ftesa ty?
Sherefedin Shehu: Jo, por edhe sikur të më vijë, nuk shkoj atje.
Ditmir Bushati: Zonja Doda, ka dhe prezencë mediatike kjo seancë (qesh), se do merren jo me Kelin, por edhe me gruan e Kelit.
Mesila Doda: Ku, te “Panorama”?!
Marko Bello: E keni parë ftesën? Aktivitetin do ta përshëndesë Altin Hazizaj, ambasador i parë i Pink, zoti Spiro Ksera, ministër i Punës, Henk van den Dool, ambasador i Mbretërisë së Vendeve të Ulëta dhe Igli Totozani. (Qesh.)
Ditmir Bushati: Eh, ç’do hiqni nesër ju. (Qesh.)
Marko Bello: Pse, do takohen te “Vëllezërit Frashëri”? Ç’lidhje kanë ata me këtë aktivitet?
Gramoz Ruçi: Vetëm unë nuk paskam marrë ftesë.
Mesila Doda: As Shero (Sherefedin Shehu) nuk ka marrë.
Ditmir Bushati: Marko, s’kanë marrë ftesë mbase se po merren me zgjedhjen e Presidentit.
Gramoz Ruçi: Ne të dyve (Sherefedin Shehut), o na quajnë anti, ose na quajnë pro tyre. (Të qeshura në sallë.) Po qe kjo e dyta, i bie të bëhemi anëtarë të shoqatës pastaj. (Të qeshura në sallë.)

Axhenda: Homoseksualët do t’i dorëzojnë flamurin Berishës
Letra e dërguar në adresë të deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë për të marrë pjesë në aktivitetin e datës 17, përmban dhe një listë me aktivitetet që do të zhvillojnë shoqatat e ndryshme për ditën kundër homofobisë nga ora 10:00 e paradites deri në orën 21:00 të darkës. Në këtë aktivitet do të marrë pjesë dhe ministri i Punës, Spiro Ksera, ambasadori i Mbretërisë së Vendeve të Ulëta, Henk van den Dool dhe Avokati i Popullit, Igli Totozani. Në axhendë është shënuar dhe dorëzimi i flamurit të Ambasadës Pink te Kryeministri Sali Berisha, në shenjë mirënjohjeje për ndihmë e qeverisë në kauzën e tyre.

FATION BINJAKU

© Panorama.al

Te lidhura