Ngado që ta ktheje biografinë e saj, ishte me njollë, nga nëna, nga babai, gjyshërit, e kështu me radhë. Mjaft t’u përmendësh mbiemrat: Vërlaci, Biçaku, Këlcyra, Vrioni. Një nga pinjollet e këtij shartimi të “çuditshëm” tregon jetën e saj nën shënjestrën e diktaturës. Burgu i të atit, mëria gjer në vdekje e këtij të fundit për Nesti Kerenxhin, që ia shtrëngonte prangat deri në kockë.
Ndonjëherë, një fëmijëri e dyzuar mes asaj çfarë do të jesh dhe asaj çfarë duhet të jesh të bën më të fortë. Edhe pse luftërat brenda vetes ngrenë përherë kokë, të paktën nuk të lënë të dorëzohesh, as të qash dhe as të ankohesh. Dukuri që, me të drejtë, prek thuajse të gjithë pjesën e të dërrmuarve të ish-regjimit komunist.
Elisabeta Biçaku Toptani, që me përshëndetjen e parë kishte një pritje ndryshe, një buzëqeshje të madhe, fituar siç hamendet në 22 vitet e fundit, kur nuk i është dashur të mendojë se si do ta rrisë djalin e vetëm, me kë do ta lërë kur të shkojë në punë,a do mundet ta ushqejë përditë… Qysh nga fëmijëria i është dashur të qeshë, për të mos i lënë askujt të kuptojë se brenda vetes gëlltiste lotët. Edhe në situata nga më absurdet, imazhi që duhet të shihnin njerëzit tek Elisabeta, fëmijë, duhet të ishte solar, i pacenuar nga rrokopuja që po merrte familja e saj. Nëse është kështu, nëse buzëqeshja e saj vjen nga koha e sforcimeve të mëdha, atëherë diçka të mirë e ka fituar. Humbi marrëdhënien prindërore me të atin, Qemal Biçakun, ama duke buzëqeshur, ia largon nga kujtesa këtë gjë të ëmës që e ka ende gjallë, bijës së fundit të dy herë kryeministrit shqiptar, Shefqet Vërlacit, Mehtabi (ose siç edhe e thërrisnin të njohurit e saj, Majtapi). Një zonjë në moshë sa të sajën, kur sapo i ka kaluar të 90-tat, mjaftohet të paktën me këtë, për sa kohë që marrëdhëniet me Shqipërinë i ka mbyllur. Jeton prej vitesh në Itali që mezi do të dëgjojë të flitet për të, aq e rëndë ka qenë pesha e mundimit, kur nuk ishte larguar ende.
Elisabeta ka shumë për të treguar, siç është normale të ndodhë kur vjen nga familje aq të mëdha historike sa të sajat, nga të dy prindërit, por ne do të bisedojmë për degëzimet kryesore, prej nga është formuar e ndikuar e gjithë jeta e saj.
Ju keni lindur në kohëra nga më të vështirat, vitin ’46, kur kishte nisur një etapë e re, aspak e mirëpritur në familjen tuaj…

Kur kam lindur unë ishte shuar pothuajse gjithçka. Im atë ishte në burg, gjyshja u arrestua gjithashtu, ndërsa ime më bashkë me ne fëmijët (dy motra) kishte nisur nga ecejaket sa nga njëra shtëpi në tjetrën, pasi në kohën e saj, pra me vendosjen e pushtetit enverist, njerëzit kishin frikë të na lironin apo pranonin ne hapësira banese. Mbaj mend se kemi jetuar në disa vende të pamundura, deri edhe në një haur kuajsh, apo vende të ngjashme. Por, edhe në ato vende, miq e të njohur, me frikë të madhe për familjet e fatin e tyre, kanë arritur në fshehtësi të na jepnin një dore e të na tregonin respektin e miqësinë e tyre, veçanërisht në qytetin tonë, Elbasan. Në lidhje me këtë pjesë, dua të përmend se në vendet ku ne kemi banuar, pra aty ku fati na hidhte, ka ndodhur që njerëzit të ishin edhe më të rrezikshëm se kafshët, për ne!
Këto i keni mësuar më vonë, ashtu siç keni mësuar në moshë të rritur akuzat pse nuk mundët ta njihni babain në vitet më të bukura tuajat. Cilat ishin akuzat ndaj babait tuaj?
Natyrisht që shumë vonë më ka rënë në duar aktakuza e babait që përmbante 5 motivacione. I pari ka qenë pse babai, bashkë me një grup studentësh, bënë peticion drejtuar Enver Hoxhës, ku kërkonin që Kosova të mos i jepej Jugosllavisë.
Arsyeja e dytë përmendte të qenurit apolitik. Edhe kjo duhet të kishte motivin e saj, prandaj përmendej pse ishte i tillë. Së treti, sepse ishte kundër dënimit me vdekje e pastaj sepse i kishte dërguar një urim Ismail Vërlacit dhe Alush Lleshanakut, mik i tij i arratisur dhe një nga heronjtë e rezistencës antikomuniste. E gjithë paketa me 5 fajet e dënonte me 101 vite heqje lirie, që më pas, falë amnistive, u reduktuan në 51, 30, deri sa si përfundim bëri rreth 15, sepse në vitet ‘60 ra intensiteti i shtypjes së regjimit.

Ai, periudhën e burgut e vuajti në vende si këneta e Maliqit, në kampin e Kavajës, në burgun e Tiranës etj… Babai na ka pasë thënë se burgu në ato kohë, në një farë mënyrë, mund edhe të konsiderohej si “universitet”, pasi në atë ferr dantesk ishin brenda njerëzit më të mirë e të nderuar të Shqipërisë. Ishin ajka e vërtetë e vendit tonë, të gjithë ata që kishin studiuar nëpër shkollat më të famshme të Europës, gazetarë e juristë, njerëz si priftërinjtë katolikë, bijtë e familjeve më të mira e të zëshme të atdheut tonë, një pjesë e të cilëve dhanë gjithçka edhe për pavarësinë e vendit, si edhe familjarët e bijtë e tyre. Cilat ishin krimet e mëdha të kësaj plejade njerëzish? Ata donin Shqipërinë e pavarur, ata donin zhvillimin perëndimor të saj e jo kahjen moskovite e beogradase, ata kërkonin që vendi i tyre të mos ishte pre e injorancës e kulturës tradicionale ballkanase (siç e gjejmë mbase edhe sot). Nëse do të bënim një krahasim me kohët e sotme: Çfarë kërkojnë njerëzit sot? Që ne të shohim për çdo gjë, që të marrim shembull përvojat më të mira e të provuara nga vendet perëndimore e aleate, me SHBA-të në krye. Këto gjëra donin edhe baballarët e paraardhësit tanë. Por për ata “fati”, pra vendimi i kompanisë enveristo/komuniste, i bëri fajtorë, ndërsa sot, këta që e drejtojnë vendin, shpesh bijtë e baballarëve të djeshëm, paraqiten si “demokratë të vërtetë”!! Kjo është një ironi e madhe e historisë, që të paktën uroj që shkollat e sotme të demokracisë të jenë të afta t’ia shpjegojnë brezave më të rinj.
Pra ju e keni takuar babain kur keni qenë 14 vjeçe?
E kam takuar edhe më parë, shkoja e vizitoja në burg, por për herë të parë jetuam bashkë në atë moshë, po.
A kishit ndjesi të çuditshme të një pjesëtari të ri në familje, dikujt që e dinit që ishte, por s’kishte qenë asnjëherë?

Ndjesitë e çuditshme më kanë shoqëruar gjithnjë, vazhdimisht kur ai ka qenë në burg, por sidomos kur doli e kur duhet të shkoja ta prisja e vetme te dera e burgut, këtu në Tiranë. Ndjesia e parë e frikës që më shoqëronte në ato minuta, që për dreq shtoheshin sepse ai nuk po dilte, ishte se nuk e kisha parë kurrë nga aq afër, as në dritë aq të plotë. Doja të qaja, por nuk mundesha, më kishin porositur të mos e bëja, nuk duhet të tregoja dobësi. Kur më në fund erdhi, pata një lloj shoku, isha krejt bosh.
Kush merrej me këto “porositë” për të mos qarë, nëna?
Gjyshja nga nëna kryesisht, Semiramisi. Ne kemi jetuar me të dhe ajo ka qenë grua mjaft e fortë, çka përpiqej të na e përcillte edhe ne. Ajo vetë bëri 5 vite burg, sepse ishte “armike” e rrezikshme, si e bija e Ismail pashë Vrionit dhe e shoqja e Shefqet Vërlacit. Të njëjtin ndikim ka pasur edhe gjyshja nga babai, Hilmije Këlcyra, motra e Ali Këlcyrës, e cila ka vdekur e vetme dhe ne nuk ia mësuam kurrë se ku e ka varrin, as sot e kësaj dite. Të dyja gjyshet, por sidomos e mamasë, nuk qanin kurrë, me gjithë problemet që mbiemrat e nderuar të familjeve të tyre u shkaktonin, nuk bërtisnin, nuk mallkonin. Të gjitha këto, në mënyrë të pavetëdijshme ose jo, u trashëguan edhe te ne fëmijët. Edhe ne fëmijët, si bijtë të prindërve tanë e trashëgimtarë të të parëve e familjeve tona, duhej medoemos të nderonim emrin tonë të mirë. Pra, për ne nuk ishte normale të shfaqnim dobësitë tona të brendshme, duhet të tregonim se ishim të aftë të përballonim me nder “fatin”, cilido ishte ai.
Si ishte jetesa e re, tashmë me babain në shtëpi?
Unë nuk isha mësuar me praninë e një burri në shtëpi. Atë, babanë në burg e doja shumë, ndërsa me këtë baba në shtëpi sikur nuk më lidhnin shumë gjëra. Nuk rrija dot aq lirshëm sa më parë, ndonjëherë më dukej edhe sikur ishte ai burri “i huaj” aty. Si edhe shumë fatkeqë të tjerë në Shqipëri, arritëm të njohim babanë kur po bëheshim zonjusha, duke humbur përjetë kënaqësitë e ndjesive midis fëmijës e babait.
Këto ma merr mendja ishin kohët e para…
Po, pa dyshim. Fillimi ishte më i vështirë, sepse pastaj u mësova, ama asnjëherë nuk ndjeva se u bëmë vërtet babë e bijë. Ishim më tepër shokë të mirë, ishim vëllezër, ai nuk më qëlloi ndonjëherë me shpullë, detaje si këto që krijojnë në të dyja palët një farë frenimi.
Po nga vizitat që i bënit në burg, çfarë kujtoni?

Shkoja shpesh, një herë në muaj, ose një herë në dy javë. Kam kujtime nga më të dhimbshmet. Kujtoj se si për t’i dhënë dorën duhet të kalonim duart përmes dy palë kangjellash dhe një polici që qëndronte në mes. Një herë arritëm të prekim vetëm gishtat, e meqë unë u mërzita, më tha: Mos harro të ma puthësh fotografinë në darkë. Pastaj kujtoj edhe situata të zhurmshme, kur isha më e vogël ndodhte që të tjerë të burgosur të më merrnin në prehër e unë nisja e flisja meqenëse kam qenë edhe fëmijë llafazan. Ata pyesnin e unë përgjigjesha; kjo u shërbente mbase si një urë komunikimi me botën jashtë.
Kur ka dalë, a ju ka treguar babai ngjarje nga jeta e burgut?
Përgjithësisht nuk fliste shumë, por disa gjëra na i ka treguar e këtu përfshiheshin torturat, se gjëra të bukura nuk mund të prisnim. Ai thoshte se ne burg mikun më të mirë kishte cigaren: ndër të tjera, një nga akuzat që i bëhej babait ishte për një mbledhje të organizuar në shkurt të ’46-s. Hetuesi i fundit i tij ishte Kadri Hazbiu, i cili i kishte kërkuar që të pranonte fajet ose do të vazhdonte me torturat (këto përfshinin edhe thyerjen e karrigeve me radhë në kurrizin e tij, si edhe në të burgosur të tjerë, heqje me darë të thonjve etj…). Babai kërkoi një cigare të fundit, si kohë për t’u menduar dhe, ka qenë pikërisht ajo cigare që e shpëtoi, sepse arriti të kujtonte gjatë atyre minutave, se ai ishte burgosur që në janar, ndërkohë që akuzohej për një mbledhje të bërë në shkurt. Kështu shpëtoi…
A kishte mllefe, urrejtje për ndokënd?
Edhe përpara vdekjes në spital, nuk nxori nga goja ndonjë gjë të tillë, madje edhe ne na porosiste të mos urrenim njeri, qofshin ata edhe përbuzësit. Thoshte gjithnjë që edhe nëse njerëzit nuk na trajtonin siç duhet, këtë nuk e bënin për zgjedhje të tyre, por sepse kështu ishin të detyruar të silleshin. Vetëm një emër kujtoj të më ketë thënë, atë njeri po që kishte arritur ta urrente. Quhej Nesti Kerenxhi, komunist korçar, njëri nga hetuesit, njëri nga ata që ia shtrëngonte prangat deri në thërrmimin e kockës. Kishte plot hetues – thoshte babai – që bënin detyrën e tyre, duke i rrahur e torturuar njerëzit në burg pa ndërprerje e mëshirë, por disa kërkonin kënaqësinë personale te të munduarit të burgosurve, kënaqësinë sadiste të torturës mbi trupin e butë, mbi mish. Njëri ndër ta, ndoshta më i miri i tyre, ka qene ai, Nesti Kerenxhi. Kam dashur ta takoj në demokraci, por miq të tjerë më kërkuan të mos e bëja. Shumica e atyre që kishin qenë në dorë të tij kishin vdekur. Kujtoj kushëririn tonë, Qemal Vrioni, ai ka vdekur nën një pllakë betoni mbi trup, deri sa dha shpirt në prani të Nesti Kerenxhit. Ai vetë, më pas, hyri në burg sepse kjo punë ishte, ata, komunistët, pasi mbaronin me ne fillonin nga të tyret. Ama nuk është fare e drejtë që më vonë njerëz të tillë të arrijnë deri edhe të përfaqësojnë të persekutuarit e regjimit komunist e të pretendojnë se i ka trajtuar keq pushteti, pushteti i tyre. Një viktimë tjetër e kësaj monstre komuniste, e Nesti Kerenxhit, që arriti të bëhej deri ministër i Enverit, ishte gazetarja e huaj Bianka Balliçi, të cilën ai e kishte varur në çengela nga sqetullat në mes të një rruge të burgut, lakuriq, në mënyrë që të kalonin e ta shihnin të burgosurit. Shpesh, ai këto lloj skenash i shoqëronte edhe më një gotë raki të mirë…
Po pas daljes nga burgu, me çfarë u mor babai?
Çfarë mund të pritet përveç punëve të rëndomta! Sado që babai i tij, gjyshi im Hasan Bicaku, kishte qenë në krye të Bashkisë së atij qyteti, e vunë të mbledhë plehrat e të pastronte Elbasanin, ku qëndroi deri sa doli në pension.
Po ju ku jetonit?
Në ‘7o u martova me Agim Toptanin dhe jetoja në Tiranë. Kur isha në Elbasan, e vetmja punë e mundshme për mua ishte të punoja në gurore, pasi nuk na lejonin për punë të tjera, kështu që unë mësova të punoja me gjilpërë me mamanë, ndërsa më pas të hekurosja në NPV Tiranë. Por, edhe në Tiranë “fati” më ndoqi, sepse edhe pse u martova me një toptanas, pra nga një familje tjetër si e jona, edhe atë e detyruan të ndërronte punë, meqë u martua me mua. Por, burri im, Nihati, kështu e thërrisnim në shtëpi, e priti me buzëqeshje këtë fat. Po sikur të mos mjaftonte e gjithë e shkuara, pata një gjashtëmujor edhe më të hidhur, pasi u larguan nga jeta dy prindërit e burrit dhe ai vetë në kaq pak muaj, në 1978. Djalin e kisha të vogël, prandaj edhe kërkova punë me një turn, sepse nuk mund ta lija vetëm. Më lejuan të punoja në ambalazh, por kuptohet që isha gjithnjë në shënjestër, s’duhet të flisja, s’duhet, s’duhet…
Aktualisht prej vitesh jetoni në Itali…
Po, nisi që në ‘90-n largimi i pjesëtarëve të familjes për në Romë, unë vetë më djalin ikëm që në gusht të ’90-s, më pas u larguan edhe motrat, edhe mamaja ime. Madje ajo është aq e mbushur me mllef, saqë as për t’u varrosur nuk do të kthehet. Në fillim kur shkova atje, isha aq e trembur, sa që e mbaja gjithnjë derën e kyçur nga brenda, nuk dilja në rrugë, i tillë presion psikologjik na kishte mbetur në zemër e mendje.
Shoh në disa fotografi që keni jetuar te shtëpia që dikur ka qenë e Enver Hoxhës në zonën e ish-Bllokut e që sot është një nga baret e asaj rruge…
Ai truall i ka kaluar familjes sonë që në 1926-n, por që u ndërtua në 1940-n si godinë. Mbreti Zog ia pat dhënë gjyshit, Hasan Biçakut, e ata e ndërtuan. Merret me mend që kur erdhën komunistët i nxorën në rrugë, pa asnjë plaçkë. Aty u vendos Koçi Xoxe fillimisht, e pastaj Enver Hoxha. Ne mundëm të rifuteshim aty vetëm në 94-n, ku jetuam për 1 vit e gjysmë.
Vetë lufta, dua të përdor këtë term qëllimisht, ka qenë e jashtëzakonshme për të rimarrë këtë pronë të familjes, për të cilën për 45 vjet ne çfarë nuk vuajtëm si familje. Edhe ata që e përdornin në emër të qeverisë, bënë të pamundurën të na krijonin gjithfarë vështirësish, por gjithsesi ia dolëm, kjo edhe për shkak të mbështetjes që miq apo dashamirës ndaj pronës na dhanë pa u kursyer, me mendime apo edhe forma të tjera. Këtu dua të kujtoj një mik nga familja Kaceli, të cilit ne i jemi mirënjohës. Por, edhe më pas ka pasur vështirësi të tjera, pasi pjesa tjetër e pronës nuk na u kthye e ashtu vijon ende sot, pa e marrë ende nga shteti ynë demokratik.
Në të vërtetë, kjo çështja e pronës për familjet tona është pothuajse një tragjedi më vete, pasi edhe ata që kanë marrë një pjesë të pronave të tyre të familjes, për të cilat të tjerë i paguan me kokë, kanë dhënë shumë. Me këtë dua të them se mundimet tona për rimarrjen e pronave familjare janë po aq të mëdha, në një lloj kuptimi, sa edhe gjatë diktaturës. Në shohim çdo ditë, kushdo që ndjek këto probleme e di, se njerëz në pozicione të ndryshme bëjnë të pamundurën të shfrytëzojnë hapësirat ligjore e mundësitë shtetërore për të marrë pjesë nga e drejta jonë, e cila u është vjedhur dikur forcërisht të parëve tanë.
U larguat sërish në Itali…
Po, madje edhe me më shumë dëshirë. Jetoj atje, me mamanë e familjarë të tjerë, me vajtje-ardhje të shpeshta për shkak të djalit dhe nipit që kam këtu.
Meqë u rikthyem te mamaja, motra e saj, Behie Dino, ka qenë e fejuara e Zogut…
Po, ka qenë për një farë kohe, por që u ndanë pastaj për shkak të interesave politike të kohës midis familjeve. Vërlaci ka qenë personalitet shumë i fortë, por edhe Mbreti Zog gjithashtu.
Në lidhje me këtë pikë dua të shtoj se nëse dikur kanë ekzistuar ndarje të natyrës politike, midis grupimeve politike, si ballistë e zogistë, apo edhe të Bllokut Indipendent, ku merrnin pjesë njerëz nga familja ime, ne mësuam gjatë diktaturës se ishte budallallëk i madh të konsideroheshin më tej këto gjëra. Babai, por edhe miq të tjerë që provuan mbi shpatullat e tyre kuptimin e vërtetë të periudhës komuniste, Maliqin, Burrelin, Tapelenën e Spaçin, tregonin se ndërsa ishin në burgje e internime, kur për ta ishin më të frikshëm gardianët e tyre, se sa kafshët e tjera vdekjeprurëse, këto dallime ishin të pavlera. Mua, ne, nuk na ndante asgjë nga miqtë tanë ballistë e legalistë, apo edhe ata pa preferenca politike, por mbi të gjitha na bashkonte dhimbja e përbashkët, fati i ardhshëm i fëmijëve tanë. Unë edhe sot kur shoh këta drejtuesit e sotëm politikë që hahen me njëri-tjetrin për gjëra të pavlera e nuk bëjnë atë që duhet vërtet për vendin, mendoj se ata nuk e njohën dot kurrë regjimin e kaluar e mbase edhe vetë vendin tonë, për të mos kërkuar të tjera gjykime. Në fakt, mendoj se kushdo që e ka jetuar e njohur të kaluarën, ka detyrë të bëjë shumë më tepër sot për fëmijët tanë, meqë duam të jetojmë në Europë.
Si e keni njohur gjyshin tuaj, Kryeministrin Shefqet Vërlaci?
Unë e kam njohur nëpërmjet tregimeve të mamasë e gjyshes, por edhe të shumë miqve që kam arritur t’i kontaktoj në demokraci. Ai ka qenë njeri shumë i butë, por i ftohtë. Aq sa ishte i edukuar e preciz, po aq ishte e vështirë të bëje miqësi me të. Ai ishte tepër i pavarur, aq i pavarur sa e përmend edhe Pietro Quaroni në librin e tij të famshëm “Valixhja diplomatike”, si një gabim politik që Italia perandorake pranoi që ai të bëhej kryeministër.
ANI JAUPAJ
© Panorama.al











