Pinari: Gërdecin e caktoi amerikani

Jul 2, 2011 | 11:03

Ylli Pinari, një nga të pandehurit kryesore të dosjes “Gërdeci”, tha dje në Gjykatën e Tiranës se ishte vënë në dijeni nga amerikani Patrik Henri se Gërdeci do të ishte vendi i demontimit të municioneve të dala jashtë përdorimit.Pinari, ish-drejtor i MEICO, tregoi dje në gjyq se reparti i Gërdecit përmendej si vend demontimi në një kontratë paraprake që i ishte dërguar nga Patrik Henry me e-mail. Në seancën e djeshme gjyqësore të dosjes me 29 të pandehur, ish-kreu i ndërmarrjes MEICO, Pinari, vijoi dëshminë e tij para gjykatës. Ashtu si edhe një seancë më parë, ai iu përgjigjej pyetjeve të prokurorisë duke dhënë shpjegime në lidhje me marrëdhëniet e tij me Mihal Delijorgjin, nënshkrimin e një kontrate paraprake mes kompanisë SAC dhe MEICO-s, marrjen në dijeni për Gërdecin si vend demontimi, si edhe vizitat në këtë vend, ende pa u ndërtuar fabrika. Njëkohësisht, në seancën e djeshme Pinari refuzoi t’u përgjigjej pyetjeve që kishin të bënin me akte që ishin gjendur në kompjuterin e tij personal. Kjo për shkak se, sipas Pinarit, sekuestrimi i tyre nga Prokuroria është bërë në kundërshtim me ligjin.
DËSHMIA
Ylli Pinari rrëfeu dje se e kishte njohur Mihal Delijorgjin, të pandehurin tjetër të dosjes, para vitit 2000. “Delijorgjin e kam njohur para vitit 2000, në kohën kur kam qenë përfaqësues i një kompanie italianë. Pas vitit 2000, kur u bëra drejtues i MEICO-s, mësova që ishte zbatues i një kontratë të një firme greke me Ministrinë e Mbrojtjes për blerjen për skrap të makinave dhe makinerive të degraduara të ushtrisë”, tha Pinari. Për njohjen e amerikanit Patrik Henri dhe Mihal Delijorgjit, Pinari tha se kishte ndodhur në paradhomën e zyrës së tij në ndërmarrjen MEICO.   Ndërsa për marrëdhënien e biznesit të ndërtuar më pas mes Delijorgjit dhe Henrti, i pandehuri Pinari ishte vënë në dijeni më vonë përmes telefonit. Pinari rrëfeu edhe një herë dje për ditën e janarit 2007, kur Patrik Henri ka prezantuar projektin e demontimit të municioneve në Ministrinë e Mbrojtjes para 6 drejtorëve të kësaj Ministrie.
KONTRATA PARAPRAKE
Gjatë dëshmisë së djeshme, Pinari përmendi një kontratë paraprake të nënshkruar mes ndërmarrjes MEICO dhe kompanisë SAC për demontimin, ende pa dalë urdhri i Ministrisë së Mbrojtjes për ndërtimin e Gërdecit. Pinari u shpreh se në komunikimet që kishte pasur me Patrik Henrin, ky i fundit i kishte thënë: “Di që po punohet për një urdhër dhe do të nis një draft-kontratë”. “Nuk firmosa projektin e Patrikut, por projektin ia dërgova degës juridike dhe i thashë të bëhet një kontratë ku të mbrohet MEICO. Nuk e mbaj mend se kush e ka përgatitur kontratën nga dega e marketingut. Pasi i sollën, e firmosa dhe ia dërgova Patrikut me faks. Kjo kontratë ishte për të bindur Patrikun që ishte serioz për kontratën e demontimit”, pohoi i pandehuri Pinari. I pyetur nga prokuroria se pse përmbajtja e kësaj kontrate nuk ka asnjë ndryshim me kontratën e nënshkruar më pas më 06 qershor 2007 mes MEICO-s dhe SAC-ut për demontimin, Pinari tha se kontrata e parë ishte pa vlerë juridike. “Kjo kontratë është kontratë paraprake dhe kjo kontratë nuk ka vlerën juridike me atë të 6 qershorit 2007 mes MEICO-s dhe SAC. Nuk kishte urdhër për të lidhur kontratë paraprake, por ishte një porosi nga këshilltari juridik i Ministrisë së Mbrojtjes për të pasur një kontratë përpara urdhrit”, sqaroi Pinari.
VENDI I DEMONTIMIT
I pandehuri Pinari tha dje se ishte vënë në dijeni për përcaktimin e Gërdecit si vend demontimi, pas nënshkrimit të kontratës paraprake me Patrik Henri. “Mbi ç’bazë u përcaktua si vend demontimi Gërdeci, në një kohë që nuk kishte dalë ende urdhri i Ministrit?”, u pyet Pinari dje nga prokurorët. Në përgjigje i pandehuri tha se emri i Gërdecit ishte i vendosur në kontratën paraprake që më është dërguar më 18 prill 2007 nga Patrik Henri, ku ai i referohej bazës militare në Gërdec.
Të gjitha kontratat paraprake mund të binin poshtë nëse ndryshohej vendi. Ndërkohë, më vonë, Pinari kishte konstatuar në dokumentacione se “në datë 13 prill 2007 në projekt-urdhrin e përgatitur për Ministrinë e Mbrojtjes në faqen 4, pika a) përcaktohet një ambient në repartin ushtarak Gërdec, Vorë”.
Sipas Pinarit, Patrik Henri i kishte deklaruar se ai kishte qenë në kontakt me Ministrinë e Mbrojtjes. Po sipas tij, në kontratën paraprake që ishte firmosu më 19 prill 2007 përfshiheshin 5 lloje municionesh, si edhe çmimet e vendosura nga Komisioni i Vlerësimit të Çmimeve. Në vijim, Pinari sqaroi se sasitë për demontim bliheshin nga MEICO 2-3 vjet përpara. Ndërsa sasia e kërkuar nga Patrik Henri ishte 1/10 e sasive që dispononte ushtria për shitje. Më pas, Pinari tha se kishte pasur komunikim të rrallë me amerikanin Henri. Pinari nuk iu përgjigj dje pyetjes së akuzës se për ç’arsye ishte një autorizim i Patrik Henri për shtetasin Rrahman Selmanllari”. “Për këtë duhet të vijë vetë Patriku të ja u thotë këtu në sallën e gjyqit”, tha Pinari. Ai tha që me urdhrin 550 datës 25.04.2007 të Ministrisë së Mbrojtjes ishte njohur dhe se kishte vënë shënime në të për sektorët përkatës që do të bënin planin e masave në lidhje me zbatimin e tij. I pandehuri Pinari përmendi edhe një vizitë të kryer në Gërdec para lidhjes së kontratës së 6 qershorit 2007. “Kam qenë në Gërdec me specialistët e MEICO-s. Kemi qenë për të parë Gërdecin, pasi po ktheheshim nga Dhëmblan i Tepelenës për në Tiranë. Në momentin kur shkova aty, ishte vetëm një ekskavator. Donim të shikonim sa larg në distancë ishte vendi me Portin e Durrësit”, pohoi Pinari.

Vendimmarrja për Gërdecin

Caktimi i zonës së Gërdecit si vendi ku do të ngrihej fabrika e demontimit të municioneve është konsideruar nga Prokuroria dhe specialistët si një nga përgjegjësitë kryesore në këtë çështje. Vendndodhja e fabrikës së demontimit fare pranë zonës së banuar, në afërsi të autostradës Tiranë-Durrës dhe pranë Aeroportit të Rinasit, u konsideruan shkelje të rënda që cenonin jo vetëm sigurinë e banorëve të zonës, por edhe më gjerë, sigurinë publike. Shpërthimi i Gërdecit ditën e ngjarjes dëmtoi disa automjete dhe një autobus udhëtarësh që ndodheshin në autostradën Tiranë-Durrës, në momentin kur ndodhi ngjarja. Sipas hetimeve të Prokurorisë, fabrika e demontimit është ngritur në Gërdec bazuar në interesat që kishte shtetasi amerikan Patrik Henri, për shkak të afërsisë me Aeroportin e Rinasit dhe me Portin e Durrësit, me qëllim kryerjen e transportit të barutit pa shumë kosto dhe vonesa.

© Panorama.al

Te lidhura