Pianistja Vjollca Tafaj: Pentagrami i jetës sime, nga dënimi i babait tek mësuesja e Kadaresë

Feb 26, 2012 | 13:36
Vjollca Tafaj duke folur për “Unë Gruaja” Foto: Vlasov Sulaj

E bija e noterit të parë tiranas, Jonuz Tafaj, flet për jetën e saj. Vjollca Tafaj, mësuesja e njohur e shumë fëmijëve të personaliteteve shqiptare, tregon për eksperiencën në gjimnazin “Asim Zeneli”, si mësuesja e bio-kimisë së Ismail Kadaresë dhe Arqile Botit. Peripecitë që kaloi familja pas arrestimit të të atit me akuzën e rëndë të bashkëpunimit si agjent i anglo-amerikanëve, dhe një jetë e përmbysur në absurd, nga parajsa në ferr. 81-vjeçarja rrëfehet…

Shkruhet për të kujtuar dhe jo për të harruar historinë e Tafajve të Tiranës… Në pemën gjenealogjike të familjes së njohur tiranase mund të gjesh shumë njerëz të suksesshëm, që kanë bërë karrierë profesionale duke investuar në dije dhe praktikë. Babai i Vjollcës, një njeri i mirarsimuar në universitetet më të njohura fillimisht në Selanik, mandej në Napoli, ku mbrojti edhe doktoraturën për Jurisprudencë, ishte një mendje e ndritur për kohën. Me pasurinë e vendosur me punë të vazhdueshme, mundi të krijojë një të ardhme të sigurt për të bijat. Në shtëpinë e tyre pianoja qe bërë pjesë e pandarë, shumë mote të shkuara, që në 1940-n. Por, me ndryshimin e sistemit politik, gjithçka ua la vendin vështirësive, deri në konfiskimin e plotë të pasurisë së familjes. Vjollca është motra e Lili Tafajt, pianistes së njohur shqiptare, e Mimikës, motrës tjetër që vrau veten, duke u hedhur nga dritarja e shtëpisë, është vajzë tiranase nga familje sojlie. Është mësuesja e duruar dhe e njohur e shumë fëmijëve të personaliteteve shqiptare. Në këtë intervistë ajo shprehet për ngjarje interesante, që kanë lënë gjurmë në jetën e saj e të familjes ku u rrit.
Le ta nisim nga babai juaj, Jonuz Tafaj, mund të na rrëfeni diçka për të?
Jeta e babait tim është shumë interesante, me vuajtje të mëdha por edhe me rrugëdalje të shumta. Ai ka studiuar në Selanik, duke bërë shkollën e mesme dhe universitetin për Juridik. Im atë ishte noteri i parë tiranas, që zhvilloi aktivitetin e tij profesional në një zyrë të tijën, si noter i licencuar. U detyrua t’i ndërpriste studimet pas tri viteve, sepse mësoi për kryengritjen e Kosovës, dhe si patriot që ishte, iu bashkua me studentët e tjerë shqiptarë në Selanik dhe Stamboll, çetës së Dervish Himës. Në kohën kur operonte si komit i kësaj çete, babai ka qëndruar nëpër pyje e male, derisa edhe thonjtë e këmbëve i ranë nga i ftohti.
Çfarë ndodhi më pas me ardhjen e tij në Tiranë?

Jonuz Tafaj, babai i Vjollcës, si komit në çetën e Dervish Himës

Ai nuk mund të qëndronte në hije. Ishte njeri i arsimuar dhe i zgjuar. Pas aktivitetit si komit erdhi në Tiranë, ku filloi të punonte për pavarësinë dhe qeverinë e Vlorës. Djali i Ismail Qemalit bashkë me gjeneral Tomsonin kanë ardhur për ta takuar babanë, që të shihnin mbështetjen që Tirana i jepte qeverisë së Vlorës. Gjithashtu ai hapi zyrën e tij noteriale, ku nisi punën me dokumente zyrtare dhe qeveritare të kohës. Në vitet 1913, nisi sulmi i Esat Pashës kundrejt tim ati. Esati nisi një valë  persekucioni ndaj të gjithë patriotëve dhe intelektualëve që punonin për interesant e vendit. Ai kërkonte ta arrestonte dhe, për t’i shpëtuar, babai shkon në Shkodër. Pikërisht këtu takon konsullin e Austrisë, të cilin babai e kishte takuar kur ishte me studime në Selanik. Ai i ofroi një kurs për oficer në Itali dhe im atë e shfrytëzoi këtë mundësi, i nisi studimet nga fillimi në Napoli. Donte të formohej si jurist i vërtetë, qëndroi 10 vjet për të mbaruar shkollën, derisa mbrojti edhe doktoraturën në Jurisprudencë. Im atë e ka diplomën me pergamenë nga mbreti Viktor Emanueli III.
Pas mbrojtjes së doktoraturës, rikthehet në Tiranë, ku njihet me Habibenë, nënën tuaj, 20 vjet më e vogël në moshë se babai…
Është e vërtetë… Duke qenë se im atë për një kohë të gjatë u shkollua, dhe përsëriti nga e para studimet deri në mbrojtjen e doktoraturës, vitet iknin. U njoh me mamanë, një zonjë libohovite e nderuar, dhe nga martesa e tyre lindëm ne, pesë motrat. Ai ishte 40 vjeç, ndërsa mamaja 19. Unë isha vajza e parë e tyre. Me tim atë kam pasur një marrëdhënie tepër të veçantë, ai më futi dashurinë për librin, sepse kurrë nuk flinte pa më lexuar ose përkthyer përralla nga italishtja, frëngjishtja. Ishte njohës i mirë i gjashtë gjuhëve të huaja.
Cili ka qenë roli i babait tuaj në Luftën NacionalÇlirimtare të vendit?
Ka luajtur një rol të qenësishëm. Duke pasur një ekonomi të mirë, sepse me punën e tij të vazhdueshme fitonte të ardhura të kënaqshme, babai financonte shpeshherë me para, ushqime e veshmbathje lëvizjen çlirimtare. Në shtëpinë tonë janë pritur mbi 20 partizanë. Por, me gjithë ndihmesën e pakursyer, babanë e goditën rëndë. Më 5 shtator të vitit 1944, trokasin në shtëpinë tonë një grup partizanësh, të cilët e arrestojnë babanë, me akuzën se ai kishte strehuar Hysni Demën, komandantin e Përgjithshëm të Xhandarmërisë. Kjo akuzë nuk ishte e vërtetë, pasi ne me Hysniun kishim lidhje krushqie nëpërmjet vajzës së hallës sime. E mbajtën një natë tim atë në hetuesi dhe më pas e liruan.
Por nuk mbaroi me kaq, apo jo?

Vjollca me motrat e saj

Mjaftoi kjo goditje e parë, që babait t’i vendoseshin lloj-lloj nofkash, si “ballist”, “pro amerikan” etj. Tri vite më vonë, pikërisht në 1947-n, në shtëpinë tonë vijnë disa njerëz të Sigurimit për të arrestuar babanë. E mbajtën 11 muaj në hetuesi, me tortura çnjerëzore deri tek varja në çengel për 15 orë rresht. Akuza e radhës ishte ajo e bashkëpunimit si agjent i anglo-amerikanëve, sepse në vitin 1945 babai i kishte lëshuar me qira ambientet e bodrumit të shtëpisë, një organizate amerikane që shpërndante ndihma me emrin UNRRA. Më 5 shtator të 1948-s, babanë e nxjerrin në gjyq dhe e dënojnë me pesë vite burg politik.
Çfarë kujtimesh ndante babai me ju nga periudha e qëndrimit në burg?
Ka vuajtur shumë im atë. Por, një episod që mban mend dhe që e kujtonte shpesh, është ai kur një ditë kishte takuar një djalë të ri në burg, në prag të lirimit. I thanë që ishte komunist. Mosha rreth 17 vjeç. Babai i ishte afruar dhe i kishte dhënë një grusht me napolona. Më vonë merr vesh se ky njeri kish qenë Mehmet Shehu. Ishte ky i fundit që e nxori nga burgu, në kohën kur ra Koçi Xoxe dhe kur u zhvillua një spastrim nëpër burgje. Nëpërmjet një shkrese dhe fjalës së Mehmet Shehut, babai u lirua pas dy viteve burg. Por, gjithë pasuria e familjes u konfiskua, kemi kaluar vështirësi të mëdha financiare. Aq sa për një kohë të gjatë kemi fjetur mbi arka të vjetra, të cilat i rregullova me dërrasa për t’i dhënë një formë më të pranueshme.
Me gjithë vështirësitë, asgjë nuk ju pengoi që të shkolloheshit për të pasur një karrierë profesionale, apo jo?

Vjollca me prindërit dhe motrat

Nuk mund të ndodhte ndryshe. Ishim rritur mes librave dhe leximi ishte një kulturë e vjetër në familje. Unë përfundova studimet e larta si studente e shkëlqyer në Biokimi, por nuk e vazhdova gjatë si rrugë. Për shkak të problemeve familjare, nuk ma dhanë të drejtën e asistent pedagoges në fakultet, dhe gjithashtu për shkak të një problemi me fytin, pas një operacioni në Itali unë nuk mund të vazhdoja gjatë rolin e pedagoges apo mësueses së bio-kimisë. Tanimë duhet të zgjidhja: të zhvilloja një profesion tjetër timin.
Dhe ky talent ishte pianoja?
Po. Në shtëpinë tonë për herë të parë është futur pianoja në vitin 1940. Ishte babai që e bleu, pasi pikasi aftësinë tonë në muzikë, kryesisht piano. Motra ime, Lili, atëherë ishte shtatë vjeçe, ndërsa unë disa vite më e madhe. Ushtroheshim në shtëpi, por edhe me kurse private. Me të gjithë nxënësit dhe brezat që kam kaluar ndër duar, si mësuese e tyre kam pasur raporte shumë të mira.
Cilët kanë qenë disa nga nxënësit e tu “specialë”?
Në moshën 20-vjeçare, më caktojnë mësuese të bio kimisë (punë të cilën e vazhdova shumë pak për shkak të problemeve me fytin) në gjimnazin “Asim Zeneli” të Gjirokastrës. Nxënësit atje ishin studiozë, dhe mua më duhet që të shkoja e përgatitur sepse ata bënin pyetje të vështira. Kam pasur nxënës Ismail Kadarenë, Arqile Botin… Në provime ata vlerësoheshin gjithnjë me notën maksimale, 5.
Çfarë kujton tjetër nga eksperienca jote në këtë gjimnaz?
Kujtoj një episod të veçantë me Ismail Kadarenë, një penë e shkëlqyer që e vlerëson edhe bota. Duke i njohur aftësitë vetes dhe faktin që kishte një penë të zhvilluar letrare që dallonte mbi të tjerët, ai kërkonte të dukej mbi të tjerët, matje matej edhe me mua, mësuesen e tij. Një ditë, e ngrita Ismailin në një mësim tepër të vështirë. Nuk u përgjigj dhe si përfundim i vendos notën 4. Ai nuk ma harroi kurrë atë notë. Kam pasur nxënës shumë të mirë, fëmijët e Neritan Cekës, vajzën e Rita Markos, Dritën, Zanën, të bijën e Jorgji Sotës dhe fëmijën e Iljaz Rekës, ish- sekretarë të Komitetit të Partisë dhe Komitetit Ekzekutiv. Me të gjithë ata fëmijë kisha një raport shumë të mirë.
Vjollca, a është e vërtetë që Manush Myftiu të ka refuzuar një të drejtë studimi në Bashkimin Sovjetik?

Vjollca me nxënësit në shkollën e muzikës në Durrës

E vërtetë. Asokohe punoja si mësuese pianoje në shkollën sovjetike këtu në kryeqytet. Gruaja e sekretarit të Parë të Ambasadës Sovjetike më donte shumë dhe më admironte për kulturën time. Më ofroi një bursë studimi për në Bashkimin Sovjetik. Ndaj u detyrova që të shkoj t’i trokas në zyrë ministrit të Arsimit dhe Kulturës, Manush Myftiut. Ai ma preu shkurt: kur të të vijë radha, do më dërgojë shteti im, thuaji asaj shoqes. Sigurisht që kjo përgjigje ishte një “Jo”, dhe nuk e përvetësova dot këtë të drejtë studimi.
Ju keni qenë pesë motra në familje, një prej tyre e mirënjohura pianistja Lili Tafaj… Çfarë marrëdhënie kishit me njëra-tjetrën?
Unë isha motra e madhe mes pesë të tjerave dhe përgjegjësitë ishin më të mëdha për mua. Lili ishte tepër studioze, kishte vullnet dhe dëshirë të ethshme për dije, dhe bashkë konsultoheshim shumë për muzikën, pianon. Por, një dramë e madhe do të prekte familjen tonë, pasi një nga motrat, Mimika, vrau veten. Në kohën kur nëna ishte shtatzënë, doktori i kishte dhënë një mjekim të gabuar dhe ajo u helmua nga arseniku. Ky ishte problem i madh edhe për embrionin në bark. Dhe kur lindi motra, ajo nuk pati zhvillim mendor njësoj si ne motrat e tjera. Megjithëse ishte kampione e kërcimit së gjati, ajo nuk mundi të vazhdonte shkollën e lartë. E pa veten keq, sepse nuk mund të ishte përkrah ne motrave të tjera, që ishim shkolluar, dhe kjo e çoi drejt vetëvrasjes, u hodh nga dritarja, duke mbetur e vdekur në vend. Kjo ngjarje na shokoi si familje, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në jetën tonë. Afërdita, unë, Lili dhe Fatmira bashkë me prindërit e përjetuam shumë keq këtë ngjarje të papritur.
Më vjen keq që jeta jonë u përmbys, ashtu siç nuk e kishim menduar. E paguam me gjak luftën e klasave. Një familje si jona, me një aktivitet të zgjeruar kulturor, me një gjenezë familjare të arsimuar jashtë vendit, që ka dhënë shumë kontribut qoftë financiar apo edhe intelektual, nuk e meritonte këtë rrjedhë të jetës. Por të zezat e një sistemi siç ishte komunizmi, i paguam familjarisht, dhe më vjen keq për këtë.

ERMIRA ISUFAJ

© Panorama.al

Te lidhura