Ish-gjenerali serb i Bosnjës, Ratko Mlladiç, i akuzuar për krime lufte dhe gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtarë të Drejtësisë për krimet e luftës për ish-Jugosllavinë, në Hagë, është dërguar në spital pasi nuk u ndie mirë gjatë seancës gjyqësore. Sipas një zyrtari të lartë të Gjykatës së Hagës, Mlladiç u dërgua në spital për të parandaluar përkeqësimin e gjendjes së tij. Mlladiç ka deklaruar se është i sëmurë që kur u arrestua në një fshat afër Beogradit, në maj të vitit të kaluar, pas 16 vitesh në kërkim. Kundër tij rëndojnë 11 akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit për periudhën 1992-1995, por ish–gjenerali 70-vjeçar i ka mohuar akuzat.











