
Pezullohet leja minerare e ACR-së. Reparti i Inspektim-Shpëtim Minierave (RISHM-i) zhvilloi dje një mbledhje urgjente pas dështimit për herë të dytë të takimit të përfaqësuesve të kompanisë austriake dhe minatorëve të Bulqizës.Gjatë kësaj mbledhjeje, RISHM i propozoi ministrit të METE-s mbylljen e përkohshme të minierës dhe pezullimin e lejes minerare të ACR-së deri në rehabilitimin e plotë të saj. Ekspertët e inspektimit kanë konstatuar se është shkelur Ligji Nr. 8741 për sigurisë në punë. Gjatë mbledhjes për analizimin e situatës më të fundit në minierën e Bulzisës u theksua se janë konstatuar shkelje të rënda të rregullores së teknikës dhe sigurisë duke vënë në rrezik jetën e minatorëve. “Ndërprerja për një kohë të gjatë e punës në minierë çon në degradimin e saj duke rrezikuar jetë në njerëz dhe pasurinë kombëtare”, theksuan dje specialistët e METE-s. Pikërisht të gjitha konstatimet e mësipërme dolën në rezultatin për pezullimin e lejes minerare të firmës koncesionare “ACR”.
Dje pritej takimi mes përfaqësisë së minatorëve të Bulqizës dhe firmës “ACR”. I shumëpritur në ditën e 15-të të grevës së urisë 1400 metra nën tokë të 13 grevistëve, ai nuk është realizuar pasi nuk kanë qenë të pranishëm përfaqësues të kompanisë austriake që ka në shfrytëzim minierën e Bulqizës. Burime nga sindikata thanë dje se takimi ishte caktuar në orën 16:00, por të caktuarit nga kompania e huaj mbërritën në Aeroportin e Rinasit rreth orës 15:00, duke shtyrë për një tjetër afat takimin. E, ndërsa për herë të dytë kanë dështuar negociatat pa nisur ende, 13 grevistë të urisë vazhdojnë të jenë në thellësitë e nëntokës deri në zbatimin e kërkesave të tyre. Njëri prej tyre, pikërisht 45-vjeçari Xhelal Ruçi, ka qenë në gjendje kritike ditën e djeshme, por nuk ka pranuar ta lërë galerinë, çka i ka detyruar mjekët t’i vendosin serum në ambientet ku po zhvillohet greva. Nga ana e kreut të Sindikatës, Kol Nikollaj, shtyrja e takimit nga ana e ACR-së është një shaka e radhës. “Konfederata vendosi që në takim të dërgojë një përfaqësi prej 6-minatorësh, pa Nikollajn, për t’u takuar me përfaqësuesit e ACR-së në ambientet e Bashkisë së Bulqizës. Ky takim ka dështuar se firma nuk mori pjesë në orën e caktuar. Tani nuk kemi asnjë konfirmim se në ç’ditë dhe orë përfaqësuesit e firmës do të marrin takim me minatorët për të negociuar. Gjendja e 13 grevistëve nga momenti në moment po keqësohet, deri në rrezik për jetën, por ata janë të vendosur që ta vazhdojnë grevën deri në sublim”, pohohej në deklaratën e Konfederatës së minatorëve.
Ndërkohë, nga ana e Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës është bërë e njohur dje se në kushtet kur grevistët takojnë dhe stakojnë ventilatorët e ajrimit dhe pompave dhe nuk lejojnë specialistët të ndërhyjnë, kjo cilësohet shkelje të ligjit për sigurinë në rrugë. Një grup specialistësh nga Reparti i Inspektim-Shpëtim Miniera kanë verifikuar situatën duke nxjerrë përfundimin se në rast mosndërhyrjeje rrezikohet tërësisht miniera. Ndërsa specifikohet se greva e urisë po zhvillohet në thellësinë 760 metra linearë nga sipërfaqja e tokës, theksohet fakti se nga niveli 5 deri në nivelin e 14-të të pusit, shërbimet në minierë (takimi dhe stakimi i ventilatorëve të ajrimit dhe pompave në minierë), nuk bëhen nga punëtorët e specializuar të ACR-së, por nga vetë grevistët, pasi ata nuk lejojnë hyrjen në minierë të specialistëve të kësaj fushe. “Kjo përbën shkelje të Ligjit Nr. 8741, datë 15.02.2001 ‘për sigurinë në punë’ në veprimtarinë minerare, ‘shkelje të nenit 3 dhe 4 dhe RRTSMK (Rregullore e Teknikës, Sigurimit në Miniera dhe Karriera) të paragrafit 36 dhe 241-253’, pasi punëtorët e shërbimit të ajrimit dhe të heqjes së ujërave punojnë pa ndërprerje të punës si në ditët e festave edhe në pushime”. Që prej muajit qershor kur nisën protestat masive të 700 minatorëve të Bulqizës, puna në minierë është paralizuar. Më pas nisi greva e urisë, e cila sot shënon ditën e 16-të të saj. “RISHM thekson se të gjitha këto më sipër çojnë drejt degradimit të minierës dhe për këtë kërkojmë ndërhyrjen e organeve përkatëse që të sigurohet kontrolli dhe monitorimi i pandërprerë i minierës nga specialistët e RISHM dhe kompanisë koncesionare ‘ACR'”, pohohet në njoftimin zyrtar ta METE-s.
Pasojat
1 – Shembja e nënkateve dhe e të gjitha armatimeve që kanë qenë në proces pune.
2 – Mosndezja e ventilatorëve do të bëjë të mundur grumbullimin e gazrave të dëmshëm dhe helmues në punimet minerare, sidomos në punimet qorre, duke shkaktuar prishjen e atmosferës së ajrimit në minierë.
3 – Mosvënia në funksion e pompave për largimin e ujërave nga miniera përbën bllokim total të minierës duke krijuar shembje të punimeve minerare dhe shkatërrimin e pajisjeve të makinerive të instaluara në minierë.
BULQIZE/ HASAN PASHA
© Panorama.al











