
Emra të njohur të fushës akademike, letër të hapur krerëve të partive parlamentare.
Peticioni, 27 intelektualë i shkruajnë Berishës e Ramës.
Intelektualë të njohur nga fusha të ndryshme të shkencës mbështesin Fatos Nanon për President. Përmes një letre dërguar kryetarëve të partive parlamentare, Sali Berisha, Edi Rama, Ilir Meta, Fatmir Mediu, Shpëtim Idrizi, Vangjel Dule dhe Gazmend Oketa, 27 intelektualë shprehen se Nano i përmbush të gjitha kriteret që kërkohen sot për kreun e ri të shtetit. “Ne besojmë se Fatos Nano i përmbush të gjitha kriteret personale, politike dhe kontekstuale për të qenë një President i denjë e Republikës, duke pasur kapacitetin real për të qenë i pavarur, mbi palët dhe garantues i pavarësisë dhe evoluimit të institucioneve të pavarura për t’i ndarë ata përfundimisht nga loja politike partizane, për t’i bërë ato funksionale dhe në shërbimit të shtetit e jo në shërbim të palëve”, shprehen në letrën e tyre grupi i intelektualëve. Sipas tyre, Nano në postin e Presidentit do t’u japë një stad të ri zhvillimeve demokratike në vend.
“Duke ju respektuar fort për përfaqësimin të vullnetit të popullit, ne besojmë se ju dhe trupa jonë parlamentare mund të na japin me kandidaturën e Fatos Nanos një stad të ri të demokracisë shqiptare. Një stad që u përgjigjet aspiratave të shoqërisë për tolerancë, për ekuilibër, për emancipim dhe për evoluim drejt një shoqërie të pjekur demokratike, të denjë për një Shqipëri në BE, edhe më shpejt se thjesht një ambicie të zakonshme e rutinore”, shprehen në letrën e tyre intelektualët. Letra e emrave të njohur të shkencës dhe artit vjen në një moment kur maxhoranca dhe opozita ende nuk kanë gjetur konsensus për emrin e kandidatit të pranuar nga palët. Sipas tyre, Fatos Nano përfaqëson politikanin me rekorde më pozitive në jetën e vendit në 22 vitet e fundit.
“Nano përfaqëson vlera liberalizuese dhe mirëfilli demokratike në traditën tonë të re politike, ndoshta si pak kush tjetër, me reformimin e së majtës së vjetër shqiptare, me reformat e para liberalizuese për shoqërinë dhe ekonominë shqiptare dhe me reformat demokratizuese të gjysmës së dytë të viteve ‘90; me marrëveshjet historike mes së majtës dhe së djathtës, ku Nano ka qenë protagonist i dorës së parë duke i dhënë vendit hope dhe avancime të rëndësishme demokratike; me zgjedhjet e lira të organizuara në kohën e qeverisjes së tij dhe me rrotacionin paqësor të pushtetit Fatos Nano ka vendosur precedentë, por aq të rëndësishëm sa gurët kilometrikë të një demokracie të re; me dorëheqjen e tij nga kryetar i Partisë Socialiste në 2005-n, Fatos Nano ka instaluar në jetën politike shqiptare precedentin e përtëritjes së elitave politike në këtë vend duke i dhënë frymëmarrje dhe konkurrueshmëri skenës sonë politike”, shprehen ata në letrën e tyre. Intelektualët e njohur, përmes mbështetjes së kandidaturës të Fatos Nanos, kërkojnë të krijojnë dhe vlerësimin për kontributet më të mira në vend. “Ne besojmë se duke mbështetur Fatos Nanon si kandidat për President të Republikës, formësojmë një precedent të ri dhe pozitiv për demokracinë shqiptare: përfilljen e trashëgimisë sonë politike me të gjithë vlerat dhe problemet e saj, por që mund të jetë në shërbim të vendit, institucioneve dhe demokracisë shqiptare shumë më tepër sesa formulat e tjera që prodhojnë një president nga një proces negociues i mbyllur e i kufizuar”, thuhet në letrën e intelektualëve.
Lista e intelektualëve
1. Prof. Dr. Ylli Popa, Ish-kryetar i Akademisë së Shkencave
2. Prof. Dr. Dhori Kule, rektor i Universitetit të Tiranës (UT)
3. Dr. Moikom Zeqo, studiues, shkrimtar
4. Prof. Dr. Gjergj Sinani, profesor i Filozofisë, Universiteti i Tiranës (UT)
5. Prof. Dr. Adrian Civici, President i Universitetit Europian të Tiranës (UET)
6. Prof. Dr. Mihal Tase, mjek
7. Prof. As. Arben Gjata, mjek
8. Prof. Dr. Ksenofon Krisafi, profesor i Drejtësisë, Universiteti Europian i Tiranës (UET)
9. Prof. Dr. Afërdita Onuzi, etnologe, QSA (Qendra e Studimeve Albanologjike)
10. Prof. Dr. Petrit Malaj, rektor i Universitetit të Arteve
11. Prof. Dr. Leonard Solis, ish-ministër i Shëndetësisë, mjek “HYGEIA Hospital”
12. Luan Bregasi, sipërmarrës, Business Albania
13. Dr. Zef Preçi, QKE (Qendra e Kërkimeve Ekonomike)
14. Artan Santo, bankier, drejtor i Bankës Credins
15. Prof. Dr. Bajram Hysa, dekan i Fakultetit të Mjekësisë
16. Prof. dr. Shaban Sinani, studiues, QSA (Qendra e Studimeve Albanologjike)
17. Edit Mihali, soprano
18. Prof. Dr. Sulo Hadëri, dekan i Fakultetit të Ekonomisë, Universiteti i Tiranës (UT)
19. Prof. dr. Ali Ahmeti, kryetari i BDI, Maqedoni
20. Ukë Ibrahim Rugova, deputet i Parlamentit të Kosovës
21. Prof. Dr. Thimio Kondi, ish-kryetar i Gjykatës së Lartë
22. Prof. Dr. Kujtim Çashku, regjisor, rektor i Akademisë së Filmit, Multimedia MARUBI
23. Prof. Dr. Pirro Milkani, regjisor
24. Ekrem Bardha, anëtar i NAAC, Kkonsull Nderi i Shqipërisë në Miçigan (Këshilli Shqiptaro-Amerikan)
25. Dr. Arjan Gjonca, pedagog, London School of Economics
26. Anton Lulgjuraj, kryetar i FDI (Forumi Demokratik për Integrim) i shqiptarëve të Malit të Zi)
27. Prof. Dr. Bujar Kapexhiu, Mjeshtër i Madh, karikaturist
Ylli Popa
Në krye të listës së intelektualëve që kërkojnë kandidimin e Fatos Nanos për President është dhe ish- kryetari i Akademisë së Shkencave, Ylli Popa. Kardilogu i njohur i është bashkuar sërish zërit dhe kërkesës së emrave të njohur dhe të spikatur në fushatën e tyre, për të mbështetur një proces kushtetues dhe një emër që ka lënë gjurmë në historinë politike shqiptare të këtyre 22 viteve. Në fillimet e pluralizmit shqiptar, profesor Popa njihet si intelektuali kurajoz që i kërkoi Ramiz Alisë hapjen e Shqipërisë drejt Perëndimit dhe lejimin e pluralizmit dhe pluripartizmit në vend.
Zeqo: Pse duhet të zgjidhet Fatos Nano
Studiuesi i njohur, Moikom Zeqo, mbështet një kandidaturë politike për President. Sipas tij, Fatos Nano i përmbush të gjitha cilësitë që i duhen një kryetari shteti. “Deri më sot PS nuk e ka një kandidaturë dhe nuk e di përse duke qenë një parti politike kryesore dhe që mëton të fitojë zgjedhjet në 2013-n, nuk bën në mënyrë profesionale konceptimin e zgjedhjes së Presidentit në mënyrë serioze. Presidenti, për mendimin tim, duhet të ketë përvojë politike, pra të jetë një personalitet politik, sepse nuk mendoj që një njeri nga bota akademike apo shoqërisë civile befas të katapultohet dhe të bëhet President. Mendoj se Fatos Nano i ka parametrat që dhe me emrat që janë paraqitur deri më sot, të jetë një personalitet politik, i cili duke qëndruar mbi palët, të jetë më afër shpirtit dhe germës kushtetuese”, u shpreh Zeqo.
Në 2007 Nano mori 20 firma të deputetëve të PS
Emrat që firmosën për ish-kreun e PS
Lideri historik i Partisë Socialiste, i larguar nga drejtimi i saj pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare të 2005-s, mundi të marrë në garën për Presidentin e vendit në vitin 2007, 20 firma të deputetëve socialistë. Nano, si pjesë e Grupit Parlamentar socialist, nuk arriti të marrë mbështetjen e Edi Ramës për ta kandiduar atë si propozim të socialistëve, por hodhi në tryezën e negociatave emra jashtë politikës. Por, Nano, i cili kishte drejtuar Partinë Socialiste që prej vitit 1991, arriti të merrte mbështetjen e duhur përmes firmave nga deputetët e kësaj partie. Kjo mbështetje nuk ishte pa pasoja. Për disa u desh një kohë e gjatë për të rikuperuar marrëdhëniet e prishura nga ky veprim me Edi Ramën. Nga 20 firmëtarët, vetëm katër prej tyre vazhdojnë jetën parlamentare, të tjerët nuk u kandiduan më për deputet të PS. Arben Malaj, Taulant Balla, Qemal Minxhozi dhe Bashkim Fino janë deputetë të PS, ndërsa mbetën jashtë listës Petro Koçi, Rajmonda Stefa, Durim Hushi, Luan Memushi, Flamur Hoxha, Elmaz Sherifi etj.
Spartak Ngjela
Kryetari i PLD në opozitë, Spartak Ngjela, vlerësoi kandidaturën e Fatos Nanos si politikanin me frymë dhe forcë perëndimore, dhe i kërkoi Partisë Socialiste që të paraqesë kandidaturat e saj dhe të hyjë në Parlament për votim. Duke folur për procesin e gjetjes së konsensusit mes dy partive, Ngjela ndan mendimin se procesi që po zhvillohet nuk ka lidhje me frymën dhe parimet perëndimore, duke e cilësuar neootomanizëm, ndërsa i kërkon maxhorancës t’i japë mundësi opozitës të zgjedhë Presidentin.
Arben Malaj
Anëtari i Kryesisë socialiste, Arben Malaj, ka kërkuar kandidimin e Fatos Nanos nga ana e kësaj partie. “Partia Socialiste duhet ta kishte nisur më shpejt procesin, duhet të kishte dhënë vlerësimin e saj për ofertën publike që ish-lideri socialist Fatos Nano bëri, i cili bëri dhe takimet përkatëse me liderët politikë parlamentarë. Vlerësimi im për Nanon nuk është thjesht dhe vetëm individual. Unë vlerësoj se kryetari i shtetit duhet të jetë një figurë me eksperiencë politike”, u shpreh Malaj.
ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al











