
Komisioni Parlamentar i Veprimtarisë Prodhuese ka miratuar dje në parim projektligjin e hartuar nga Ministria e Mjedisit për sektorin e peshkimit. Maxhoranca dhe opozita kanë kundërshtuar draftin ministrit Fatmir Mediu, pasi në të nuk parashikohet ndihmë apo subvencionim për karburantin që përdorin anijet e peshkatarëve. Deputetët e majtë dhe të djathtë e kanë cilësuar si shqetësues faktin se anijet shqiptare shkojnë për t’u furnizuar me naftë në Itali dhe kthehen më pas për të peshkuar, për shkak se çmimi i naftës është shumë i lartë. “Për shkak të çmimit të naftës ndodh që peshkatarët shqiptarë shkojnë të furnizohen në Itali me karburant dhe vijnë e peshkojnë në Shqipëri. Dhe nuk e di kur ka ndodhur kjo më parë, por kam përshtypjen se vetëm kur Shqipëria u pushtua nga Italia fashiste”, deklaroi deputeti Blendi Klosi. Rritja e çmimit të naftës është ngritur si shqetësim edhe nga anëtari i Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese, Dashamir Tahiri, cili theksoi se me dhënin e ndihmës ndaj peshkatarëve për karburantin, atëherë sektori i peshkimit do të jetë më i zhvilluar. “Për të ngrënë peshkun, shumica nga ju e bëni të gjithë, por për ta kapur në det është një gjë shumë e vështirë. Dhe unë i përgëzoj specialistët pjesërisht. Dhe them që çështja kryesore e peshkimit është nafta. Zhvillimin e sjell nafta. Kur peshkatari shkon deri në Itali, e ne aspirojmë për të hyrë në Europë, dhe Italia e jep këtë naftë, përse ne nuk duhet ta japim naftën. Ai, pa pasur naftë nuk lëviz anijen dhe që aty është i falimentuar”, theksoi deputeti i PDIU-së, Tahiri. Ndërkaq, edhe kryetari i Komisionit të Veprimtarisë, Jemin Gjana, theksoi se do të kërkohet nga Ministria e Financave një mendim për çështjen e subvencionimit të karburantit për flotën e peshkimit. Sipas Gjanës, edhe ligji do të mbetet i hapur në këtë aspekt, për të vendosur disa kritere për masën që do të subvencionohet nga qeveria. “Nuk mundet në ligj të ketë detaje për mënyrën se si financohet një aktivitet apo një tjetër, por ne mund ta shqyrtojmë çështjen, e të kërkojmë opinion nga Ministria e Financave. Në parim, unë jam për këtë që të hapim hapësirë te ligji, por mund të vendosim dhe disa kritere të ligjit për çështjen e karburantit”, theksoi Gjana. Gjithashtu, deputeti Eduard Shalsi ngriti një shqetësim që hasin sot peshkatarët, që ka të bëjë me taksën rrugore që paguajnë anijet. “A duhet që një anije që konsumon naftë të paguajë brenda çmimit të naftës taksën e qarkullimit rrugor? Përpos kostos së lartë të naftës, përpos subvencionimit që nuk është bërë, a është e drejtë të paguhet një taksë e tillë?”, theksoi deputeti i PS-së. Drejtori Juridik i Ministrisë së Mjedisit, Edlir Orozi, e ka cilësuar të drejtë këtë shqetësim, por kjo sipas tij duhet parë në legjislacionin për këtë sektor. “Pyetja e zotit Shalsi për taksën rrugore të anijeve është e drejtë, por ajo duhet të shikohet në kuadër të të gjitha iniciativave në sektorin e peshkimit”, theksoi Orozi.











