Pesë pengjet amerikane të liruara nga Irani, mbërrijnë në SHBA

Sep 19, 2023 | 16:09
SHPËRNDAJE

Shtëpia e Bardhë përshëndeti kthimin e pesë amerikanëve me origjinë iraniane që mbaheshin të burgosur nga qeveria e Iranit dhe që u liruan në bazë të një marrëveshjeje për zhbllokimin e 6 miliardë dollarëve të ngrira të Iranit. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Anita Powell, Teherani megjithatë është treguar mospërfillës për mënyrat se si do t’i përdorë këto fonde dhe kritikët thonë se marrëveshja ishte një pagesë për të marrë pengje nga një regjim gjithnjë e më autoritar.

ssss

Me përqafime, lotë, duartrokitje dhe brohoritje u pritën në atdhe amerikanët që mbaheshin në Iran. Ata u bashkuan me familjarët e tyre në bazën ushtarake Fort Belvoir, në Virxhinia, dhe thërritën “Liri!”, duke përshëndetur kështu rezultatin e një marrëveshjeje në kuadrin e së cilës Presidenti Biden ra dakort për zhbllokimin e 6 miliardë dollarëve të ngrira nga fondet e qeverisë së Iranit.

Presidenti Biden bëri një deklaratë ku thuhet se “pesë amerikanë të pafajshëm që ishin burgosur në Iran janë më në fund në atdhe”. Presidenti thotë se ata janë të pafajshëm dhe se akuzat ndaj tyre për spiunazh ishin të sajuara.

Lajmi i mirë u mirëprit edhe më gjerë në administratën amerikane.

Sot, liria e tyre, liria e këtyre amerikanëve, të mbajtur në mënyrë të padrejtë në Iran për kaq kohë, do të thotë se bashkëshortët dhe bashkëshortet, prindër dhe fëmijë, gjyshërit, mund të përqafojnë sërish njëri-tjetrin, mund ta shohin sërish njëri-tjetrin dhe mund të jenë sërish së bashku”, tha Sekretari i Shtetit, Antony Blinken.

Ata mbërritën të hënën në Doha të Katarit në këmbim të zhbllokimit nga Shtetet e Bashkuara të 6 miliardë dollarëve të ngrira nga fitimet e tregtisë së naftës së Iranit, në bankat e Koresë së Jugut.

Kritikët e Teheranit thonë se regjimi mund t’i përdorë këto fonde për të vazhduar represionin dhe për të avancuar ambiciet e tij bërthamore. Këtë javë, protestuesit në mbarë botën u mblodhën për njëvjetorin e vdekjes së Mahsa Aminit, një vajzë kurdo-iraniane, që humbi jetën ndërsa mbahej nën arrest nga policia për shkelje të kodit iranian për mbulimin e kokës së grave dhe vajzave.

Shtëpia e Bardhë theksoi se zhbllokimi i fondeve u shoqërua me kushte të rrepta.

Këto fonde do të kenë tashmë kufizime edhe më të forta nga ç’kishin në Kore. Nëse Irani përpiqet të devijojë fondet, ne do të veprojmë dhe do t’i ngrijmë sërish. Gjithashtu dua ta bëj të qartë se kjo nuk është në asnjë mënyrë një pagesë. Nuk është pagesë për pengje. Këto nuk janë para të taksapaguesve amerikanë. Dhe nuk kemi hequr asnjë nga sanksionet tona ndaj Iranit”, tha John Kirby, zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

Por presidenti i Iranit thotë se qeveria e tij do t’i shpenzojë fondet aty “ku do t’i nevojitet”.

Analistët thonë se kjo marrëveshje është shumë më tepër se thjesht një lirim të burgosurish dhe zhbllokim fondesh të ngrira. Të gjitha këto po ndodhin ndërsa Presidenti Biden dhe udhëheqësit botërorë, ndër ta edhe Presidenti iranian Ebrahim Raisi, janë së bashku në Nju Jork për Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara./VOA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura