Në tryezën e programit socialist për teknologjinë dhe inovacionin, ishin ftuar edhe pesë sipërmarrës nga fusha e teknologjisë së informacionit. Unë i njoh të pestë dhe, për fat të mirë dhe të keq njëkohësisht, asnjëri prej tyre nuk është socialist. Për fat të keq se nëse do të ishin, PS do të kishte në mesin e vet disa sipërmarrës novatorë, të formatit të sipërmarrjeve europiane, madje globale, po të doni. Për fat të mirë, se po të ishin, PS nuk do të kishte mundësi të ftonte në tryezën programore sipërmarrës indiferentë ndaj ideologjive, por të interesuar ndaj alternativave të zhvillimit. Pra, PS do të kishte pesë anëtarë, por do t’i mungonin pesë partnerë, oponentë seriozë dhe konstruktivë.
1. Programi juaj…
Ishte përshtypjelënës diskutimi i tyre. Ata e thanë që në fillim se nuk kishin ardhur në atë tryezë, as si socialistë, as si simpatizantë socialistë. Madje, as si kundërshtarë dhe as si të pakënaqur prej qeverisë. Kishin ardhur thjesht si sipërmarrës të interesuar për programin e një partie (që nesër do të jetë në qeverisjen e vendit-shënimi im). Nuk kishte në diskutimet e tyre asnjë mungesë realizmi. Madje, bënë vlerësimet e tyre për disa thekse dhe investime të qeverisjes së sotme ndaj teknologjisë së informacionit. Dhe njëkohësisht vlerësimet dhe rekomandimet për projektin e programit socialist. Kritikuan me të njëjtën kurajë dhe paanësi edhe programin qeverisës që zbatohet, edhe programin qeverisës që po përgatit opozita. Ideologjikisht dhe partiakisht, ata e ndanë veten nga PS. Kjo dallohej qartë në ligjërimin e tyre, kur thoshin shpesh: partia juaj. Pa asnjë kompleks, ata erdhën në atë tryezë jo thjesht për të bërë diferencën. Por për të shprehur emancipimin e tyre ndaj programeve alternative të zhvillimit të sektorit të cilit i kanë kushtuar jetën, investimet, dituritë dhe erudicionin. Sepse ata nuk janë thjesht pesë sipërmarrës. Janë pesë ndër njerëzit më të ditur të këtij vendi. Duke iu drejtuar socialistëve të tryezës në vetën e dytë, ju dhe programi juaj, ata treguan më shumë respekt për ta dhe programin e tyre qeverisës.
2. Vizioni sipërmarrës për punësimin
Duke dëgjuar ndërhyrjet dhe vizionin e tyre, natyrshëm shkon mendja te punësimi i rinisë. Papunësia rinore në Shqipëri është mbi dy herë më e lartë sesa papunësia e popullsisë së rritur. Papunësia e rinisë universitare është ende më e lartë. Nga se shkaktohet kjo? Për shumë e shumë arsye. Edhe për shkak të qeverisjes jovizionare, mungesës së ofertave publike të diversifikuara për rininë. Por sipërmarrësit novatorë në tryezën e socialistëve shkuan edhe më tej. Ata konstatuan se edhe në Shqipëri po ndeshet prirja globale e largimit të rinisë nga matematika dhe shkencat e natyrës. Por në Shqipëri, ndryshe nga shumica e vendeve të tjera, rinia distancohet jo vetëm nga shkencat natyrore, por edhe ato teknike e teknologjia. Të rinjtë priren gati instinktivisht prej shkencave shoqërore dhe vetëpërgatisin, në një farë mënyrë, papunësinë e tyre. Sipërmarrësit e mençur u sugjeruan socialistëve që në reformën e tyre universitare të bëjnë kujdes që, të paktën shkencat e teknologjisë së informacionit, të mbeten një ishull i izoluar në kënetën arsimore universitare të vendit. Ndryshe nuk bëhet, thanë ata. Ne nuk gjejmë teknikë dhe specialistë për fushat tona, edhe pse janë qindra, ndoshta mijëra ata që mbajnë një diplomë të universiteteve shqiptare.
3. Investimi në formim dhe kualifikim
Nevoja për të mbetur konkurrentë në tregjet ndërkombëtare të egra, në kushtet e mungesës së kapitalit njerëzor të vendit, i ka detyruar sipërmarrësit e teknologjive të informacionit të investojnë vetë në formimin e tyre. Ajo që treguan ata është e rëndë, madje e turpshme, për arsimin tonë universitar. Ata kanë rekrutuar diplomantë të universiteteve tona, për t’i përgatitur e formuar si teknikë. Sepse njohuritë që kishin marrë në shkollë, të paktën ato të cilat përshkruhen në diplomat e tyre, nuk u hynin në punë. Atëherë, secili prej nesh ka të drejtë të pyesë: kujt i hyjnë në punë këto diploma? Por ata nuk kanë kohë e nge, dhe as ndër mend të përdorin burimet e tyre për t’iu përgjigjur pyetjeve retorike. Ata gjetën zgjidhjen. Dhe, pa ua rekomanduar kush, kanë filluar të zbatojnë në Shqipëri përvojën gjermane të formimit: në punë dhe nëpërmjet punës, si edhe përvojën angleze: ndërtimin e një sistemi formimi profesional, kryesisht me financime private. Pra, në një tryezë ku u ftuan për t’u dëgjuar, ata folën dhe u dëgjuan realisht.
© Panorama.al












