TIRANE – Dy gra, punonjëse në një fabrikë bulmeti në kryeqytet, u deklaruan fajtore nga Gjykata e Tiranës për vjedhjen e qindra litrave qumësht. Sipas Gjykatës, bidonët me qumësht ato i fshihnin nën rroba kur largoheshin nga puna. Më pas qumështin e shisnin duke përfituar vlerën në lekë për veten e tyre. Sasinë e qumështit të vjedhur e zëvendësonin me ujë për të mos rënë në sy. Rënia e rendimentit të produkteve të bulmetit e ka çuar në dyshim pronarin e fabrikës, i cili ka montuar kamera sekrete. Përmes tyre ai zbuloi vjedhjen e qumështit. Sipas ekspertimit ekonomik, dëmi ekonomik që i është shkaktuar shoqërisë tregtare si rezultat i hedhjes ujë në qumësht është në vlerën 436 mijë lekë. Të akuzuarat si autore të vjedhjes, Kimete Lluka, 37 vjeçe dhe Makbule Sinani, 39 vjeçe, u shpallën fajtore në Gjykata e Tiranës pak ditë më parë për veprën penale të “vjedhjes në bashkëpunim” dhe u dënuan me nga një vit burg. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi i tyre shkoi në 8 muaj. Në përfundim ato i shpëtuan qelisë, pasi gjykata pezulloi ekzekutimin e dënimit me burg për to duke i lënë në provë për 2 vjet. Gjatë gjykimit të pandehurat mbajtën qëndrim pohues dhe pendues për krimin e kryer. Nisur nga fakti se janë familjare, me fëmijë, të papuna dhe jetojnë në një zonë rurale, ato kërkuan një dënim sa më të butë. Procedimi penal ndaj dy familjareve ka nisur pas kallëzimit të pronarit të fabrikës në qershor të vitit 2011 në Komisariatin e Policisë Nr. 6 në kryeqytet. “Në kallëzimin e tij ai sqaron se ka një aktivitet privat ku në pronësinë e tij ka rreth 70 krerë lopë. Kjo firmë ka aktivitet në tregtimin e qumështit dhe nënprodukteve të tij. Pas vitit 2010, në këtë firmë ka pasur një rënie të rendimentit dhe shtetasi A. D. ka bërë analizat e cilësisë së qumështit në laborator. Nga analizat ka konstatuar se qumështi dhe nënproduktet e tij ishin me rendiment të ulët për t’u tregtuar. Nisur nga ky fakt, shtetasi A. D. ka hedhur dyshime te punonjësit që merreshin me përpunimin e qumështit në punishte dhe ka instaluar aty kamera të fshehta si brenda, edhe jashtë punishtes. Nga përmbajtja e regjistrimeve të bëra nga këto kamera, kallëzuesi ka konstatuar së punonjëset e tij, Makbule Sinani dhe Kimete Lluka, në bashkëpunim me bashkëshortin e Kimetes, shtetasin F. Sinani, vidhnin sasi të caktuara qumështi dhe boshllëkun e krijuar nga vjedhja e zëvendësonin me po atë sasi uji”, thuhej në vendimin e Gjykatës. Po sipas vendimit, pasi ka konstatuar faktin, pronari A. D. i ka ballafaquar punonjëset me pamjet filmike dhe u ka kërkuar dëmshpërblim. Ato kanë pranuar vjedhjen dhe njëra prej tyre i ka paguar atij shumën e 500 mijë lekëve të rinj.











